“S’po protestojmë si në Teheran” – Dash Shehi: Po presim nga SPAK, Berisha nuk inspiron më

2 Minuta Lexim

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si opozita po organizon protestat kundër qeverisë, duke theksuar se ato nuk kanë më peshën dhe efektin e nevojshëm politik. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Shehi u shpreh se protestat aktuale nuk arrijnë të mobilizojnë qytetarët dhe nuk prodhojnë ndryshim real.

“S’po protestojmë si në Teheran. Këto nuk janë protesta qytetare masive, por tubime militantesh që po lodhen javë pas jave”, deklaroi Shehi. Ai theksoi se pjesëmarrja e kufizuar tregon mungesën e një mesazhi të fortë politik dhe të figurave frymëzuese. Sipas tij, Sali Berisha nuk arrin më të inspirojë shumicën e shqiptarëve për të dalë në rrugë.

Shehi u shpreh se opozita duhet të ndalë retorikën e përsëritur dhe të ndërtojë një projekt politik të qartë, 360 gradë, me objektiva konkrete. “Nuk mjafton të kërkosh largimin e Edi Ramës apo qeveri teknike, kur këto nuk janë realisht të arritshme. Opozita duhet të fokusohet në gjëra që i ka në dorë: reformën zgjedhore, reformën administrative, rishikimin e Kushtetutës”, tha ai.

Kreu i LZHK-së nënvizoi se sot shpresa kryesore e qytetarëve është te drejtësia, duke shtuar se opozita duhet ta mbështesë SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë, në vend që t’i sulmojë kur vendimet nuk i pëlqejnë. “Vetëm drejtësia mund të rikthejë besimin dhe të inspirojë qytetarët”, u shpreh Shehi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull