Pak para protestës së thirrur nga opozita, është zbuluar mesazhi i nënkryetarit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, drejtuar strukturave të PD-së, ku flitet hapur për një protestë me “shumë kombinacione”, me një pjesë të parashikueshme dhe një tjetër që pritet të zhvillohet “sipas dinamikës” së revoltës dhe zemërimit politik.
Në mesazhin e tij, Boçi thekson se protesta nuk është statike dhe se zhvillimi i saj do të përcaktohet nga reagimi i qytetarëve dhe nga tensioni politik i momentit. Sipas tij, protesta mund të qëndrojë në Bulevard, por mund edhe të përhapet në forma të ndryshme në gjithë kryeqytetin, duke e cilësuar organizimin si tradicional dhe të vazhdueshëm, me përfshirjen jo vetëm të strukturave të PD-së, por edhe të qytetarëve nga qytete të tjera, ndërsa pesha kryesore, sipas mesazhit, mbetet Tirana.
Ky mesazh i brendshëm i drejtuesit të lartë të PD-së del në dritë në një kohë kur, paralelisht me zhvillimin e protestës pranë Kryeministrisë, në terren është konstatuar prania e një grupi që në rrjetet sociale vetëidentifikohet si “Shqiponjat e Reja”. Ky grup, pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, ka ndërmarrë akte dhune duke hedhur mjete molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke e tensionuar më tej situatën./TemA

