Nga Joni Shanaj-
“Besoooo…”
“Shabaaaaan”
“Besoooo…”
“Shabaaaaan”
Të gjithëve besoj i kujtohet momenti “i famshëm” në filmin ‘Shtigje Lufte’, kur Shabani, fshatari pezak ose ndryshe Robert Ndrenika, vendos dy gishtat përpara për të kapur për hunde si në mors Kanan Tafilin e rremë, duke e vërtitur nëpër odë, mes të qeshurash.
‘Lëre Shaban’, i thotë Kanan Tafili i vërtetë, ose ndryshe Timo Flloko.
Shabani: ‘Aman o Kanan, se boll na kanë sorrollatur kta!” [55:00-57:00 në linkun e filmit vendosur në komentet më poshtë].
Fjala është për filmin shqiptar ‘Shtigje të Luftës’, realizim i vitit 1974.
Pas një postimi këtu për filmin shqiptar, para dhe pas komunizmit, më ra ndërmënd të rishoh një prej filmave të preferuar të mi të fëmijërisë. ‘Shtigje të luftës’ quhet ky film pra me regji të Piro Milkanit.
U përpoqa dje të vendosja dy pasazhe të këtij filmi këtu, rreth 3 minuta në tërësi, por të drejtat kudo në botën virtuale të planetit tokë të këtij filmi të Kinostudios i paska Acromax, dhë më ndaloi agregati të kryej postimin e Robert Ndrenikës më rolin e Shabanit tirons, këtu.
Pasazhi i parë, që do postoja, nuk kishte lidhje me Ndrenikën, por ishte një sekuencë që mund të kishte qenë edhe një videoklip i shkëqyer “retro”, me muzikë shumë të mirë, dhe unë do e ndaja me @ndjekësit si për fundjavë. [11:21-12:55]
Në pasazhin e dytë, ishte skena epokale e filmit shqiptar, që nisa të përmend më lart, ku djemtë e çetës së Pezës zbulojnë se një palë kolaboracioniste, kriminelësh anti-shqiptare, është veshuar me rrobat e tyre dhe ka marrë udhët të terrorizojë fshatarët e varfër të zonës ku çeta e Babë Myslymit real ka bazën e saj.
Histori të tilla me njerëz që vishen si të tjerë apo vjedhin identitete për qëllime të errëta pra “imposters” ka shpesh në kinemanë aksion bazuar mbi ngjarje reale të luftës së dytë, ku mendoj ‘Inglorious Basterds’, i Tarantinos, me Brad Pitt e shokë do të mbetet njl nga shembujt e kinemasë më të madhe të bërë ndonjëherë, bashkë me përdoprimin e tij në të këngës së David Bowie, ‘Cat People: (Putting out Fire)’, në çastin më kulminant.
Por, nëse kthehemi pak më përpara në filmin tonë, një skenë ose dy më parë në të njëjtin film, kemi parë Timo Fllokon ndryshe Kananin e vërtetë, atentatorin e famshëm të rezistencës shqiptare të bazuar mbi figurën reale të heroit të Bllacës së Malit të Thatë, Kajo Karafilit, të veshur si nazist, nën hijet e natës të rrugicave të Tiranës, tek kryen një atentat.
Ka mbetur diçka prej shenjtori në këtë figurë me armë në dorë të këtij heroi dhe shumë heronjve të tjerë, që mund të të kujtojë ikonat jo më të kinemasë, por ikonat reale të kishave shqiptare dhe vetë arkeëngjëjve me shpata dhe shtiza, mburoja, armatosur gjer në dhëmbë.
Kjo është dhe kinemaja e vërtetë; shënjuesja e shëmbëlltyrave mes nesh.
Prej vitesh kinematografia e prodhimit Kinostudio në vendin tonë, ka patur një fat të ngjashëm me atë të filmit Western në Amerikë.
Është kritikuar dhe anatemuar për shumëçka simbolike politike në të, por sado të motivuara politikisht nga kushdo krah kritikat ndaj saj, ajo do të mbetet krijuese ikoash të lirisë.
Më sjell kujtesën e filmave të parë të preferuar të mi, filmat Western edhe ky film i Piro Milkanit, ku gjatë shikimit të ri të tij, jo më vonë se dje, disa skena të tij do t’i kishte zili edhe çdo film WESTERN nga ata më amerikanë.
Më erdhi ndërmend tek shihja anës një lumi mullixhi Shabanin, e Robert Ndrenikës të mbronte nderin e tij, filmi ‘Pat Garrett And Billy The Kid’, western amerikan me vetë Bob Dylan në të, ku dhe shfaqert për herë të parë kënga e famshme ’Knocking on Heaven’s Door’ e tij. Film ky amerikan i vitit 1973, vetëm një vit përpara ’Shtigje të Luftës’ të Piro Milkanit dhe Kinostudios Shqipëria e Re, në Shqipëri.
Dhe lind pyetja: Këtë film të realizuar 52 vjet më parë në vitin 1974 në Pezë, me një përbërje të rrallë trupe aktorësh, skena masive të luftës, kostume, dhe me të gjithë mjeshtërinë e ndërtimit dramaturgjik të përbrendësuar, montazh, kamera, ndriçim, rekuizitë, butafori, impenjim logjistik dhe tërësi produksioni; a do të ishte realizuar dot ky film në Shqipërinë e sotme?
Pyetja nuk është sa do të kishte kushtuar sot, çfarë që do të na duhet të fokusojmë dhe të ndalemi në diskutimin me bazë mbi fatet e filmit shqiptar është: Çfarë ka ndodhur në Shqipëri?
Dhe mendoni për një çast: Çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodhi me filmin, me kinematografinë shqiptare, me letërsinë shqipe dhe rrjedhimisht me gjithë Shqipërinë?
Mjafton vetëm muzika e kompozitorit Kujtim Laro si overturë hapëse e këtij filmi, e interpretuar nga orekstra e Radio Televizionit drejtuar nga Rifat Teqja, në 2-3 minutat e para, për të patur shpresë në përjetësi, përgjithmonë, se dikush do zgjohet të kuptojë se Shqipëria është, ka patur, ka, ka qenë, është dhe do të jetë, e pakrahasueshme në çdo fushë, gjini dhe art në histori.
Dje Albin Kurti, Hajrullah Çeku, e gjithë Kosova, një producent shqiptar dhe QKK-ja e Shqipërisë ishin në festë sepse një film i realizuar nga një regjisori kosovar i shkolluar dhe i vendosur në Gjermani, Visar Morina arriti një fitore të madhe dhe të rëndësishme për karrierën e tij në festivalin e rëndësishëm të filmit indipendent amerikan Sundance, me filmin e tij të fundit, ’Shabani dhe Hatixhja’, një produksion i shtëpisë filmike gjermane të regjisorit, mbështetur në produksion edhe nga 4 producentë të tjerë gjermanë me kompanitë e tyre përkatëse.
Përveç producentëve kryesorë që në terma industrie dhe biznesi janë dhe pronarët e filmit, ky film shihet se është krijuar edhe sipas skemave të sotme të co-produksioneve, siç quhen në botën e filmit të subvencionuar me para publike në Europë, ku pjesë të vogla kontributesh mund të ndahen ndërmjet kompanish vendesh të tjera të cilat mund të kontribojnë me diçka më shumë apo më pak, me fonde të financuara nga institucine publike të vendeve të tyre, në ndërtimin e plotë të financave dhe burimeve njerëzore të një filmi.
Çdo film prodhohet nga producentët kryesorë të tij dhe pronësia e çdo filmi është dhe mbetet sipas kontributeve në buxhet të secilës kompani pjesëmarrëse që kontribuon me pjesë të financimit dhe/ose me elementë krijuesë apo teknikë.
Ndaj kur hap faqen e festivalit Sundance sheh se nën titullin e tij në Anglisht: ‘Shame and Money’ filmi i Visarit është prodhim i disa shteteve:Germany/Kosovo/Slovenia/Albania/North Macedonia/Belgium. Producentët kryesorë janë pesë vetë, ndërsa co-producentë në projekt gjashtë të tjerë. Gjithsej 11 vetë.
Të duket ndonjëherë sikur këto shtete janë bërë bashkë si pjesë e ndonjë lufte, pak a shumë si nisën në mënyrë komike trupa nga 1 apo 2 vetë në Groenland disa shtete Europiane, për të pretenduar se mbrojtjen e arktikut mund ta kryenin vetë.
Shqipëria mori pjesë pra si e katërta në rradhë në këtë rast, nëpërmjet kontributit të shtëpisë filmike më të madhe dhe më të suksesëshme në Shqipëri në këto vjet. Fjala është në terma sasiorë përsa i përket financave të qarkulluara dhe produkteve në treg.
Sot, kjo do të shihet gjatë si një nga arritjet më të larta dhe më të mëdha të filmit shqiptar në Shqipëri.
Fitorja e ‘Shabanit dhe Hatixhes’ së Visar Morinës në Sundance, është një fitore e rëndësishme dhe shumë e madhe në karrierën e AUTORIT Morina, të cilit si koleg i uroj sa më shumë punë të mira dhe sa më shumë sukses.
Është një fitore e rëndësishme edhe e filmit gjerman, kinematografisë gjermane dhe Gjermanisë.
Kosova nga ana e saj ka meritën e veçantë se ka ndihmuar dhe mbështetur kineamtografinë dhe punën e një djali AUTOR të saj, që nga fillimet e tij dhe deri më tani.
Për këtë qeveria Kurti ka të drejtën legjitime të krenohet dhe të gëzojë për rezultatet e ndihmës së saj.
Kinematografia kosovare ka natyrisht një historik tjetër nga ajo e Republikës së Shqipërisë.
Filmi shqip në Kosovë pas baballarëve të filmit kosovar si Besim Sahatçiu, Isa Qosja etj, në kushtet e reja të lirisë dhe pavarësisë së republikës më të re në Europë, ka gjithë të drejtën të krenohet dhe të nderojë të gjithë kinematografinë e gjuhës shqipe me djemtë e tij më të aftë si Visari së fundmi dhe një grup vajzash të këtyre viteve të kinemasë.
Por Shqipëria, edhe pse natyrshëm në këtë kontribut të vetin modest me një prej producentëve të saj më të mirë, edhe pse patjetër kontribuese si duhet të jetë në filmin shqip në botë dhe rajon, ku e ka kinematografinë e saj?
Dihet se vitet e fundit Kosova ka patur një buxhet për filmin në mbi trefishin e atij të filmit në Republikën e Shqipërisë.
Ngjashëm me lojtarët shqiptarë të suksesit në futboll si Xhaka dhe Shaqiri, kur luajnë dhe shkëlqejnë për Zvicrën, apo ekipet e tyre private, të gjithë me shpirt dhe zemër jemi me ta, por natyrshëm na vjen edhe të mendojmë, a do të kishin ata të njëjtin sukses nqs do të kishin qëndruar dhe rritur në Shqipëri?
Më duhet t’i kërkoj një ndjesë Visarit, që si koleg i tij që ka zgjedhur të jetojë, punojë dhe kontribojë në Shqipëri, nuk u ndala vetëm në urime për punën dhe mundin personal të tij.
Çdo autor në botë e di çdo të thotë sukses i arritur me mund, dhe çdo krijues në botë e di se çdo të thonë vuajtjet infernale të krijimtarisë, të cilat asnjë shtet, asnjë pushtet, asnjë para dhe asnjë fuqi nuk mund t’i lehtësojë, por gjithashtu çdo artist, çdo krijues, çdo autor, çdo sipërmarrës dhe çdo njeri e di kur ka shtetin she shoqërinë në krah, PRO apo kundër tij.
Le të shpresojmë se përvojat e producentëve shqiptarë në këto co-produksione, si dhe i fundit i përmendur më lart, me sado pjesë të kenë kontribuar nga buxheti publik shqiptar për filmat ku marrin pjesë, të mund të iluminojnë sado pak institucionet shqiptare dhe qeverinë në rradhë të parë mbi realitetet kinematografike për të gjithë gjinitë e filmit të sot.
FILMAT ME LUFTË natyrisht në fëmijëri kanë qenë më të preferuarit e mi, ndaj veçova ‘SHTIGJE LUFTE’, prej tyre, si një prej realizimeve më të mira të zhanrit plot aksion dhe suspans.
Piro Milkani, do të mbetet regjisori me ajrin më të kthjellët QYTETAR në filmin shqip, dhe kjo vlen për çdo film të tij si regjisor apo kameraman, imazhin dhe karakteret që ishin arma e tij më e fortë, shoqëruar me diçka akoma më të thellë në film, veshin më të mprehtë.
Një prej “zbulimeve” më të veçanta personale të miat mbi filmin shqip, është se Piro Milkani, ka qenë dhe do të mbetet ndoshta regjisori me ndjeshmërinë më të lartë për kolonën zanore, efektet, gjithçka të ndërtuar në zë dhe AUDIO në filmin shqip.
Pas dokumentarit të fundit të tim eti Mevlanit, mbi Nikolla Zoraqin, Piro Milkani mund të mbetet në rivalitet të fortë në këtë aspekt vetëm me të.
Ndoshta edhe sepse bashkëshort i një prej pianisteve klasike më të jashtëzakonshme me ndjeshmëri ëngjëllore në piano; por kjo mbetet vetë hamendje pasi soundtrack-u dhe sound designi i filmave të Milkanit flet vetë.
Për këtë arsye ndoshta ‘Shtigje Lufte’ do të mbetet një prej filmave më popullorë në Shqipëri.
Ndoshta edhe për shumë arsye të tjera që më mirë se kushdo i dinë shqiptarët vetë dhe ku nuk mungon niveli i madhërishëm i artit të lojës së aktorëve të jashtëzakonshëm shqiptarë, dhe si plus në këtë film, një kolorit i rrallë TIRONS, prej personazheve dytësorë dhe gjuhës së folur nga Robert Ndrenika në plan të parë.
Ndaj me një përshëndetje, përpara se të vijë rradha ndonjëherë për publikun shqiptar të shohë Shabanin e fundit i filmit shqip, fitues në Sundance, ju ftoj të shihni përsëri edhe një herë, si kujtim në filmin e hershëm shqip, të parin Shaban.
P.S. Kisha Ortodokse Autoqefale sapo ndau njoftimin:
E diel, 1 shkurt 2026
E Diela e Doganierit dhe e Fariseut
APOSTULLI – Romakëve 8:28-39.
Edhe e dimë se të gjitha u ndihmojnë për mirë atyre që duan Perëndinë, atyre që janë thirrur sipas vullnetit të tij. Sepse sa njohu që përpara, këta edhe i ndau që përpara që të jenë të njëjtë nga forma me fytyrën e Birit të tij, që të jetë ai i parëlindur ndër shumë vëllezër. Edhe sa ndau që përpara, këta edhe i thirri; edhe sa thirri, këta edhe i drejtësoi; edhe sa drejtësoi, këta edhe i lavdëroi.
Ç’të themi pra për këto? Nëse është Perëndia bashkë me ne, kush do të jetë kundër nesh? Sepse ai që nuk kurseu Birin e tij, po e dorëzoi për të gjithë ne, si nuk do të na i falë ne të gjitha bashkë me atë? Cili do të padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që drejtëson. Cili do të jetë ai që dënon? Krishti është ai që vdiq, po edhe më tepër ai që u ngjall, i cili edhe është në të djathtë të Perëndisë, i cili edhe ndërmjeton për ne. Cili do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Shtrëngim, apo vështirësi, apo vdekje, apo zi, apo lakuriqësi, apo rrezik, apo thikë?
(…)
Po në gjithë këto ne dalim më tepër se fitimtarë me anë të atij që na deshi. Sepse më është mbushur mendja se as vdekje, as jetë, as engjëj, as pushtete, as fuqira, as ato që janë tani, as ato që do të vijnë, as lartësi, as thellësi, as ndonjë gjë tjetër e krijuar nuk do të mundë të na ndajë nga dashuria…

