Lufta, një nevojë sistemike?

5 Minuta Lexim

Nga Dashnor Kokonozi-

Janë mendime që më vijnë sa herë gjendemi në luftë. Sepse nuk e pranoj teorinë që e sheh luftën si të dobishme, madje si domosdoshmëri të zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Përpiqem të kuptoj të krisurit që e duan luftën, me qëllim që, pikërisht te krisjet e tyre, të shoh dritën e qiellit dhe them: “Shtoi, o Zot, të krisurit, se te krisjet e tyre shohim madhështinë tënde dhe kuptojmë veten tonë. !
E di, lufta si nevojë sistemike është një vizion i errët e pesimist i botës, por duhet ditur se ka mjaft ndikim në shumë qarqe. Fenomeni quhet neorealizëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Për filozofët e këtij korrenti, lufta nuk është një aksident, një gabim njerëzor, por një kërkesë logjike e strukturës së botës.
Arsyet pastaj janë të njohura. Edhe pse ekzistojnë shtete funksionale me forca rendi dhe ligje për të zgjidhur konfliktet, kjo nuk e zgjidh problemin e luftës midis shteteve. Sistemi ndërkombëtar është anarkik. Nuk ka një “qeveri botërore” që qëndron mbi shtetet. Për këtë arsye, çdo shtet duhet të sigurojë mbijetesën e tij.
E keqja më e madhe qëndron te një ingranazh i njohur dhe fatal, thonë disa: te dilema e sigurisë. Pra, sa herë që një shtet shton fuqinë e tij të armatosur për t’u mbrojtur, fqinjët shqetësohen dhe bëjnë të njëjtën gjë. Kjo vetëm se rrit mosbesimin midis kombeve. Një incident a konflikt bëhet një arsye për të mos e lënë tjetrin të ngrihet në fuqi, të bëhet më i fortë.
Është histori mjaft e vjetër që njihet me emrin “Kurthi i Tukididit”. Formulimi është ai që thashë: rritja e fuqisë së tjetrit e bën luftën të pashmangshme.
Nuk është se ky vizion ndryshoi me kohë.
Edhe një filozof si Hegeli e sheh luftën si motor të progresit social dhe kohezionit të kombeve, gjë që nuk mund të mos më sjellë ndër mend se disa beteja të famshme shihen si mite themeluese të mjaft kombeve. Kam folur disa herë edhe këtu, në llogarinë time në FB.
Në këtë vizion kuptohet se paqja nuk është veçse një “entracte”. Janë konfliktet ato që përcaktojnë fuqitë e mëdha dhe rregullojnë ekuilibrat botërorë. Gjendja normale, ose të paktën mjeti i fundit i qetësimit të kaosit, është lufta.
Më vjen keq që sjell këtu një vizion të tillë kaq cinik, por shpresoj ta keni kuptuar se nuk është thjesht i imi.
Nëse më pyesni, do të doja që konflikti të zgjidhej si në ato filmat që flasin për grindjet, poteret e deri rrahjet e ndonjë çifti të njohur: pastaj, befas, gjithçka zgjidhet duke shkuar në shtrat!
Vërtet do të doja të ishte kështu edhe në konfliktet midis shteteve, por a e përfytyroni dot z. Trump në një shtrat me Ayatollah Ali Khamenein?
Prit! Nuk është aq absurde sa duket. Me Kim Jong-un-in e Koresë ai nuk e ngre fort zërin, edhe pse ky i fundit nuk po përpiqet të ketë potencial bërthamor, por e ka dhe e forcon çdo ditë. Thonë se i shkruajnë letra dashurie njëri-tjetrit. Të shohim më tej, ta ruajmë shpresën.
Edhe ndaj një despoti si V. Putini, z. Trump sillet si një kotele dhe i shtron qilimin e kuq, ndonëse ky i fundit tri herë në ditë njofton se raketat e reja balistike “Oreshnik” janë të drejtuara ndaj kryeqytetit të tij, madje duke njoftuar “miqësisht” edhe se për to nuk ka asnjë lloj “Patrioti” për t’u mbrojtur.
Pra, e shihni se te të krisurit Perëndia na lejon të shohim dritën e saj dhe të kuptojmë se lufta nuk është aq fatale sa duket; e keqja është te njerëzit!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull