“Venezuela: Rënia e Republikës !”

9 Minuta Lexim

Nga Auron Tare-

Disa miq të mi më kanë pyetur mbrëmë se si e shikoj unë ngjarjen në Venezuelë, sidomos prej këtu ku jam në Amerikë. Nuk është se mendimi im ka ndonjë peshë apo rëndësi për ngjarjen, por, meqë më kërkuan të shkruaja diçka, po ua plotësoj dëshirën me një përshkrim të perceptimit tim.

Nuk ka asnjë dyshim se regjimi i gjatë i Maduros ka krijuar probleme të mëdha sociale në vendin e tij. Venezuela ka varfëri, papunësi dhe plot probleme të trashëguara, të cilat, kur ballafaqohen me jetën plot luks të elitës pranë Maduros, krijojnë një kontrast të fortë social. Maduro nuk pati dot as retorikën dhe as karizmën e Chavez-it, i cili mundi të elektrizonte masat dhe të krijonte një mbështetje të madhe në popull. Industria e naftës është tërësisht e vjetëruar dhe pamundësia për shfrytëzimin e saj ka sjellë papunësi dhe ngadalësim të ekonomisë. Edhe pse një vend që pretendon model social, shërbimet bazë kanë mungesa të theksuara, duke bërë që pasiguria të sjellë edhe një rritje të emigracionit.

E përmbledhur, e gjithë kjo tregon se Maduro nuk kishte mbështetje reale nga ata që pretendonte se përfaqësonte. Fakti që u arrestua në dhomën e gjumit tregon qartë se njerëzit përreth e tradhtuan dhe se ushtrinë nuk e kishte më në krah.

Megjithatë, për t’iu referuar fakteve të botuara në media serioze amerikane, Venezuela e Maduros ishte një vend konservator nga pikëpamja sociale. Nuk njihte abortin, martesat gay, të drejtat e transgjinorëve apo ligje të tjera mjaft të debatueshme edhe nga konservatorët republikanë në Amerikë. Venezuela është një vend autoritar, ku shteti kontrollon pjesën më të madhe të ekonomisë, si edhe aspektin social. Është vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë dhe vendi me përqindjen më të vogël të trafikut ilegal të drogës në Amerikë. Show-t televizive mbi goditjet e varkave që sillnin drogë drejt brigjeve amerikane ishin një limonadë që askush nuk e gëlltiste.

Pra, për ta përmbledhur, Venezuela është një vend me regjim autoritar, i varfër, i cili nuk e kërcënonte dot Amerikën, por zotëron burimet më të mëdha të naftës në botë burime që nuk kontrolloheshin nga amerikanët.

Ndërkohë, të gjithë ata që patën kohë dhe dëshirë të ndiqnin konferencën për shtyp të Presidentit Trump pas arrestimit të Maduros mund të shihnin qartësisht një nga shfaqjet më interesante të politikës globale, nëse do ta krahasonim atë me periudhën historike të rënies së Republikës në Romë dhe vendosjes së Imperiumit, apo autoritetit të Cezarëve.

Gore Vidal, një nga mendjet më të mprehta amerikane të shekullit të kaluar, në librin e tij mbi rënien e Republikës, e ka paralajmëruar qartë rrëzimin e republikanizmit amerikan dhe vendosjen e dominancës imperiale. Por, asnjëherë, sipas mendimit tim, as në librin e tij kjo nuk ka qenë më e dukshme dhe më e artikuluar sesa në konferencën e 3 janarit nga Trump.

Në një farë mënyre, për ata që e njohin mirë historinë, ky fjalim ishte një moment që e ndan si me thikë tranzicionin nga Republika në Imperiumin e Cezarëve (Presidentit). Në daljen e tij përballë gazetarëve, Trump tregoi qartësisht se Kongresi Amerikan nuk është më organ i dobishëm apo vendimmarrës në politikën e shtetit; përkundrazi, ai i poshtëroi ata duke i quajtur “njerëz që nxjerrin informacion”, një frazë që e përsëriti disa herë për të treguar se nuk kishte arsye pse t’i përfillte kongresmenët.

Presidenti Trump, me mjaft krenari, përsëriti se “Venezuelën do ta administronin vetë amerikanët”, pra si një provincë e kapur me luftë, ku e drejta e pushtimit legjitimon çdo veprim. Sekretari i Shtetit, Rubio, “do të jetë përgjegjës për këtë administrim”, u shpreh Trump, duke i dhënë atij titullin e një “Legati Augusti”, të ngjashëm me një administrator nën urdhrat e Perandorit dhe jo të Senatit.

Sekretari Rubio, në ndërhyrjet e tij, theksoi disa herë se në veprime të tilla nuk kishte asnjë arsye të merrej mendimi i Kongresit dhe përsëriti frazën se Trump ishte një “President që duhej marrë seriozisht”, edhe pse dikur argumentonte të kundërtën.

Në konferencën për shtyp, shprehje si demokracia, e drejta e vetëvendosjes së popujve, zgjedhjet e lira dhe slogane të tjera u anashkaluan tërësisht dhe, në një farë mënyre, Trump u tregua shumë i sinqertë duke i trajtuar këto si shprehje pa ndonjë rëndësi reale në kontekstin e Venezuelës.

“Administrimi i Venezuelës nuk do t’u kushtojë asgjë taksapaguesve amerikanë”, premtoi Trump, duke shtuar se nafta e Venezuelës, nga sot, do të administrohej nga administrata Trump. “Jo vetëm që do të administrojmë naftën, por do të paguajmë edhe ata që janë dëmtuar në të kaluarën”, deklaroi sërish Trump, duke nënkuptuar se në projektin e ndërhyrjes në Venezuelë janë përfshirë edhe shoqëritë e mëdha të naftës, të cilat u larguan nga vendi pasi Hugo Chavez udhëhoqi një revolucion 25 vite më parë, duke rrëzuar elitën e korruptuar venezueliane nga pushteti dhe duke shtetëzuar burimet e naftës.

Një nga momentet më brilante të Trump me gazetarët ishte përgjigjja për lideren e opozitës venezuelase, një zonjë të cilës vendet skandinave i dhanë Çmimin Nobel për Paqe vetëm një muaj më parë një vendim qartësisht politik.

“Zonja”, u shpreh Trump, “është një grua e mirë, por pa asnjë mbështetje dhe reputacion në vend. Nuk kam asnjë arsye të flas me të, pasi nuk është pjesë e planeve tona.” Kaq mjaftoi për të treguar impotencën e institucioneve të Nobelit, si dhe dështimin e ‘mbështetjes’ së politikës pa shtyllë kurrizore të lidershipit europian ndaj opozitës venezueliane.

Dhe, në fakt, ende pa mbaruar konferenca për shtyp e Trump, në llogaritë X të lidershipit europian filluan mesazhet servile të kryeministrave, të cilët kishin hallin e popullit venezuelas dhe jo çështjet e së drejtës ligjore ndërkombëtare. Servilizmi europian ndaj Amerikës mbi çështje me rëndësi thelbësore për të drejtën ndërkombëtare shumë shpejt do të përballet me momentin kur Presidenti Trump do të marrë Groenlandën si një të drejtë legjitime për sigurinë amerikane ndaj kërcënimeve të mundshme.

Ndërkohë, në ndryshim nga europianët, zëra të rëndësishëm në Amerikë të së drejtës ndërkombëtare iu kundërvunë me vendosmëri Presidentit Trump. Ata argumentojnë se ndërhyrja amerikane në Venezuelë jo vetëm që ishte një shkelje e së drejtës ndërkombëtare që garanton sovranitetin e shteteve, por edhe një goditje e rëndë ndaj institucioneve legale të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore për të ruajtur dhe garantuar rendin botëror.

Këtij teatri absurd që zhvillohej paradite iu pasua shfaqja e mbrëmjes së mbërritjes së helikopterëve të shumtë që transferonin Maduron në burgun e sigurisë së lartë në New York. Regjia e përkryer, që vetëm një mjeshtër i televizioneve si Trump mund ta organizonte, kishte në sfond helikopterët dhe Statujën e Lirisë. Ideja se e shkuara e Venezuelës kalonte mbi Statujën me Pishtar në Dorë dhe jo mbi puset e naftës ishte mjaft domethënëse. Ndërkohë që një pjesë e ekraneve transmetonin imazhet e Maduron, pjesa tjetër shfaqte ndeshjet e futbollit amerikan.

3 janar 2026

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull