E them pa dorashka, që përgjigja e tij më ka befasuar dhe kënaqur, më ka frymëzuar dhe vënë në mendime, sikurse më ka bindur akoma më tepër në të vërtetën universale për vlerat e krijimtarisë letrare, që nuk ka çmim lokal, kombëtar apo botëror t’i përcaktojë, vlerësojë dhe veçojë nga vlerat e krijimeve të tjera mbetur pa çmime dhe shpërblime.
Ftoj në veçanti miqtë dhe jo miqtë e penës ta lexojnë këtë letër-mesazh universal!
Thodoris Tsomidis: Pse refuzova Çmimin Shtetëror të Letërsisë
Vijon e plotë letra e shkëlqyer që u botua në LIFO.
“U njoftua se më është dhënë çmimi shtetëror i letërsisë në kategorinë e autorit debutues për librin tim “Lindja”. Nuk njoh personalisht asnjë nga anëtarët e jurisë, por e vlerësoj veprën e tyre shumëplanëshe dhe kontributin e rëndësishëm që kanë dhënë në letërsinë tonë. Ndaj jam shumë i emocionuar dhe gëzohem sinqerisht për leximin e tyre dashamirës dhe për vlerësimin kritik që më drejtojnë.
I falënderoj të gjithë përzemërsisht për kohën që i kushtuan tekstit tim, për gjykimin e tyre të thelluar siç pasqyrohet në arsyetimin e komisionit, si dhe për synimin e tyre për të inkurajuar përpjekjen time letrare. Megjithatë, do të këmbëngul në refuzimin tim për të pranuar çdo çmim letrar.
Këtë qëndrim timin e shpreha publikisht që në maj të vitit 2025, kur emri im u përfshi në listën e shkurtër të çmimeve të revistës “Anagnostis”. Në letrën përkatëse, e cila u botua në faqen e internetit të revistës “Neo Planodion”, e kisha arsyetuar refuzimin tim si më poshtë:
“Mënyra se si e konceptoj shkrimin nuk përputhet me çmime, lavdërime apo nderime. Çmimet i shërbejnë një logjike hierarkizimi, performance dhe garimi, e cila i përshtatet më shumë sportit sesa letërsisë. Për më tepër, çdo çmim për një autor debutues është një çmim i parakohshëm.
Shumica e njerëzve e perceptojnë institucionin e çmimeve letrare si një mjet promovimi dhe nxjerrjeje në pah të letërsisë, një rast për të folur për ato që duam tek ajo. Dhe ndoshta vërtet është kështu. Megjithatë, me refuzimin tim dua të kujtoj se ajo që e quajmë letërsi nuk ushqehet nga njohja dhe suksesi, sepse letërsia është një çështje pa fitues.
Se fatet e një shkrimtari nuk varen nga fakti nëse ai do të arrijë të njihet, por nga fakti nëse do të mund të përballojë të mos marrë asnjë njohje.
Se historia e letërsisë është e mbushur me dështime, ndonjëherë edhe madhështore, të cilat u treguan më përcaktuese se shumë suksese.
Se letërsia u formësua jo vetëm nga shkrimtarët që u lexuan dhe u lavdëruan në kohën e tyre, por edhe nga shumë të tjerë që u shpërfillën ose u kritikuan dhe u hodhën poshtë.
Se letërsia ka kohët e saj, e kapërcen aktualitetin dhe është e mbushur me libra që u harruan për t’u rizbuluar më vonë.
Besoj gjithashtu se shkrimtarët nuk përfitojnë nga çmimet. Vepra e tyre nuk do të bëhet as më e mirë, as më e keqe për shkak të një çmimi. Dhe asgjë nuk e minon më shumë një përpjekje krijuese sesa nevoja e brendshme për t’i pëlqyer, një jurie, një publiku të përgjithshëm e të paqartë, apo kujtdo tjetër. Çdo gjë që ushqen këtë nevojë të brendshme dhe ky është një funksion i pashmangshëm i çdo çmimi, krijon kushte për kompromis përballë lloj-lloj normave, pushteteve dhe duartrokitësve. Madje, për një njeri që nis aventurën e tij në rrugën e shkrimit, një shpërblim, i shoqëruar me lavdi të përkohshme, njohje kalimtare dhe ndonjë shpërblim të vogël, mund të shtrembërojë të vetmet motive që janë të afta të mbështesin rrugëtimin e tij të vetmuar në thellësi të kohës: nevojën për shprehje të sinqertë dhe gëzimin e krijimit.
Besoj, së fundi, se as lexuesit nuk përfitojnë nga institucioni i çmimeve. Flas për ata lexues që rrinë zgjuar natën mbi libra, për bashkësi leximi që ushqejnë diçka përtej vetëpëlqimit të tyre, për miqësi që mbajnë gjallë librari të vogla, revista letrare, faqe interneti dashamirëse të librit, shtëpi botuese të improvizuara. U referohem të gjithë atyre për të cilët letërsia bëhet, në fund, ajo që është edhe për shkrimtarin: ethe këmbëngulëse dhe adhurim i paligjshëm, aventura më e çmendur e mendjes, endja më e pamundur në një pyll të magjepsur e të errët pa asnjë kthjellim.
Këta lexues nuk kanë asgjë për të fituar nga listat e gatshme që u ofrohen. Endja e tyre është po aq e vetmuar sa ajo e shkrimtarit. Ata kërkojnë të ndeshen me diçka të papërcaktuar që tashmë ka përndjekur brendësinë e tyre dhe asnjë zgjidhje e gatshme nuk do ta qetësojë ankthin e tyre.
Besoj me bindje të palëkundur se edhe pa çmime çdo lexues do të takohet përfundimisht me librat që janë shkruar për dikë si ai, edhe nëse kalojnë shumë vite derisa kjo të ndodhë. Tani flas edhe si lexues. Si lexues i librave të pambrojtur, që krejt papritur, pa dafina e pa çmime, me të vetmen trashëgimi gjurmën që lanë në zemrat e lexuesve të tyre, arritën një ditë edhe në duart e mia për të thelluar gjurmën e letërsisë brenda meje.
As dhënia e një çmimi dhe as, sigurisht, refuzimi i tij nuk shton apo heq asgjë nga vlera e një libri. Vazhdoj të admiroj me të njëjtën intensitet dhjetëra shkrimtarë që e kanë pranuar shpërblimin e tyre. Admiroj gjithashtu shumë të harruar, që u refuzuan, që nuk dhanë kurrë intervistë, që panë librat e tyre të shkëlqyer të mos shiteshin, të mos ribotoheshin, të shkonin për t’u bërë letër e ricikluar apo të qarkullonin fshehurazi, dorë më dorë, mes bashkëautorësh dhe miqsh. Dhe megjithatë vazhduan të shkruanin, duke i shërbyer atij ngulmimi të zjarrtë që ndriçon netët e tyre.
Dhe si për ata që e pranojnë, ashtu edhe për ata që e refuzojnë institucionin e çmimeve, vlen e njëjta gjë: në fund do të mbeten vetëm shkrimet tona, që të vihet në provë qëndrueshmëria e tyre në kohë dhe në leximet e vazhdueshme”.
Mendoj se mendimet e mësipërme, të cilat i kam paraqitur së fundmi në një rrethanë të ngjashme, shpjegojnë mjaftueshëm edhe refuzimin tim të sotëm për të pranuar çmimin që me dashamirësi më është dhënë.
Falënderoj edhe një herë të gjithë ata njerëz që besuan dhe e inkurajuan këtë përpjekje timen në shkrim.
Me respekt,
Thodoris Tsomidis
Përkthimi në gjuhën shqipe:
@Edmond-Andrea Shallvari
Burimi:

