Nga Marin Mema-
Në 26 janarin e vitit 1999 djaloshi u kthye për herë të fundit në shtëpinë e tij… Prej disa vitesh jetonte mirë në Angli… punonte, gëzonte, ruante e ndihmonte edhe familjen në Shqipëri! Në 26 janar, një ditë e ftohtë… ai u shfaq në portën e shtëpisë pa lajmëruar nënën e babain. Kish mall për ta, mall që dallohet në këto fotografi të po asaj mbrëmje! Djaloshi u përqafua, qëndroi me ta, foli e diskutoi si në kohët e vjetra, hoqi sadopak mallin…
Të nesërmen u çua herët, sepse siç u tha prindërve, do të shoqëronte dy gazetarë britanike! Në fakt nuk ishte e vërtetë…. Ai kishte marrë një vendim!
Djaloshi kishte vendosur të shkonte në luftë, në Kosovë, mes rradhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Nënës e babait nuk u tha asgjë! Nuk donte që ata të kalonin netë të gjata pa gjumë, me sytë e zemrën plot brengë.
Në mëngjesin e 27 janarin ai doli nga porta e shtëpisë… I përqafoi sërish prindërit me premtimin se shpejt do të kthehej! Zbriti ngadalë dhe u nis drejt Tiranës… nga aty drejt pikës së mobilizimit në Kukës e pak javë më pas drejt frontit.
Ai u vendos në frontin e parë… qëndroi, u përball e luftoi si një luan i vërtetë… deri në 31 mars 1999. Në atë ditě të mërkurë me luftime të ashpra, goditja e pabesë e një minahedhësi i shkaktoi vdekjen! I riu asokohe vetëm 28 vjeçar, ra në fushëbetejë! Djaloshi quhej Indrit Cara, “Ushtar Kavaja”… ai ra për të mos vdekur kurrë!

