Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka lëshuar një paralajmërim urgjent për të gjithë prindërit në Shqipëri. Një lloj specifik i qumështit për foshnja po tërhiqet menjëherë nga tregu për shkak të pranisë së një substance të rrezikshme.
Gjatë kontrolleve në Gjermani, në produktin Aptamil 1 Pronutra (800g) është gjetur prani e një toksine (cereulide) që vjen nga bakteri Bacillus cereus. Ky bakter mund të shkaktojë probleme shëndetësore, ndaj është dhënë alarmi në të gjithë rrjetin europian të sigurisë ushqimore (RASFF).
AKU njoftoi qytetarët se nëse e kanë blerë këtë produkt ta kthejnë në pikat e shitjes.
Sipas autoritetit inspektorët janë tashmë në terren për të bllokuar çdo kuti të mbetur nëpër rafte.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik mbi njoftimin me numër reference 2026.0663 të ardhur nga Sistemi RASFF. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant. Të dhënat e produktit:
Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026
Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.
AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

