Nga Nerti Jole-
Për ne korçarët, Korça nuk është thjesht vendlindja. Me bukurinë, gjeografinë, klimën, historinë, njerëzit dhe jetët e tyre, ajo është kthyer në një formë adhurimi. Edhe kur diçka nuk na shkon mirë dhe kërkojmë arsyet edhe te Korça, dashuria për të mbetet aty. Secili korçar mund të thotë apo të shkruajë për Korçën. Për shembull, Agim Xhafka i këndon çdo dy javë me përsiatjet e tij.
Por për Korçën kanë thënë e shkruar edhe jokorçarë, madje jo pak të huaj, dhe kjo vazhdon edhe sot. Po çfarë është ajo që e bën këtë qytet kaq të adhurueshëm? Pse të bën të ndihesh krenar për të? Përgjigjja nuk është në një fjali. Sa më thellë të hysh në jetën e qytetit, aq më shumë zbulon se Korça nuk shpjegohet shpejt. Nuk lexohet “a prima vista”.
Korça është një qytet që nuk të imponohet. Nuk të kërkon bindje me zë të lartë dhe nuk ta dikton ritmin. Të lë hapësirë të mendosh, të vëzhgosh e më pas të kuptosh. Dhe pikërisht sepse nuk imponohet, nuk e pranon as imponimin, sidomos kur ai vjen pa shpjegim dhe pa arsye.
Gjatë katër viteve të punës së përditshme këtu, e kam njohur qytetin tim në funksionimin e tij real. Jo si dekor institucional apo sfond ceremonial, por si qytetin ku jeton një komunitet që e vlerëson korrektësinë më shumë se zhurmën dhe përmbajtjen më shumë se pushtetin formal. Në Korçë, autoriteti nuk merret me tituj apo mendjemadhësi; ai fitohet me sjellje të qëndrueshme, me dinjitet human dhe me integritet intelektual.
Ku më mirë se ne Korçë anonimati i heronjve do të përjetësohej tek i mirënjohuri monument i “Ushtarit të Panjohur”? Simbolika nuk ka nevojë për koment.
Kjo ndodh sepse Korça e ka mishëruar shumë herët shijen e qytetarisë në genin e saj.
Arsimi, kultura, mendimi kritik dhe bashkëjetesa fetare nuk kanë qenë kurrë thjesht parulla, por standarde të jetës së përditshme. Kjo ka krijuar një shoqëri që nuk reagon impulsivisht si turmë, por që as nuk harron. Është një komunitet që di të presë, por jo të shpërfillë nuancat e padrejtësive që mund të ndeshë në udhën e vet.
Është e mrekullueshme sesi historia këtu nuk është përdorur si stoli politike, ose të paktën jo pa u dalluar. Edhe kur kjo është tentuar, Korça e ka mbuluar shterpësinë me hijeshinë e qytetarisë së vërtetë. Kjo qytetari shfaqet në mënyrën si njerëzit e matin fjalën, si e kuptojnë bashkëjetesën, shtetin dhe shërbimin publik, dhe më kryesorja, si e dallojnë autoritetin nga imponimi i shëmtuar që shpesh buron nga frustrimi emocional.
Brezat në këtë qytet nuk janë zëvendësuar sipas cikleve elektorale, por janë mbivendosur, duke krijuar një ndjenjë vazhdimësie që nuk e pranon lehtë arbitraritetin dhe dritëshkurtësinë.
Në këto vite kam parë një komunitet që nuk ka nevojë të bërtasë edhe kur ka arsye për të qenë kritik. Qytetarët nuk e ngatërrojnë heshtjen me pajtimin, as durimin me nënshtrimin. Pakënaqësia këtu nuk është shndërruar në spektakël publik, sepse stili i jetës në këtë qytet nuk është shfaqje, por një këndvështrim i kthjellët ndaj të tashmes dhe sidomos ndaj së ardhmes.
Është e vërtetë që Korça ka kaluar periudha zhvillimi domethënëse, por edhe braktisje të vështira, premtime të drejta dhe pritje të gjata për zgjidhje të qëndrueshme. Ka njohur emigrimin si plagë dhe në doza më të vogla, rikthimet si shpresë për t’u rilartësuar me emra që kanë shënjuar sukses, duke i shtuar qytetit krenarinë e vet legjitime.
Megjithatë, Korça nuk është shndërruar kurrë në një qytet që ankohet pa pushim. Ka ruajtur një etikë qytetare që nuk e ul dinjitetin për të kërkuar vëmendje dhe nuk e shet heshtjen si dakordësi të përjetshme.
Përvoja e fundit ma konfirmoi edhe më shumë lidhjen me qytetin tim. Më evidentoi faktin që kjo lidhje nuk ndërtohet mbi poste, por mbi një dashuri të pashmangshme që merr trajtën e përkushtimit në shërbim dhe mision publik.
Korça të mëson sensin e masës, dozën e qetësisë kritike dhe fuqinë e refuzimit të sipërfaqësores e arbitraritetit, në emër të më të mirës që është përpara.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse Korça mbetet gjithmonë më shumë se një qytet. Një kulturë e heshtur qytetarie dhe një krenari që nuk shteron me kohën.

