Nga Enver Robelli-
Siç njofton gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në Turqi është ndezur një polemikë mbi një udhëzim të Ministrisë së Arsimit, sipas të cilit në të gjitha shkollat dhe kopshtet e vendit duhet të zhvillohen aktivitete “vullnetare” rreth temës së Ramazanit. Kështu, fëmijët e kopshteve duhet të vizitojnë një xhami me mësuesit e tyre dhe të admirojnë dekorimet me drita, të cilat vendosen në minare gjatë kësaj kohe. Ata duhet të mësojnë se si të sillen në heshtje dhe me respekt në një xhami, dhe pas vizitës të flasin për ndjenjat e tyre.
Kritikët e shohin këtë si shkelje të kushtetutës dhe pjesë së agjendës së Presidentit Rexhep Taip Erdoan për të islamizuar shoqërinë dhe për të rrënuar laicizmin e sanksionuar në kushtetutë. Sindikata liberale e arsimtarëve, Eğitim-İş, u ka bërë thirrje anëtarëve të saj të bojkotojnë udhëzimin e ministrisë. Sindikata pretendon se udhëzimi i Minnistrisë së Arsimit shkel lirinë e ndërgjegjes dhe të bindjeve fetare të garantuara në kushtetutë. Në një njoftim thuhet se do të ndërmerren hapa ligjorë. Partia opozitare laike CHP akuzoi qeverinë për instrumentalizimin e fëmijëve tanë për betejat e tyre ideologjike”. Më tej thuhet: “Prej dekadash, qytetarët tanë praktikojnë dhe ruajnë besimin dhe kulturën e tyre pa pasur nevojë për udhëzime nga një ministri”. Presidenti ka shpallur që para disa vitesh qëllimin për të edukuar një “gjeneratë të rinjsh besimtarë”. Por e kundërta po ndodhë.
Dhjetë për qind e popullsisë tani e konsiderojnë veten ateistë. Përqindja e grave turke që mbajnë shami po bie. Në një sondazh të institutit kërkimor Tepav, në grupmoshën 18 deri në 25 vjeç, vetëm 54 për qind e të anketuarve deklaruan se agjëronin gjatë Ramazanit. Në grupmoshën 55 deri në 64 vjeç, ishin 67 për qind. Në përgjithësi, raporti i shoqërisë ndaj agjërimit është liberalizuar.
Sipas një studimi të institutit kërkimor Konda, vetëm 24 për qind e popullsisë mendon se restorantet duhet të jenë të mbyllura gjatë ditës në Ramazan. Partia në pushtet AKP duket e shqetësuar. Djali i Erdoanit, Bilali, për të cilin flitet se ka ambicie për kryesimin e partisë, kërkoi së fundmi që feja dhe morali të lidhen përsëri më ngushtë me njëri-tjetrin.

