BASHKË ME DITËLINDJEN E MEVLANIT

3 Minuta Lexim
Nga Miho Gjini-
Dje ishte ditëlindja e Mevlan Shanaj, I pa moshë edhe Ai. Njëri nga 25 aktorët e “Brezit të Artë të Aktrimit” që e botova vitin e kaluar dhe e prezantoi në sallën e madhe të Universitetit të Arteve Dekani Milto Kutali dhe Mjeshtri i Madh Mevlan Shanaj. Njëherësh, me trishtimin se 13 prej tyre nuk janë më në jetë, por në “PARAJSËN”, ku ndodhen edhe themeluesit e teatrit tonë, që triumfuan mbi kohën e tyre, me talentin e tyre…
Mirëpo ç’farë t’i them ish studentit tim Mevlan Shanaj, që më quajti aty “DJALOSH!”, edhe pse i bëra bashkë dy teta e hyri edhe ai në moshën e pensionistit?! Po ndofta, kjo ka të bëjë, me diçka të mirë e njerëzore, me MIRËNJOHJEN E DASHURINË. Që sa venë dhe zhduken, si kategori të moralit e etikës qytetare.
Kush është Mevlani?
U nisë nga Patosi, me dëshirën e prindërve të bëhej mjek, e u bë artist, sipas ëndrës që “flinte” brenda tij. Dhe, në kërcyellin e vitit 1970 u “kurorëzua ARTIST. Pa mbaruar ende viti shkollor, studentin tim Shanaj, e zgjodhi Regjizori Viktor Gjika për heroin e filmit “I teti në Bronx”, ku interpretoi, jo vetëm vetveten, por edhe ëndrën e mijëra njerëzve për çlirimin nga zgjedha e huaj, njëri ndër idealistët e parë të komunizmit. Për ta vazhduar në filmin “Rrugica që kërkonin DIELL” me Nebi Surelin ,-një figurë konkrete, me vrulle djaloshare, që shpërndante rrugëve shtypin ilegal. Po edhe me pushkë në krahë , tek “Malet me Blerim Mbuluar” të Anagnostit…
Emërimi i Mevlanit në TVSH, si regjisor, do na jepte dokumentare të shkëlqyera si “Rrugët”, “Xhenfise Keko”, Ndrekë Luca”, “Vangjush Furxhiu”, “Rikard Ljarja e tj. me plotë jetë e realizëm, me mesazhe njerëzore e vlera artistike, tejshkuar prej një frryme poetike. Të cilat e përgatitën atë edhe si regjizor, me filmat “Atentatori i Perandorit”, për heroin e fshatit tim Vasil Llaçi, simbol i guximit e i sakrificës sublime. Duke vazhduar me “Lule të kuqe, Lule të zeza”, si një protestë kunder asaj zbrazëtie lemeritëse që sollën ikjet e medha. Po ashtu , edhe me krizën intelektuale të dinjitetit e personalitetit tek filmi i tij modern “Fletë të Bardha”, me dramaturgji jetësore, plot detaje e kontraste, si shprehje e idealeve të reja demokratike, në të cilat ndjehet edhe personaliteti i një artisti origjinal, me bagazh intelektual e artistik.
Artist me sedër, ky Mevlani. Duke përfituar bukur edhe nga profesionalizmi i trishes së famshëme, Anagnosti-Gjika e Milkani, me synimin se “Filmi im më i mirë, nuk është bërë akoma”,-siç është shprehur miku im.
Ditëlindja e djeshme , qoftë një “Ogur i Mirë” në kohështrirjen e mëtejshme të ketij Artisti Vizjonar.
Athinë, më 9 shkurt 2026

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull