Transportuesit në Maqedoninë e Veriut i japin fund protestës pas 3 ditësh, zhbllokohet pika kufitare në Qafë Thanë

2 Minuta Lexim

Pas tre ditësh “bllokadë” për shkak të protestës së kamionistëve maqedonas, nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme nis zhbllokimi i plotë i pikës kufitare të Qafë Thanës dhe i të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Bllokada u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve në 10 pika kufitare, në kundërshtim të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen.

Zgjidhja erdhi pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili do të lëshojë viza për transportuesit. Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se Brukseli ka pranuar kërkesat dhe do të sjellë një strategji të re për shoferët profesionistë.

Megjithatë, transportuesit shprehen se regjimi i vizave është i vjetëruar, por janë të gatshëm ta pranojnë zgjidhjen në mungesë të alternativave.

Transportues nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnja i bllokuan që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.

Ata kërkuan ndryshim të rregullores që përcakton se banorët e shteteve të treta mund të qëndrojnë në Zonën Schengen vetëm për 90 ditë në periudhën 180-ditore. Për ta, kjo periudhë është shumë e shkurtër dhe ua vështirëson punën.

Komisioni Evropian tha më parë se po punon për të gjetur një zgjidhje që do t’u lejonte transportuesve profesionistë të qëndronin më gjatë në zonën Shengen.

Transportuesit malazezë protestuan gjithashtu sepse Ministria e Financave nuk i ka pranuar kërkesat e tyre për të rritur shumën e rimbursimeve të akcizës për karburantet që kanë kolegët e tyre në rajon, dhe ata gjithashtu po kërkojnë një rimbursim më të shpejtë të TVSH-së në 30 deri në 60 ditë, sepse tani kanë vite që presin, si dhe të zgjasin punën e inspektimeve doganore dhe fitosanitare.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull