“Asnjë komb nuk ka nevojë më tepër se ne për liri mendimi…”

8 Minuta Lexim
Nga Joni Shanaj-
“Asnjë komb nuk ka nevojë më tepër se ne për liri mendimi…”
— Nonda Bulka (Bota e re, 1936)
Së fundmi, me një grup të vogël artistësh vizualë po ndërtojmë bazat e punës sime të ardhshme, që përfshin edhe pjesë nga vepra e një prej piktorëve më të mëdhenj të Shqipërisë.
Shqipëria ka qenë dhe është vend i piktorëve të mëdhenj, muzikantëve dhe poetëve – dhe në shekullin e 20-të edhe një vend i vogël me ekran të madh. Por Shqipëria kinematografike nuk është Francë.
Në Francë, më thotë Dominique, sot nuk ka mbetur më asnjë njeri me talent. Kanë ikur të gjithë. Franca është një “Grand Merde”. Të gjithë më të talentuarit, krijuesit, ata të artit, dizajnit, modës, sipërmarrjes dhe industrisë – kanë ikur dhe e kanë braktisur.
Mund të ketë të drejtë. “Mua”, thotë, “Franca më takson punën me 42%”. Dhe i fut një të sharë aq të bukur, sa më shtohet bindja se për të sharë nuk krahasohet askush me një francez. Pardon my French.
Bëjmë gallatë shumë mes muhabetit, kështu që nuk dihet gjithmonë pse e ka marrë inat Francën në të vërtetë… dhe e mbyllim me kaq.
“Gjithë familjen e kam në Paris”, më thotë. E vetmja kohë e artë e papërsëritshme për Francën dhe botën, pranojmë se ka qenë ‘Siècle des Lumières’– Shekulli i Iluminimit (1680–1789) aka “Century of Lights”.
Me Chateaubriand si e ke marrëdhënien? – e pyes unë. Se unë atë dua tani… dhe Villiers de l’Isle-Adam.
“Po, po”, thotë, “por për mua më i madhi është Montesquieu”.
Ia kthej: unë si emrin më të madh francez njoh një – ‘Montaigne’. Në fund të fundit, unë jam shqiptar.
Ajo që na bashkon është kjo: kushdo që ka ditur të krijojë diçka, në çdo fushë – shkencë, art, biznes, muzikë, modë, industri – asnjë sistem, rend apo regjim nuk e ka penguar dot përgjithmonë. Shoqëritë ndihmojnë ose jo. Ka liderë të iluminuar, ka edhe qorrë. Por krijimin e lirë njerëzor askush nuk e mbyt dot.
Këtë e di çdo njeri që unë e quaj mik, duke filluar nga Dominique dhe çdokusj brenda grupit të vogël me të cilin punoj sot.
Sepse vëllazëria jonë nuk është e vogël dhe nuk ka nevojë për emër.
Dil në një udhëkryq qiellor dhe ujit një trëndafil. Të tillë janë dhe do të jenë me njëri-tjetrin njerëzit e lirë. Dhe ju siguroj: ata nuk janë kurrë të dobët në këtë botë.
Etj. etj. muhabet… deri sa vjen një kamarier italian që na njeh dhe e thërret: “Napoleon, si je? Qu’est-ce que tu fais ici?”
Shqipëria e sotme, me natyrën më të bukur në botë, mund të ketë një pozicion të ri në vitet që vijnë. Disa prej nesh që i kemi dedikuar jetën krijimtarisë dhe lirisë, prej dekadash kemi integruar gjithçka tonën me botën e hapur.
Shqipëria, përtej ulje-ngritjeve të veta, do të jetë një vend i mirë për të jetuar çdo njeri me mend – vendi me klimën më të mirë dhe popullin europian më liberal. Mund të ketë probleme, por në vijim do të jetë i lirë. Sepse nga liria jonë do të përfitojnë shumë edhe të tjerë.
Nuk ndalen shqiptarët që nuk pranojnë të paguajnë më shumë se 10% taksë. Dhe së shpejti do të imponojnë edhe amnisti për çdo mëkat, qoftë edhe me koston e mos-hyrjes në BE.
Edi Rama i përket brezit tonë, që krijon urë mes dy epokash. Por vendi duhet çliruar nga deliret e mini-tiranëve.
Prandaj them prej vitesh: për balancë, çdo taksë për krijuesit, artin, kulturën, muzikën, arsimin dhe letërsinë duhet hequr përfundimisht në Shqipëri. Një popull që ka vetëm pak më shumë se 100 vjet që shkruan gjuhën e tij, ia ka borxh këtë krijuesve të vet – dhe pastaj çdo njeriu të lirë që zgjedh të jetojë e të kontribuojë këtu.
Shqipëria mund të tërheqë njerëz të lirë nga e gjithë bota, por së pari duhet të mësojë të respektojë krijuesit e paktë e seriozë që ka.
Në 12 vitet e mësimdhënies në Universitetin e Arteve, problemi nuk ka qenë varfëria apo mungesa e formimit. Vështirësia më e madhe është të gjesh motivim te të rinjtë për të punuar seriozisht dhe për t’u zhvilluar si njerëz.
Shqipëria e drejtuar nga bij spiunësh e sigurimsash mund të krijojë në maksimum patronazhistë dhe skllevër të disiplinuar, por nuk jep frymëzim. Për këtë duhet ndryshuar shumëçka.
E sigurt është një gjë: askujt prej nesh me pak mend në kokë nuk i plas më sa mandate kanë njëri apo tjetri. Të dy palët politike janë kthyer dorë për dore kundër të gjithë neve të tjerëve që nuk duam të jetojmë më në plagë.
Në librin e kujtimeve të Ismail Qemalit, botuar në Angli nga gazetari i Daily Mail me emrin shumë interesant ‘Sommerville Story’, tregohet një episod që po e sjell më poshtë:
Sommerville Story bisedoi gjatë me Ismail Qemalin në periudhën kur shqiptari ndodhej në mërgim në Paris, gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe e ndihmoi të hidhte në letër kujtimet.
Libri u botua pas vdekjes së tij, në vitin 1920, me titullin “The Memoirs of Ismail Kemal Bey.”
Ndër të tjera, Ismail Qemali rrëfen vizitën e tij për të disatën herë në Britaninë e Madhe, kur, i ftuar nga disa miq, u nis për herë të parë për në Skoci.
Udhëtoi me tren, takoi shumë skocezë e kaloi kohë të këndshme me ta.
Por në fund, siç tregon me humor, miqtë e “gënjyen” për orarin e trenit të kthimit: i thanë se treni për në Londër kishte ikur, gjë që nuk kishte qenë e vërtetë.
Donin medoemos që të qëndronte edhe një ditë më shumë mes tyre, sepse prisnin miq të tjerë që ishin rrugës pêr Edinburg dhe dëshironin ta njihnin.
Deri në atë ditë, siç shpjegon Ismail Qemali, ata nuk kishin parë kurrë një njeri oriental.
Shqipëria e sotme në anën e saj, me natyrën më të bukur në botë, do të ketë një pozicion të ri vitet në vijim.
Kjo nuk do të ketë më as diskutim e as kthim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull