Një mëngjes i butë dimri na gjen në një grykë malesh në veri të Dropullit, aty ku natyra ka skalitur një peizazh magjepsës dhe një përrua kristaltë rrjedh qetësisht mbi gurët e bardhë. Një fillim ideal për një udhëtim zbulues, i cili synonte të na afronte me perlat e fshehura të jugut të Shqipërisë, përmes syrit të gazetarëve nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe diaspora, në kuadër të Edicionit të 16-të të “Ditës së Miqësisë”, një aktivitet i organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në bashkëpunim me RessEgnatia Elbasan, me pjesëmarrjen e gazetarëve nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Bashkia Dropull ishte pikënisja e këtij edicioni tashmë tradicional,  ku bashkëjetesa ndëretnike shqiptare dhe greke formojnë një mozaik të pasur kulturor.

Pas vizitës në galerinë e pikturës me autorë vendas, pjesëmarrësit u pritën nga autoritetet vendore, ku përshëndetjet zyrtare nga nënkryetari i Bashkisë, Kryetari i UGSH ALeksander Cipa si dhe Xhimi Vila Kryetar i Ress Egnatja u shoqëruan me një koncert polifonie dhe valle tradicionale, duke i dhënë aktivitetit një ngjyrim autentik dhe festiv.

Gjirokastra – qyteti muze dhe trashëgimia e gurit

Udhëtimi vijoi drejt Gjirokastrës, qytetit të gurtë, ku arkitektura monumentale, shtëpitë-kulla, rrugicat me kalldrëm dhe objektet e kultit ndërtojnë një ansambël urban unik. Kalaja madhështore, që mbizotëron mbi qytet, përfaqëson një qendër të rëndësishme historike dhe kulturore, ndërsa Muzeu Etnografik, pazari i vjetër dhe komplekset tradicionale pasurojnë mozaikun e trashëgimisë urbane. Vizita disaorëshe shërbeu si një rikujtim i gjallë i historisë dhe identitetit shqiptar, përpara se udhëtimi të vazhdonte drejt Sarandës.

Saranda – nyja e turizmit kulturor dhe bregdetar

Trajektorja Dropull–Gjirokastër–Sarandë–Butrint–Himarë krijon një itinerar unik turistik, ku ndërthuren qytetërime të lashta, tradita shumëshekullore, arkitekturë monumentale, peizazh mesdhetar dhe identitete kulturore të shumëfishta.

Në Sarandë u zhvillua edhe Forumi i Turizmit i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, i cili u shndërrua në një platformë të fuqishme debati dhe reflektimi mbi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në jug të vendit. Në fjalën e tij hapëse, Aleksandër Çipa, kryetar i UGSH-së, paraqiti një panoramë historike të zhvillimit turistik të Sarandës, duke theksuar nevojën për strategji afatgjata, investime të zgjuara dhe promovim profesional ndërkombëtar. Ai nënvizoi se Saranda nuk duhet parë thjesht si një destinacion sezonal, por si një qendër me potencial gjithëvjetor.

“Saranda nuk duhet parë vetëm si destinacion sezonal, por si një qendër me turizëm gjithëvjetor, ku historia, natyra dhe kultura bashkëjetojnë në harmoni”, tha ai. Diskutimet e gazetarëve Fatmir Popja, Vladimir Muça, Ilmi Kurti, Ardian Daullja dhe të tjerëve sollën në vëmendje rolin kyç të medias në promovimin e turizmit, si dhe nevojën për mbrojtjen e mjedisit, hapësirave publike dhe identitetit urban të qytetit.

Pjesa jugore është e njohur për malet e saj të egra dhe plazhet e virgjëra. Qyteti Sarandë edhe pse e pozicion veten si thesar i ri i fshehur, përfaqëson nyjën kryesore të lidhjes mes trashëgimisë kulturore dhe turizmit bregdetar. Në kuadër të këtij edicioni u zhvillua edhe Forumi i Turizmit i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Sarandë, i cili u shndërrua në një thirrje të fortë për më shumë promovim dhe investime në perlat e jugut të Shqipërisë. Pjesëmarrësit theksuan potencialin e jashtëzakonshëm turistik të zonës, duke nënvizuar nevojën për strategji të qëndrueshme zhvillimi, infrastrukturë më cilësore dhe marketing më të fuqishëm ndërkombëtar. Saranda, me bukuritë e saj natyrore, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen tradicionale, u konsiderua si një nga destinacionet kryesore që meriton vëmendje të veçantë në hartën turistike të rajonit dhe më gjerë. Shumë nga gazetarët u shprehën kritik daj autoriteteve lokale dhe qendrore për zhvillimet e fundit urbanistike, duke potencuar rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, hapësirat publike dhe infrastrukturore, në mënyrë që Saranda të ruajë identitetin dhe bukurinë natyrore që e bën unike. Vitet e fundit është nën radarin turistik si një destinacion jashtëzakonisht tërheqës për pushime.  Turizmi ka qenë pjesë integrale e prosperitetit të tij, ekonomik gjatë dekadave të fundit.

Butrinti – një udhëtim 2500-vjeçar në kohë

Pas forumit, rruga na çoi drejt Butrintit, një nga komplekset arkeologjike më të rëndësishme të Mesdheut dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Mes pyjeve mesdhetare dhe lagunave të qeta, shfaqet një qytet antik, ku teatri, baptisteri paleokristian, bazilika dhe muret fortifikuese dëshmojnë një histori 2500-vjeçare.Butrinti nuk është vetëm një thesar arkeologjik, por edhe një ekosistem natyror unik, ku bashkëjetojnë biodiversiteti i pasur dhe trashëgimia kulturore, duke e shndërruar këtë park kombëtar në një model të integrimit të natyrës me historinë. Është një vend mahnitës dhe një pikë pelegrinazhi për entuziastët e historisë. Ajo ndodhet në një kodër me pamje nga kanali i Vivarit dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrinti. Kalojmë përmes drurëe të lartë që ia kishin zënë dritën qiellit. Aty ndodhen teatri antik, Baptisteri paleokristian, bazilika e shekullit VI dhe mure fortifikuese. Përveç vlerave arkeologjike, Butrinti është edhe një ekosistem natyror unik, ku bashkëjetojnë laguna, pyje mesdhetare dhe biodiversitet i pasur, duke e shndërruar në një model të integrimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Porto Palermo dhe Himara – aty ku historia përqafon detin blu

Udhëtimi vijoi përgjatë bregdetit jonian drejt Himarës, përmes kthesave mahnitëse dhe panoramave mbresëlënëse.

Gjatë rrugës nuk ke si mos të ndalesh në atraksionin kryesor Kalanë e Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo, qw ishte një nga kulmet emocionale të këtij itinerari. Fortesa, e ndërtuar në fillim të shekullit XIX, ruan arkitekturën autentike dhe ofron një pamje spektakolare mbi detin Jon. Kjo fortesë e ngritur  mbase ishte edhe si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë që sipas kronistëve të kohës, “Pashai i Janinës e kishte shumë për zemër”.  Arkitektura e kështjellës ruan shpirtin e kohës dhe sot në ambientet e saj ndodhet një ekspozitë pikturash. Një copë e vërtet  historie këtu.  I gjithë bregdeti është një kënaqësi absolute, i mbushur me fshatra bregdetarë të mrekullueshëm dhe një ndjesi shumë e madhe për të eksploruar kalanë ku kati i parë i gurtë dukej si një labirinth nga korridoret e erëta në të cilat depërtonte pak ndriçim nga jashtë. Veq dhomës së Ali Pashait, aty ishin salla e mbledhjeve, dhoma e ushtarëve, pusi, depo të armatimit.

Qershia mbi tortë ishte në katin e sipërm. Nga lartësia e saj, shtrihet një horizont i kaltër, ku historia, natyra dhe drita ndërthuren në një simfoni vizuale. Kjo hapësirë përfaqëson jo vetëm një monument historik, por edhe një pikë referimi për turizmin kulturor dhe fotografinë artistike. Po aq mbresëlënëse sa një shëtitje brenda saj është edhe ajo përreth tij, ku ndien dallgët e lehta të detiti duke u përplasur në brigjet gurore duke krijuar tinguj të lehtë.  Është një vend që duhet vizituar nga kushdo që eksploron këtë pjesë.

Himara, me trashëgiminë detare, peshkimin tradicional, gastronominë mesdhetare dhe plazhet e virgjëra, shfaqet si një destinacion i integruar relaksi dhe kulture. Nënkryetarja e bashkisë, Erifili Berberi, ndau me pjesëmarrësit vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe mjedisit natyror.

Nga bregdeti në mal – Kuçi dhe Qafa e Shkallës

Në ditën e tretë, udhëtimi mori drejtim malor, drejt fshatit Kuç dhe Qafës së Shkallës, ku natyra shfaqet e egër, madhështore dhe magjepsëse. Shtigjet malore, shkëmbinjtë gëlqerorë dhe horizontet e pafund krijojnë një përvojë unike eksplorimi.Ndalimi në restorantin “Abelle”, mes një sfondi spektakolar, ofroi një përvojë gastronomike autentike, duke plotësuar në mënyrë ideale mozaikun e këtij udhëtimi kulturor dhe natyror.Udhwtimi pwrgjatw kwsaj trajektore përfaqëson një nga potencialet më të mëdha të turizmit kulturor në Shqipëri. Zhvillimi i saj i planifikuar dhe i qëndrueshëm do të kontribuonte jo vetëm në rritjen e turizmit cilësor, por edhe në ruajtjen e trashëgimisë dhe zhvillimin ekonomik rajonal. Edicioni i 16-të i “Ditës së Miqësisë dhe Diasporës Shqiptare” dëshmoi edhe një herë fuqinë e dialogut, bashkëpunimit dhe vizionit të përbashkët. Ky aktivitet shërbeu si një platformë e rëndësishme shkëmbimi përvojash, idesh dhe projektesh, duke forcuar rolin e medias në promovimin e vlerave kulturore, historike dhe turistike shqiptare.