Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot ceremoni përkujtuese me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.
Gjatë fjalës së saj për kolosin e letërsisë shqiptare, ministrja për Europën dhe Punët e jashtme, Elisa Spiropali e përshkroi shkrimtarin si luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane.
“U bë pasaporta e Shqipërisë kur Shqipëria ishte në kafazin e izolimit të regjimit komunist”, tha Spiropali duke shtuar se bëri gjithçka për vendin e tij dhe nuk mori asgjë.
“Sot në 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë kujtojmë veprën e tij monumentale dhe kontributin e tij të madh për forcimin e vetëdijes kombëtare. Kadare e ngriti shqipen dhe Shqipërinë në lartësi të admirueshme. Mbushemi me krenari kur konstatojmë se Kadareja ynë u njohur ndërkombëtarisht, më së pari ushqeu shpirtërisht popullin e tij. Shqipëria dhe shqiptaria tek ai gjeti formën më të artë të vetvetes. Kadareja u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë kur Shqipëria ishte e izoluar dhe qëndroi në atë piedestal kur ishim të përbuzur, të harruar dhe të keqkuptuar. Ai luftoi për ne kur edhe kur ne luftonim kundër tij. Nderojmë luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane, atë që i dëshmoi botës se në këto troje jeton një popull europian, që sa herë ka qenë i lirë ka zgjedhur Europën. Përkujtojmë emrin e kolosit kulturor, humanistit patriotik që për Shqipërinë dha gjithçka dhe nuk mori asgjë.
I përkthyer në shumë gjuhë Kadare kapërceu izolimin halucinant, foli e shkruajti në emër të vendit të tij të mbyllur, por jo të dorëzuar, duke arritur të behët ambasadori shpirtëror i Shqipërisë në botë. Ndërsa vëzhgohej rreptësisht nga aparati i shtetit komunist, në tehun mes adhurimit dhe survejimit, ja doli të kalonte çdo rrezik falë vullnetit të pashtershëm dhe forcës kolosale të gjeniut artist dhe vizionar”, u shpreh ministrja Spiropali.

