Në kohën kur bota ka kthyer sytë nga zhvillimet në Venezuelë, mes polemikave që kanë rrethuar operacionin e SHBA-së atje dhe deklaratave për shkelje të ligjit ndërkombëtar, presidenti serb Aleksandar Vuçiç akuzoi Kroacinë se po punon së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë për shkatërrimin e tij dhe për krijimin e një kërcënimi ushtarak.
Për këtë arsye, qeveria jonë, u shpreh ai, do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj ushtarake. Sipas mediave kroate, këto pohime Vuçiç i bëri në Trebinje në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku udhëtoi për të marrë pjesë në hapjen e një spitali të ri, por ku shumë pak foli për kujdesin shëndetësor.
Sipas Index.hr, kreu i shtetit serb u përqendrua tek analizat gjeostrategjike, duke parashikuar ardhjen e “kohërave të vështira”, përfshirë rreziqet e reja të luftës në juglindje të Evropës. Ai e bëri të qartë se shqetësimi i tij është në mënyrë të veçante Kroacia, dhe bashkëpunimi i saj në mbrojtje me Kosovën dhe Shqipërinë.
“Në Beograd, ne e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb”, citohet të ketë thënë Vuçic, që pohoi se aktualisht, po zhvillohet një forcim i ndjeshëm i forcës ushtarake të Serbisë.
“Ne jemi të dytët në botë për sa i përket përparimit të kapaciteteve tona ushtarake dhe brenda dy vjetësh do t’i dyfishojmë kapacitetet tona ushtarake”, ka qenë komenti i tij.

