Një referendum shumë i rëndësishëm në Zvicër

2 Minuta Lexim

Nga Enver Robelli-

Më datën 8 mars, në Zvicër mbahet një referendum i rëndësishëm mbi të ardhmen e televizionit dhe radios publike SRG. Qytetarët me të drejtë vote do të vendosin nëse janë kundër apo pro përgjysmimit të buxhetit të mediumit publik. Aktualisht, amvisëritë në Zvicër paguajnë 335 franga në vit për median publike. Iniciatorët e nismës kërkojnë që kjo shumë të shkurtohet në 200 franga për amvisëri. Për këtë arsye, nisma quhet “nisma e përgjysmimit” (“Halbierungsinitiative”).
Radiotelevizioni i Zvicrës ofron informata të cilësisë së lartë. Për unitetin e vendit, mediumi publik është i rëndësishëm edhe për shkak se ofron emisione në katër gjuhët e Zvicrës (gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht). Anketat tregojnë se përkrahësit dhe kundërshtarët janë duke zhvilluar një betejë “kokë më kokë”. Në opinionin publik mendimet janë të ndara. Mbështetësit e nismës thonë se kohërat kanë ndryshuar, se shumë njerëz nuk shohin fare televizion dhe e kalojnë kohën në media sociale.
Kundërshtarët argumentojnë se përgjysmimi i buxhetit të radiotelevizionit SRG do të kishte pasoja të mëdha edhe për unitetin e vendit. Me kursimin e 600 milionë frangave, do të duhej të largoheshin nga puna rreth 3000 punonjës të SRG-së. Cilësia e informacionit do të binte. Një argument tjetër për kundërshtimin e nismës është se qeveria tashmë ka parashikuar zbritjen e kontributit për SRG-në me 17 për qind, nga 335 në 300 franga.
Në debatin zviceran për të ardhmen e mediumit publik, ditë më parë ka ndërhyrë edhe mediumi rus RT DE, kuptohet me pretendime të pasakta. Kjo nuk është arsyeja e vetme për të hedhur poshtë këtë nismë, e cila nga shumë publicistë me ndikim konsiderohet si shumë radikale. Në demokraci, çdo votë është me rëndësi. Votuesit tashmë i kanë pranuar fletëvotimet me postë dhe mund të votojnë. Më 8 mars, në mbrëmje, do të dihet epilogu.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull