Nga Aleksandër Çipa
Në diplomacinë ndërkombëtare, tronditjet sizmike gjeopolitike dhe luftrat komplekse, e bëjnë edhe më të domosdoshëm dialogimin intensiv dhe bisedimet mes aktorëve të fuqishëm dhe atyre potencialë.
SHBA dhe Kina dukshëm, gjatë këtyre ditëve të fundit, kanë paralajmëruar një agjendë emergjence dhe njëherësh po sendërtojnë një gjuhë për kalendar bisedimesh dhe takimesh në nivel të lartë ndërshtetëror.
Zyrtarisht është njoftuar për një takim të mundshëm mes Presidentit Xi Jinping dhe atij amerikan Donald Trump.
zv/kryeministri kinez He Lifeng dhe sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent u takua në Paris/Foto nga VCG
Në mesin e këtij muaji takimi i zv/kryeministrit kinez He Lifeng dhe sekretarit amerikan të Thesarit Scott Bessent, në Paris, sipas njoftimeve zyrtare, zhvilluan shkëmbime, konsultime të thelluara dhe konstruktive mbi çështjet ekonomike dhe tregtare me interes të ndërsjellë.
Ndërkohë sipas deklarimeve bilaterale ekziston një gatishmëri më e dukshme për ecuri komunikimesh për çështje dhe aspekte partneriale në fushën e shkëmbimeve tregtare, ekonomike dhe sfera të tjera të ekonomisë.
Zyrtarët e lartë të të dy vendeve ndajnë përbashkërisht vlerësimin se qëndrueshmëria e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare merr vlerë potenciale përcaktuese për vendet dhe botën në përgjithësi si dhe për sigurinë e zinxhirëve të furnizimit.
Në këtë kuadër, situata e krijuar në një ndër rrugët më parësore detare për shkak të luftës me Iranin, konkretisht në Ngushticën e Hormuzit, lidhet dhe do të përcaktohet edhe prej një strategjie lëvizëse mes dy fuqive kryesore globale.
Kjo ngushticë përbën momentalisht një nyje kruciale gjeopolitike.
Ngushtica e Hormuzit/Foto nga VCG
Rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë kalon nga kjo ngushticë, bllokimi shumëditor i së cilës ka shkaktuar dhe vijon të shtojë destabilizim për ekonominë e rruzullit. Aq më tepër që konflikti tashmë nuk është më lokal, por në përshkallëzim si rajonal me pasoja globale.
Qasja amerikane mbart një strategji të qartë në rajonin në fjalë: garantimin e lirisë së lundrimit, mbrojtjen e aleatëve të tyre në Gjirin Persik dhe goditjen pse jo edhe zhbërjen e dominimit iranian në këtë rrugë kryesore ujore.
Nisja e luftës ka sjellë panoramë të re dhe vektorë të ndryshuar në disa rrafshe. Shumëkush uron që lufta të mos jetë e gjatë, pasi kostoja e saj po shënon rekorde tragjike mbi ekonomitë.
Kina ofron një strategji të ndryshme dhe një rol tjetër në këtë krizë.
Vetë diplomacitë e dy fuqive në raport me këtë krizë janë në diferencë strategjike dhe interesash.
I dërguari i posaçëm kinez për çështjet e Lindjes së Mesme, Zhai Jun, u takua me Ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Khaled Al-Jarrah Al-Sabah/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Kina sikundër shprehen zyrtarët dhe institucionet në Pekin “ Synon stabilitet, jo konflikt”. Diplomacia kineze shprehet për dialog dhe deeskalim, por natyrshëm që në kushtet e përthellimit të krizës po rrit mundësitë për ndikimin diplomatik global.
Mospërfshirja ushtarake shton mundësitë për ndërmjetësime diplomatike dhe rritje të pranisë detare për mbrojtjen e interesave të veta.
Shtimi i agresivitetit ushtarak mes Iranit dhe SHBA, kundërgoditjet në Ngushticën e Hormuzit, në ditët e ardhme kanë për ta bërë edhe më dinamike diplomacinë e pse jo edhe komunikimin amerikano-kinez.
Shembja e rendit ndërkombëtar të sigurisë krijon premisa të dukshme për shfaqjen e Kinës si alternativë pacifiste, veçanërisht në raport me vatrën e rrezikshme të konfliktit.
Shumëkush në mediumet botërore dhe ndër analistët gjeopolitikë po përqendrohen tek dilemat që vijnë pas luftës me Iranin. Panorama e rivaliteteve strategjike dhe deviza për stabilitet global janë një zhvillim që lidhen me panoramën e re që do të ketë bota dhe harta gjeopolitike e saj.
Nuk ka pikë dyshimi se ardhmëria do të përcaktohet nga balanca mes fuqisë ushtarake, ndikimit ekonomik dhe diplomatik dhe rezistenca e aktorit në goditje, pra Iranit. Ecuria e kësaj krize do të përcaktohet edhe nga pozicionimet e aktorëve në rendin e ri botëror disapolarësh.
Këto ditë lufte dhe krize, po shtojnë efektin dhe peshën e pasojave makroekonomike në nivel botëror. Inflacioni dhe efektet zinxhirore po mbushin me “klithma” dhe ankesa tregjet. Rritja e çmimeve është i pashmangshëm si një dukuri natyrore pësuese.
Po shfaqen disa kriza: si ajo e energjisë, kriza e fragmentimeve të tregjeve, mungesës së transparencës dhe paqëndrueshmërisë së tyre, etj.
Dobësim i rolit të Hormuzit do të ripërcaktojë fatin e inflacionit global si dhe do të rikonfigurojë sistemin energjetik botëror.
rritja e çmimit të naftës/Foto nga VCG
Nuk ka asnjë dyshim se kjo krizë në këtë zonë kyçe ka shkaktuar një nga goditjet më të mëdha të sistemit energjetik global në dekadat e fundit. Me rreth 20–21 milion fuçi/ditë që kalojnë përmes saj (≈20% e konsumit global), çdo ndërprerje krijon një shock të menjëhershëm ofertë–çmim në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Kjo krizë ka prodhuar një nga ndërprerjet më të mëdha të ofertës në histori: (–10 milion fuçi/ditë të ndërprera → “largest supply disruption” sipas IEA . Trafiku detar ra deri në –90% dhe deri në 20% e konsumit global gjendet ende në rrezik. Kjo krijoi elasticitet shumë të ulët të ofertës, ndërkohë që tregu nuk mund ta kompensojë shpejt mungesën.
Ky “grusht dërmues” ekonomik që po bie mbi krejt komponentët dhe vektorët e ekonomisë dhe financave botërore prej krizës së Hormuzit, nuk është thjesht me këtë përmbajtje. Kontinentet gjeopolitike Europa, Amerika dhe Azia do të përballen me zhvendosje të reja ekonomike e gjeopolitike prej kësaj pasoje dhe efekteve imponuese të saj. Implikimet për diplomacinë amerikano-kineze duket se lenë në të njëjtin fokus shmangien e kolapsit të tregut global të energjisë.
Të gjitha karakteristikat e trajtimit strategjik të kësaj çështjeje ende gjenden në Ngushticën e Hormuzit dhe janë të lidhura pashmangshmërisht me atë.

