Nga Prof. Asoc. Dr. Enkelejd Mëhilli
Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten një nga sfidat më serioze të sigurisë publike në Shqipëri. Përditë, kronikat televizive dhe njoftimet zyrtare raportojnë ngjarje me pasoja të ndryshme, nga lëndime të lehta deri në humbje jetësh. Ky fenomen nuk është thjesht një çështje qarkullimi, por një problem kompleks, me ndikim të thellë në shëndetin publik, në mirëqenien sociale dhe ekonominë e vendit.
Në rang global, Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se çdo vit humbin jetën rreth 1.2 milion persona nga aksidentet rrugore, ndërsa 20 deri në 50 milion të tjerë mbeten të plagosur, shpesh me pasoja afatgjata dhe paaftësi të përhershme. Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend shqetësues. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm në periudhën janar–tetor 2025 janë regjistruar 1.144 aksidente rrugore, ku rezultojnë të prekur 1.605 persona (të lënduar dhe të vdekur). Në shkurt 2026 u regjistruan 97 aksidente me 125 persona të përfshirë, disa prej të cilëve fatkeqësisht humbën jetën. Gjatë muajit shkurt 2026, 86.6% e aksidenteve rrugore janë shkaktuar nga sjellja e drejtuesve të mjeteve ndërsa pjesa tjetër nga sjellja e këmbësorëve.
Përtej pasojave njerëzore, aksidentet përkthehen në një barrë të rëndë ekonomike. Vlerësimet ndërkombëtare tregojnë se vendet me të ardhura të mesme, ku përfshihet edhe Shqipëria, humbasin nga 1 deri në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) si rezultat i dëmeve materiale, trajtimeve shëndetësore, humbjes së produktivitetit dhe kostove afatgjata të rehabilitimit. Gjithçka përbën një cikël që dëmton individin, familjen, sistemet shtetërore dhe gjithë shoqërinë.
Analiza e strukturës së aksidenteve tregon se sjellja e drejtuesve të mjeteve mbetet arsyeja kryesore e tyre, dhe se moshat më të prekura janë 25–34 vjeç. Këta janë të rinj dhe të rritur në kulmin e jetës së tyre profesionale e sociale, dhe humbja ose dëmtimi i tyre përfaqëson një goditje të madhe për familjet dhe për shoqërinë. Me gjithë rënien e lehtë të aksidenteve krahasuar me vitet e mëparshme, numrat vazhdojnë të mbeten të lartë dhe tregojnë një problem që ende nuk po trajtohet në mënyrë të qëndrueshme.
Pasojat e aksidenteve nuk kufizohen vetëm te lëndimet fizike. Shumë të mbijetuar përballen me trauma psikologjike, ankth, stres post-traumatik dhe ndryshime të rënda në cilësinë e jetës. Sistemi i shërbimeve psikosociale në Shqipëri ka bërë përmirësime, por ende nuk përmbush nevojat e perosnave që kanë nevojë për ndjekje afatgjatë, mbështetje emocionale dhe programe rehabilitimi. Në këtë situatë, shteti ka përgjegjësi dhe detyrime të qarta. Autoritetet duhet të planifikojnë në kohë nevojat për trajtim shëndetësor dhe rehabilitim, të krijojnë programe të asistencës psikosociale, të mbështesin të dëmtuarit në rikthimin në punë dhe të zhvillojnë politika që lehtësojnë integrimin e tyre në jetën sociale dhe ekonomike. Një qasje e tillë është thelbësore për të shmangur izolimin social të të mbijetuarve dhe për t’u rikthyer atyre dinjitetin dhe autonominë.
Parandalimi i aksidenteve është akoma më i rëndësishëm sesa trajtimi i pasojave. Përvojat ndërkombëtare tregojnë se një qasje e integruar, ku marrin pjesë policia, institucionet e qeverisjes vendore e qendrore, sistemi arsimor, shëndeti publik, shoqëria civile dhe sektori privat, sjell rezultate të prekshme brenda disa vitesh. Edukimi i hershëm mbi rregullat e qarkullimit, ndërgjegjësimi i popullsisë mbi rreziqet e përdorimit të celularit gjatë drejtimit, kufizimi i alkoolit dhe substancave të tjera, përdorimi i rripit të sigurimit dhe respektimi i shpejtësisë janë hapa të domosdoshëm, por kërkojnë fushata të vazhdueshme dhe jo rastësore.
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, sinjalistika e qartë, korsitë e biçikletave dhe lehtësimi i transportit publik përbëjnë gjithashtu elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e aksidenteve.
Por, krahas këtyre masave parandaluese, vendet me përvoja të suksesshme kanë aplikuar edhe politika ndëshkuese shumë më të forta për shkelësit e rregullave. Në disa prej tyre, si Norvegjia dhe Finlanda, gjobat përcaktohen në bazë të të ardhurave individuale, me qëllim që të dëmtojnë realisht drejtuesit që rrezikojnë jetën e të tjerëve. Në Norvegji, numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore është ulur me mbi 40% gjatë viteve 2013–2023, ndërsa vetëm në vitin 2024 vendi regjistroi 16 viktima për çdo një milion banorë – një ndër nivelet më të ulëta në Europë. Paralelisht, në qytete si Oslo dhe Helsinki, numri i këmbësorëve dhe çiklistëve që humbin jetën është reduktuar ndjeshëm, madje në disa vite është ulur në zero. Ekspertët nordikë theksojnë se për të arritur rezultate të tilla është e domosdoshme “që jeta t’u bëhet më e vështirë drejtuesve të automjeteve”, përmes rregullave të rrepta dhe zbatimit rigoroz të tyre.
Por edhe këmbësorët, çiklistët dhe përdoruesit e mjeteve alternative, si monopatinat, duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit. Përdorimi i telefonit, kalimi i gabuar i rrugës apo mungesa e kujdesit janë shkaqe të zakonshme aksidentesh. Për këtë arsye, disa vende kanë vendosur sanksione të posaçme edhe për këto kategori. Shteti shqiptar duhet të mendojë politika të ngjashme me qëllim krijimin e një kulturë të re të sigurisë rrugore. Implementimi i gjobave dhe për këtë kategori është e nevojshme sëbashku me fushatat ndërgjegjësuese dhe edukimi e vazhdueshëm të popullatës.
Aksidentet rrugore nuk janë thjesht statistika. Pas çdo shifre qëndrojnë njerëz me histori, familje dhe ëndrra të ndërprera. Rrjedhimisht, siguria rrugore duhet të trajtohet si një prioritet kombëtar, dhe jo si një temë sezonale. Shqipëria ka potencial të ndjekë modelet e vendeve të suksesshme evropiane, por kjo kërkon një ndërthurje të fortë mes politikave të drejta, edukimit qytetar dhe zbatimit të vazhdueshëm të rregullave.
*Doktor Shkencash në Politika Shëndetësore. Dekan, Fakuleti i Shëndetit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

