Nga Dashnor Kokonozi-
Sa herë që ndonjë kanal i madh evropian jep një dokumentar për Shqipërinë, hidhem menjëherë ta shikoj. Sigurisht, në origjinë të kësaj pune është patriotizmi im i madh, thuajse patologjik (mes shqiptarësh më shijon të shaj pak, por jashtë kufijve të saj nuk lejoj të më shajnë as evgjitët e dikurshëm të Shqipërisë, as komunistët, madje as qeverinë).
Dokumentari që dha mbrëmë kanali franko-gjerman Arte ishte dyfish interesant për mua: fliste për zonën e Pukës, ku në të vërtetë kurrë nuk kam ndaluar ndonjëherë, gjithmonë më ngjallte një trishtim të zymtë ai qytet, por që në imagjinatën time emri i saj më ndjek si një vegim apostolik. Kjo sepse më mahnitin edhe sot e kësaj dite relacionet e Frang Bardhit për këtë zonë ku ai ka ushtruar funksionet e tij shpirtërore.
E di që shumë nga kolegët e mi nuk mendojnë si unë, por F. Bardhin e mbaj vërtet si një nga shkrimtarët dhe “analistët” më të shkëlqyer që kam lexuar. Raportet e tij për këto zona janë vepra letrare, sociologjike (para se të lindte si shkencë) përveçse monumente të patriotizmit të thellë (edhe pse kjo fjalë është fëlliqur sot).
Tani, që të mos keqkuptohemi, në dokumentar nuk u përmend askund Bardhi. Ai fliste për dy murgj që vepronin në një qendër të tyren në Fushë-Arrëz. Ishin gjermanë dhe të paktën njëri prej tyre fliste shqip. Burrë fort simpatik. Jeremia quhej.
Kamera që ndiqte veprimtarinë e tij zbulonte se sa shumë na ka mashtruar propaganda qeveritare për gjendjen reale të atij vendi. Të paktën ne që nuk jetojmë aty.
Murgu Jeremia kishte formim të mirë mjeksor dhe e fillonte ditën duke vizituar dhjetëra njerëz të varfër që prisnin në radhë se nuk kishin ku të shkonin për t’u treguar dhimbjet. U jepte edhe ilaçet e duhura falas dhe pastaj merrej me shpërndarjen e miellit, rrobave, veshjeve, lodrave për fëmijë që vinin nga Gjermania etj. Radha zihej që me natë.
Më tej, i hipte makinës (në një rrugë ku për të bërë 40 km duheshin dy orë), që të vizitonte dhe t’u shpërndante ilaçe njerëzve të braktisur e të sëmurë thellë në malësi, njerëzve të moshuar që kurrë nuk u vinte njeri t’i vizitonte, njerëzve të varfër që sigurisht e dinin se Shqipëria ka edhe ajo një qeveri, por që kurrë nuk e kishin ndjerë praninë e saj në hallet që kishin (sipas fjalëve të tyre, me zë direkt).
“Në Evropë flitet edhe për problemet e Bullgarisë apo të Rumanisë,” tha diku Jeremia, “por ato nuk janë asgjë në krahasim me mjerimin këtu.”
Duke u marrë me hallet ekonomike dhe sëmundjet e atyre njerëzve të braktisur, ata thuajse e kishin harruar përse kishin ardhur aty, misionin e tyre shpirtëror. Megjithatë, në fshatrat përreth kishte edhe rreth 30 kisha, ku ata herë pas here shkonin për ndonjë meshë. Po ç’të thuash? Para se të fillonin të lexonin diçka nga librat e shenjtë, ndihmësi i fratit – frat edhe ai vetë – pastronte kishat nga “krimbat, mizat e akrepat” (sipas tij). Dhe të pranishëm në meshë nuk ishin më shumë se tre-katër gra të moshuara dhe nja dy të tjera disi më të reja.
Gjithçka po vdiste në ato anë.
Bashkë me njerëzit po vdiste edhe feja e tyre. Ajo që me përpjekjen e gjakun e burrave si F. Bardhi, u mbijetoi edhe sundimeve të gjata!
Edhe vetë shtëpitë e kullat po vdisnin. Murgjit pranonin t’i restauronin edhe ato dhe bënin atë që duhej të bënin oligarkët vendas dhe qeveria shqiptare. Atyre që u afroheshin për ndiihmë, ata u kërkonin vetëm nje gjë, t’u jepnin “fjalën e burrit” se nuk do t’i braktisnin shtëpitë pasi të bëhej restaurimi. Për këtë mjaftonte një shtrëngim dore. “Detyrohemi t’u kërkojmë fjalën e nderit,” thoshte frati, “sepse deri tani kemi restauruar shumë shtëpi e kulla të cilat pastaj banorët i kanë braktisur. Janë shpenzime të mëdha dhe materiale të shumta që i sjellim nga Gjermania.”
Njerëzit e fesë nuk kanë atdhe. Dhe këta djem aq simpatikë, që në shtysën e një frymëzimi hyjnor kishin braktisur vendin e tyre për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në hall, mua nuk mund të mos më sillnin ndër mend Frangun e Bardhë.
Edhe ai kishte bërë po aq, madje edhe më shumë, që këto fshatra të mos zhdukeshin, që aty të vazhdonte jeta, të ruanin fenë e tyre edhe për gati gjysmë mijëvjeçari më tej. Tani ishte Jeremia (priftërinjtë shqiptare kam degjuar se jane shnderruar në analistë poltike), me një mision po aq social e shpirtëror, por dukej qartë se gjithçka ishte drejt fundit.
Mungonte vetëm një nga ato njoftimet standard qeveritare të tipit “Dhe me këto pamje të bukura… nxitoni të vizitoni ato fshatra ku po vdes një trashëgimi mijëravjeçare shpirtërore.

