Nga Dashnor Kokonozi-
Fill pas rrëzimit të shtatores së diktatorit, atëherë kur një kamion mori ta tërheqë zvarrë, për ta lënë pastaj të shtrirë para studentëve greviste, mundëm që bashkë me dy tre kolegë gazetarë, midis të cilëve mbaj mend Shpëtim Ndroqin, ta arrinim te Liceu.
Më tej, duke nxituar pas saj, mbërritëm te godina e famshme, ku ishin mbyllur studentët.
Aty bashkë me ne, vërejta se ishte edhe vetë një nga autorët e shtatores në fjalë, Sali Shijaku. Me të cilin kisha miqësi të vjetër dhe kishim kaluar aq shumë orë në studion e tij, duke biseduar për tema nga më të ndryshmet.
Nën pamjen e tij të qetë e të folurit e bukur e të ngadalshëm, S. Shijaku shfaqte kulturë e njohuri të jashtëzakonshme. Më tërhiqnin konceptet e tij tejet moderne të artit. Edhe pse ndaj modernizmit më dukej se ishte disi skeptik.
E vërteta është se diktatura, para se t’ia besonte një vepër të tillë, kishte tentuar ta afrojë artistin e madh duke i lënë ndonjë post te forumet formale të kohës, gjë që Shijakun nuk e kishte impresionuar shumë.
Pra, u pamë përsëri kur kemi një shtatore të rrezuar te këmbët tona. Nje pune e tij. Por kuptohet, nuk ishte çasti për të vazhduar bisedat e lëna përgjysmë në studio.
Kryefjalë nuk ishte as diktatura, por perspektivat që i hapeshin vendit.
Eshtë diçka tjetër që desha të them. Në mënyrë sistematike kjo ngjarje, rrëzimi i shtatores së një diktatori, më kujton një episod të luftërave për bashkimin e Italisë. Dhe saktësisht atë kur forcat garibaldiane hynë në Napoli dhe po avanconin duke shkatërruar, bashkë me ushtarinë ruajaliste (që sistematikisht dorëzohej) edhe simbolet e saj.
Dikur ata u ndodhën para shtatores së mrekullueshme të Ferdinantit I-rë të Burbonëve, mbretit të Dy Siçelive.
Kur i hodhën litarët ta rrëzonin, u dëgjuan disa zëra:
– Prisni, prisni! Është vepër e Canova-s!
Turma heshti dhe u tërhoq.
Vepra sot është e vizitueshme në një muzeun qendror arkeologjik të Napolit.
Qe përuruar vite më parë, kur A. Canova (që kohë më parë ia kishte cingërrisur nervat Bonapartit me lakuriqësinë e motrës së tij) tashmë ishte një burrë disi i vjetër.
Si ndodhi që për diktatorin shqiptar, nuk u ngrit askush ta mbrojë, as edhe autori i shtatores së tij?
Duket së pari ai si njeri nuk u kishte ngjitur asnjëherë banorëve të Tiranës. Më tej këtë rrethanë e “rëndoi” vetë shtatorja. Ishte disa kaba, e barrëshme, pa folur për një lloj vetëkënaqësie që diktatori mezi e fshihte nga maja e saj, me atë vështrim që shfaqte një siguri të pamotivuar se aty do ta kishim përjetësisht…
Shikoni shtatoret e diktatorëve të Koresë së Veriut dhe më thoni nëse shihni ndonjë ndryshim.
Dua të besoj se kërkesat për të u ishin dhënë tashmë autorëve në linja të përgjithshme.
Prania e z. Shijaku aty, më flet shumë për tërheqjen jo fort magnetike me objektin e veprës së tij.
Tjetra është se Fernandi I-rë i Napolit ishte një tiran i çuditshëm: ai përkrahte shumë shkencat, artin dhe artistët. (Mos e ngatërroni me Ferdinandin II (“mbretin bombë), nipin e tij, kundër të cilit u ngritën edhe arbëreshët, por për hollësi të tilla shihni romanin tim « Shtrati i Prokustit »)
Dhe kjo ndërkohë që në Shqipëri mjaft artistë dhe autorë duhej të prisnin rënien e tiranit dhe të diktaturës që të dilnin nga burgu, të tjerë nuk mund të ngriheshin më nga gropat ku i kishte varrosur! Pa folur për ata, të cilëve nuk u gjenden eshtrat edhe sot e kësaj dite…

