Themelohet Forumi i Dialogut Politik opozitar, Hasimja vjen ndryshe

2 Minuta Lexim



Duke konstatuar me shqetësim degradimin e qeverisjes dhe përhapjen e korrupsionit në të gjithë nivelet e saj, rritjen e pushtetit të krimit të organizuar dhe narkotrafikut në vendimarrjen publike dhe të vetëdijshëm për vështirësitë që po kalon opozita në ndërtimin e një alternative të besueshme dhe efikase, ne, një grup qytetarësh të pavarur nga partitë, por me qëndrim opozitar, kemi vendosur të ndërmarrim një nismë publike për lehtësimin e dialogut mes partive të opozitës, rakordimin e qëndrimeve dhe vendosjen e një bashkëpunimi të pranueshëm mes tyre me qëllim:

1. Krijimin e trysnisë së nevojshme për zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
2. Fuqizimin e opozitës dhe bashkëpunimin për një front të përbashkët e të besueshëm opozitar, pa prekur identitetet dhe specifikat e secilës parti.
3. Mbështetjes së sistemit të drejtësisë në misionin e tij për goditjen e korrupsionit dhe narkotrafiqeve.

Ne synojmë t’i arrijmë këto qëllime përmes:

1. Rakordimit të qëndrimeve të opozitës për një kod të ri zgjedhor që forcon demokracinë përfaqësuese dhe merr parasysh interesat e të gjithë partive të opozitës.
2. Krijimit të një platforme bashkëpunimi mes partive opozitare në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme mbi bazën e parimeve të përbashkëta dhe pa cënuar identitetin dhe objektivat e secilës prej tyre.
Në kuadër të kësaj nisme u bëjmë thirrje të gjithë forcave politike dhe organizatave të tjera opozitare të bëhen pjesë e këtij procesi duke lënë mënjanë interesat e ngushtë politikë në shërbim të mundësimit të ndryshimit të qeverisjes në Shqipëri.
Në ditët në vijim Forumi i Dialogut Politik do të takojë përfaqësuesit e partive opozitare dhe më pas do të organizojë një tryezë të përbashkët për arritjen e një marrëveshjeje të arsyeshme dhe të pranueshme bashkëpunimi.

Anëtarët themelues të Forumit

Ermal Hasimja Altin Gjeta
Redi Ramaj Florian Haçkaj
Hektor Ruçi

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull