Kapja e shtetit edhe elitat shpirtshitura !

7 Minuta Lexim
Nga Irena Beqiraj-
Shumica e njerëzve mendojnë se korrupsioni ka të bëjë me një politikan që merr ryshfet, ose një zyrtar publik që përvetëson para. Por ka një formë më të thellë dhe më të rrezikshme të korrupsionit, që është kapja e shtetit.
Ndërsa korrupsioni i zakonshëm administrativ thyen rregullat, kur ndodh kapja e shtetit, korrupsioni i rishkruan ato. Kapja e shtetit është faza kur oligarkët, kompanitë, rrjetet kriminale e shndërrojnë makinerinë e demokracisë në një mekanizëm për pasurimin dhe pushtetin e tyre. Në këtë fazë teknikisht tentohet që aktivitetet korruptive të mbrohen me ligj, edhe qeveria nga një qeveri “për popullin” të transformohet në një kompani që synon maksimizimin e fitimit. Në kushtet kur korrupsioni rishkruan ligjet , qarkullimi i parasë bëhet nevojë edhe braktisja e të mirës publike domosdoshmëri .
Në shtetin e kapur menaxhimi i pronës publike riorganizohet në mënyrë të tillë që shfrytëzimi i pronës publike të kanalizohet vetëm në disa duar duke anashkaluar rregullat e transparencës edhe llogaridhënies. Vetëm vitet e fundit kemi përjetuar me 10 – ra raste ku pa garë, pa transparencë, e pa llogaridhënie , Korporata e Investimeve ka vepruar si një instrument përqendrimi edhe përvetësimi sistematik i aseteve publike.
Në shtetin e kapur, ligji përdoret si instrument nxitës i njëanshëm për transferimin e pronës pa proçedura garuese e pa transparencë nga publiku edhe qytetarët e thjeshtë tek një grup i caktuar kompanish që jo fare çuditërisht janë edhe përfitues të kontratave të tjera publike.
Që nga viti 2015 me anë të ligjit të Investimeve Strategjike qeveria ka trasferuar tek investitorët strategjikë mbi 5.8 km² tokë bujqësore dhe truall kryesisht në zonën e çmuar bregdetare jugore, përmes kontratave të qirasë 1 euro ( pa përfshirë Sazanit dhe Zvërnecin ). Po me ligj është dëmtuar edhe më rëndë prona private e qytetarëve të thjeshtë duke trasferuar atë me vlera qesharake në duar të oligarkëve. Prsh, me anë të ligjit të miratuar përgjatë vitit 2020 “Për menaxhimin e integruar të zonave bregdetare” qeveria u ka hequr pronarëve të tokave në bregdet të drejtën për shitjen apo zhvillimin e lirë të tokave të tyre duke i dhënë shtetit të drejtën e parablerjes të çdo toke private në bregdet ose duke i detyruar pronarët që zhvillimi i tyre mund të bëhet vetëm me kontrata PPP ose si investim strategjik.
Po ashtu në shetin e kapur shtrembërimi i proçedurave të prokurimit kryhet lehtësisht me anë të ndërmarrjeve shtetërore (NSH) të cilat përdoren si instrument për të forcuar lidhjet midis politikanëve dhe aktorëve privatë, duke shërbyer si mjete për legjitimimin e korrupsionit . Shembuj ekselent të përdorimit të ndërmarrjeve shtetërore për të trasferuar prona dhe para publike pa proçedurë tek privati janë Kayo edhe rrjeti i kompanive të krijuara nën të , iniciativa për transferimin e aktivitetit të AKSHIT tek një kompani tregëtare me pjesëmarrje shtetërore , apo AIR ALBANIA e falimentuar tani më .
Ndërsa treguesi përfundimtar i kapjes së shtetit është çmontimi i qëllimshëm i mekanizmave që i mbajnë zyrtarët publikë përgjegjës për menaxhimin e aseteve shtetërore. Kjo përfshin dobësimin e organeve të drejtësisë dhe gjyqësorit.
Kapja e shtetit është mutacioni më i rrezikshëm i korrupsionit: aty korrupsioni qeveris, korrupsioni legjitimon, korrupsioni blen heshtjen . Sa më shumë konsolidohet kapja e shtetit aq më shumë dëmet janë të pakthyeshme , dhe reformat kthehen thjesht në morfinë që qetëson dhimbjet e degradimit .
Por le të jemi të sinqertë , kapja e shtetit nuk është vetëm vepër e individit që drejton shtetin , në fakt janë elitat me veprimet ose mos veprimet e tyre mundësuesit kryesorë të kapjes së shtetit .
Përtej mercenarëve partiakë të Kuvendit , të cilët çertifikojnë çdo ditë kapjen e shtetit, janë gjykatësit , ekonomistët , pedagogët e universiteteve, analistët , gazetarët ekspertët ,emisionet televizive të dedikuara, që ndërtojnë edhe shpërndajnë narrativat që justifikojnë veprimet e kapjes së shtetit . Janë atë që ofrojnë në opinionin publik kornizën ideologjike që justifikon “përdorimin” e institucioneve shtetërore për t’i shërbyer interesave të ngushta.
Po ashtu që aktivitetet korruptive të duken të ligjshme, nuk mjafton Taulanti , Ulsiu, Zeqineja , Sara , Zamira , apo edhe Bajram Bega, nevojitet përfshirja e avokatëve, ekspertëve të politikave konsulentëve për të hartuar legjislacione politika ose transaksione që favorizojnë interesa specifike. E pra janë elitat të cilët hartojnë korniza komplekse, në dukje ligjore, që lehtësojnë transferimin e burimeve publike në duar private.
Sikurse ishin ekspertë ato që u rekrutuan për të mbushur komisionin parlamentar antikorrupsion duke siguruar legjitimin e tij edhe duke maskuar qëllimin e vërtetë të tij.
Jo vetëm nga aftësitë djallëzore individuale të kryeministrit edhe as vetëm për paaftësinë e opozitës për t’u bashkuar në një front , por edhe për pjesëmarrjen aktive të një armate elitare shpirtshitur në kapjen e shtetit, zgjedhjet janë kthyer në rituale boshe, dhe shqiptarët e gjejnë veten duke jetuar në një shtet që duken si demokraci në letër, por në realitet funksionon si kartel.
Shteti i kapur është një përplasje midis vullnetit publik dhe pushtetit politik, një përplasje që nuk mund të injorohet, edhe nuk mund të minimizohet në një detyrë thjesht partiake .
Për t’i shpëtuar pushtimit nga të korruptuarit përtej një opozitë partiake që synon të vijë në pushtet ne kemi nevojë për vullnet publik, për një elitë intelektuale civile e cila është aktive edhe e gatshme të mbrojë me njohuri, besim edhe guxim , nevojën e demokracisë për mirëqeverisje.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull