Ka qenë këshilltar diplomatik i kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë kur po ngrihej gjykata speciale në Kosovë. Ralf Gjoni kujton debatin brenda institucioneve shqiptare që lidhej me dilemën për të kundërshtuar apo jo ngritjen e kësaj gjykate e cila sot ka vënë në bankën e të akuzuarve komandantët e UÇK-së. Ralf Gjoni flet për dilemat e Ilir Metës asokohe kryetar Kuvendi por edhe për presionin e ndërkombëtarëve për të mos e kundërshtuar ngritjen e kësaj gjykate.
Ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare, Gjoni flet për një rol të munguar të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare në mbrojtje të komandantëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte. Ai thotë se kjo gjykatë e ngritur në mënyrë të dyshimtë si pasojë e lobimit ruso-serb dhe e neglizhencës së faktorit shqiptar, po i mban peng udhëheqësit e luftës për liri të Kosovës, një faqe e ndritur në historinë e shqiptarëve.
Sot Kosova feston 18-vjetorin e pavarësisë, një rrugëtim plot sfida, dështime dhe suksese por çfarë e rrezikon më shumë është ndryshimi i narrativës së origjinës së këtij shteti, të luftës për liri. Një rrezik që i vjen pikërisht nga kjo gjykatë speciale e ngritur sipas Gjonit nga disa zyrtarë ndërkombëtarë të cilët sot shfaqen të komprometuar në dosjen e pedofilit të famshëm amerikan Epstein. Në kohën kur njëri prej tyre vinte në Shqipëri për takime diplomatike, ndoshta edhe për presion për të mos refuzuar gjykatën speciale, i dërgonte pedofilit haberin se në Tiranë paska vajza të bukura. Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare i sugjeron Ministrisë së Jashtme të shpallë non grata të gjithë ata zyrtarë të Brukselit apo entiteteve të tjera që u angazhuan në ngritjen e kësaj gjykate speciale që po njollos padrejtësisht luftën për liri të shqiptarëve të Kosovës.

