Drama komplekse e Ekonomisë së botës nga kjo luftë me Iranin

8 Minuta Lexim
Nga Aleksandër Çipa-

Lufta e SHBA-ve dhe Izraelit me Iranin dhe zgjerimi i saj në Lindjen e Mesme ka sjellë dhe do të shtojë  komplikacione të shumta gjeopolitike, por përfundimisht ajo ka shembur shumë norma dhe rregulla të deritanishme nga rendi dhe institucionalizmi ndërkombëtar. Sikundër e tha presidentja e KE, Ursula von der Leyen: “Rendi i vjetër botëror nuk ekziston më dhe nuk do të kthehet”.

Pasojat politike prej kësaj lufte me tendencë shtuese të të përfshirëve dhe të provokuarve, sipas të gjitha shenjave, sapo kanë nisur. Ato do të kenë një zinxhir vijues në shumë aspekte, por efektet më potenciale të luftës po rëndojnë mbi ekonominë botërore.

Ekonomia e Botës gjatë dhe pas konfliktit të pazakontë ushtarak me Iranin do të ndryshojë dhe do të tjetërsojë hartën e deritanishme të tregjeve, lidhjeve, shkëmbimeve dhe kontraktimeve. Këto nuk janë të tilla vetëm për rajonin, pra për Lindjen e Mesme, por shymëfishohen parësisht për faktin se konflikti është në një zonë strategjike. Aty kalojnë dhe gjenden nyje unike të linjave të transporteve ujore botërore, sikundër është ngushtica e Hormuzit. Kjo ngushticë që lidh Gjirin Persik me atë të Omanit dhe më tej me Oqeanin Indian, shkakton një goditje të rëndë ekonomike në rrafsh ndërkombëtar prej bllokimit iranian të ditëve të fundit. Bllokimi i eksportit kryesor të naftës nga vendet e Gjirit Persik përmes kësaj ngushtice, shkakton dallgë të fuqishme në krejt zinxhirin ndërkombëtar të qarkullimit të hidrokarbureve. Sikundër njihet, kjo linjë përbën arterien  kryesore të energjisë në botë. Kjo dallgë pason menjëherë me dallgën e inflacionit të çmimeve  të energjisë dhe shton kostot e transportit, prodhimit dhe ushqimeve.

Raketat e Iranit që sulmojnë Izraelinë

Por ndikimet e kësaj lufte tashmë kanë dalë si të tilla vetëm për rajonin. Ekonomia botërore ka ndërlidhje  komplekse me çdo vatër konflikti dhe aq më tepër, kjo me Iranin që po shumështon jo vetëm tronditje të forta, por pashmangshmërisht edhe struktura, sisteme, tregje dhe konfligurimet e deritanishme në nivel botëror.

Në të gjitha rajonet e botës, orëve të fundit po njoftohen rritjet e menjëhershme të çmimeve të energjisë. Pothuajse janë shpërndarë gjithkund klithmat e para tregtare për rritjen dhe njoftimet për shtime drastike të çmimeve të naftës dhe gazit.

Irani po goditet nga Izraeli dhe SHBA mbi asetet e veta të prodhimit dhe përpunimit të naftës. Kjo situatë prej gati dhjetë ditësh jo vetëm i ka cakorduar tregjet botërore, por edhe ka shtuar dilemat për funksionimin e mëtejshëm dhe tjetërsimin e sistemit të deritanishëm. Kjo situatë është e lidhur me realitetin e ri të bllokadës, sulmeve në zonën më nevralgjike, por edhe me shenjat e plota për reduktimin e ndjeshëm për më tej. Në tjetërsim të strukturave përfshihet pashmangshmërisht edhe sistemi I prodhimit industrial.

Rritja e çmimeve të naftës/Foto nga VCG

Paniku dhe efekti mbi tregjet financiare është sirena më alarmuese mbi krejt ekonominë globale. Në orët dhe ditët e ardhme investitorët ndërkombëtarë jo vetëm që do të tërhiqen nga tregjet e rrezikshme, por skemat e investimeve dhe spostimet e aseteve në qendra më të sigurta, do të japin efekte dhe ndikime të shumëfishta. Lufta po shkakton  rënie të bursave ndërkombëtare dhe paqëndrueshmëri në tregjet valutore.

Vetë ekonomitë e mëdha si të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  të Kinës, Bashkimit Evropian dhe të fuqive rajonale në përgjithësi, do të përballen me rëndesa dhe presione të reja ekonomike. Prekje kanë tashmë edhe vendet në zhvillim .

Industria e transporteve detare dhe ato të sigurimeve po përballen me rritje të kostove për shkak të rrezikut të shtuar në rajon.

Ky konflikt mesa duket po i tejkalon parashikimet për zgjatjen kohore të tij. Mediat ndërkombëtare po përllogarisin efektin financiar dhe atë ekonomik të saj, duke shënuar rekorde historike. Bëhet fjalë për një kosto dhe çmim që nuk është njohur më herët. Shqetësimi dhe ankthi bëhet edhe më I lartë në çdo orë të ardhme e aq më yepër në ditët vijuese. Çmimi I asaj që ndodh dhe I pasojave që vijnë kanë përmasa drastike. Sikundër mbi to shtohen edhe nevojat e pasluftës për rindërtim të infrastrukturës, stabilizim të tregjeve dhe rikthim të besimeve të investitorëve dhe partnerëve në kushte të reja që do të duan kohë e vite të ristabilizohen apo vendosen.

Natyrisht në filozofi thuhet se krizat janë përherë “shtatzanë” me zgjidhjet.

Konflikte si ky me Iranin do t’i shtyjë vendet të kërkojnë përshpejtim të projekteve për energjinë alternative, reduktim të varësisë nga nafta në Lindjen e Mesme, krijim të tregjeve alternative dhe orientim drejt operatorëve neutralë dhe inovativë në sektorët e teknologjisë, industrisë dhe digjitalizimit etj., etj. Nuk po përmendim në këtë rrafsh ekonominë ushtarake, ku përfshihet kryesisht industria e luftës, e cila në kohë dhe gjendje konfliktesh merr rëndësi dhe fiton peshë specifike të veçantë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz u takua me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin më 25 shkurt/Foto nga VCG

Në këtë kontekst dhe brenda kësaj panorame në rikompozim interesash politiko-ekonomike duhen parë edhe një seri shkëmbimesh të niveleve të larta mes vendeve kryesore të Europës dhe Kinës. Vizita e kancelarit gjerman Friedrich Merz në Pekin qartazi synoi riformatimin e marrëdhënieve ekonomike dhe strategjike mes Evropës dhe Kinës, në një moment kur rendi ekonomik global po ndryshon dhe tensionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rritur. Rinisja e partneritetit strategjik ekonomik u shpreh jo vetëm simbolikisht prej një pranie të një delegacioni të madh biznesi me rreth 30 kompani gjermane, përfshirë gjigantët industrialë dhe automobilistikë, por edhe në nënshkrime marrëveshjesh: kryesisht në fushën e teknologjive, në energji dhe industri të avancuara.

Sidoqoftë, lufta me Iranin dhe në Lindjen e Mesme ,tashmë po përthellon pasojat politike, ushtarake, ekonomike, mbi mjedisin dhe në krejt sistemet shoqërore rajonale dhe ndërkombëtare.

Hartat e aleancave ekonomike dhe financiare, sistemet e shkëmbimeve të eksport-importeve, ndërkombëtarisht tashmë janë në proces ndryshues.

Mes vendeve dhe fuqive, mes blloqeve dhe aleancave, mes partnerëve dhe organizimeve shumëkombëshe do të duhet kohë e gjatë e ardhme për të patur një realitet të stabilizuar. Deri atëhere pasojat fatkeqësisht janë jo vetëm në shtim, por edhe me shumë dilema dhe paparashikime.

Në kësi drame dragoniane gjeopolitike, maturitë shtetërore dhe sidomos të fuqive më të rëndësishme, janë investim për ekzistencën dhe  shpresën globale.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull