Nga Bahri Cani-
Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan se Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po përpiqet që me ndihmën e “klanit Trump” të rizgjidhet në këtë post, duke u prezantuar “si e preferuara e Trumpit, sepse nuk e ka mbështetjen e shumicës në Kuvend”.
“Kjo mund të ketë sukses, por nuk do të thotë patjer,” shkruan autori i tekstit, Michael Martens.
Presidentja Osmani, “po përpiqet të sigurojë rizgjedhjen e saj si kryetare shteti përmes afërsisë demonstrative me familjen Trump. Por kalkulimi i saj mund të dështojë – edhe pse ajo arriti që Kosova të ishte ndër shtetet që së fundi, në Davos, iu bashkuan “Këshillit të Paqes” të dyshimtë të Donald Trumpit”, shkruan gazeta.
Sipas FAZ, “takimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Davos të Zvicrrës, u bë “pa koordinim me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti.”
Gazeta shkruan se “ishte Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që e ndihmoi Presidenten e Kosovës të arrijë deri te Trump”.
“Osmani u shfaq krenare në Zvicër pranë Presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe që është bërë vendi i saj anëtar themelues i Bordit të Paqes. Hapin e saj për këtë e bëri, sipas informacioneve jozyrtare nga Prishtina, pa u konsultuar me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Përkundrazi, thuhet se ishte Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ai që i hapi rrugën Osmanit te Trumpi. Rama ka qasje te familja e Presidentit amerikan sepse i dha dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, kontratën për një projekt të madh imobiliar me vlerë miliarda në bregdetin e Mesdheut shqiptar. Kryeministri shqiptar nuk e duron Kurtin. Prandaj ai shfrytëzon çdo mundësi për ta forcuar Osmanin si konkurrente të Kurtit”, shkruan FAZ.
Në Davos ka qenë më të njëjtën kohë edhe Kryeministri Kurti, por ai nuk ka qenë në ceremoninë e nënshkrimit të Bordit të Paqes.
FAZ shkruan se Kryeministri Kurti nuk ka lëshuar asnjë fjalë, e asnjë shkronjë në rrjetet sociale për takimin Osmani – Trump, si dhe për faktin se Kosova u bë nënshkruese e “Bordit të Paqes”. Sipas gazetës, Kurti foli vetëm pasi u pyet nga gazetarët në Prishtinë, dhe atë krejt shkurt e zbehtë.
Pas këtyre shkrimeve, kanë reaguar edhe nga Presidenca e Kosovës. Këshilltar i Presidentes Rinor Nuhiu e ka cilësuar “shpifës dhe përgojues” artikullin e gazetarit Michael Martens në FAZ.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Nuhiu ka theksuar se pretendimet e Martens “përbëjnë shpifje, fyerje dhe përhapje të dezinformatave”, të cilat sipas tij, janë “të dënueshme sipas legjislacionit gjerman.”
“Shpifja dhe përgojimi, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e rreme të dukshme nga Michael Martens (i njohur edhe si Andric1961) i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman. Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformimit”, ka shkruar Nuhiu.
Ai tutje ka thënë se presidentja Osmani po konsultohet me avokatë në Gjermani, me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore për të mbrojtur integritetin e institucionit dhe vendit që ajo drejton.
(P. S. Qëndrimet e shprehura në tekst dhe në reagimin e Nuhiut janë të palëve, ndërsa unë vetëm i kam renditur shkrimin dhe reagimin…)

