Nga Irena Beqiraj-
Kjo pyetje shpesh shqiptohet si pyetje retorike por , edhe e ngarkuar me një dozë të madhe zhgënjimi sikur largimi i vullnetshëm të nënkuptonte brishtësi, dështim ose mungesë qëndrueshmërie.
“Ah sikur njerëzit e mirë të kishin duruar ca më shumë , të kishin qëndruar ca më gjatë; të kishin mësuar të luanin lojën , nuk do të ishim dëshmimtarë të rrënimit të politikës edhe lidershipit në këtë derexhe ” ky është arsyetimi me të cilin përballem sa herë flas për largimin vullnetar nga qeveria .
Por ky këndvështrim keqkupton problemin. “Njerëzit e mirë “nuk u larguan nga politika sepse nuk mund të përballonin presionin. Ata u larguan pasi kuptuan se çfarë shpërblente e çfarë ndëshkonte në heshtje sistemi i ngritur .
Kur flas për “njerëz të mirë”, nuk nënkuptoj as shenjtorë e as superheronj, por me dhjetra individë të larguar sepse vendosën të drejtohen nga parimet jo nga statusi, fama ose pushteti. Njerëz që përjetuan shqetësim të vërtetë kur ju kërkohej të shkëmbenin integritetin me përshtatshmërinë politike; njerëz që sapo vunë re se hendeku midis retorikës publike dhe sjelljes së qeverisë nuk mund të njorohej reaguan .
Në qeveritë e rilindjes pa asnjë përjashtim që tek e para e deri tek e fundit integriteti lëvdërohet retorikisht, por nuk mbrohet institucionalisht. Nëse kundërshton je naiv ose më keq konfliktual; nëse ngre shqetësime etike, të thuhet”që ende nuk e kupton se si funksionojnë gjërat” . Aty zotësia lidhet me aftësinë për të toleruar sjelljet që janë tërësisht të papranueshme. Aty zotësi do të thotë të mësosh të ulesh në takime ku vendimarrjet nuk drejtohen nga interesi publik por nga pozicionimi personal në lidhje me liderin ; do të thotë të pranosh që rezultatet kanë më pak rëndësi se mbijetesa.
Ata që për hir të suksesit masterizuan “këto zotësi” mbijetuan . Ata që i refuzuan këto zotësi edhe publikisht u etiketuan si mosmirënjohës apo tradhtarë të familjes politike .
Tragjedia e njeriut në politikë nuk është se ai di gjithnjë e më pak për kuptimin e jetës së tij, por se kuptimi i jetës e shqetëson atë gjithnjë e më pak.
E pra , largimi nga politika nuk është një heqje dorë, por një akt integriteti. Jo të gjithë janë të destinuar të mbijetojnë në mjedise ku fleksibiliteti moral shpërblehet edhe vlerësohet mbi qartësinë morale.
Sa mirë që ka akoma ndër nesh njërëz që refuzojnë të mbijetojnë në këto mjedise!

