Intervistoi Alfred Meminaj*
Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë artistë me origjinë shqiptare po gjejnë hapësirë dhe sukses në skenën ndërkombëtare të artit dhe kinemasë. Një nga emrat që po tërheq vëmendje në industrinë e filmit në Itali është aktorja Sidita Llukaj, e cila po ndërton një rrugëtim të rëndësishëm artistik në kinemanë italiane.
Sidita Llukaj është një aktore me origjinë shqiptare që ka zgjedhur Italinë për të zhvilluar karrierën e saj në artin e interpretimit. Me pasion për aktrimin dhe përkushtim ndaj profesionit, ajo ka arritur të bëhet pjesë e projekteve të ndryshme artistike, duke bashkëpunuar me regjisorë dhe produksione italiane.
Kinemaja italiane, e njohur për traditën e saj të pasur dhe ndikimin në historinë e filmit europian, ka qenë një terren i rëndësishëm për aktorët e rinj që kërkojnë të afirmohen. Brenda këtij konteksti, Sidita Llukaj po dëshmon se talenti dhe puna e vazhdueshme mund të kapërcejnë kufijtë kulturorë dhe gjuhësorë.
Roli i saj në projekte filmike dhe artistike në Itali tregon një aktore të përkushtuar, e cila synon të sjellë emocione dhe autenticitet në çdo personazh që interpreton. Përveç talentit artistik, ajo përfaqëson edhe një shembull pozitiv të integrimit kulturor, duke lidhur dy realitete – atë shqiptar dhe italian – përmes artit.
Suksesi i artistëve me rrënjë shqiptare në arenën ndërkombëtare është një dëshmi e potencialit të madh që ka kultura shqiptare. Rrugëtimi i Sidita Llukajt në kinemanë italiane është një histori që frymëzon të rinjtë që ëndërrojnë të ndjekin pasionin e tyre për artin dhe filmin.
Në një industri konkurruese si ajo e kinemasë, çdo hap përpara është rezultat i punës së palodhur dhe besimit në talent. Për Sidita Llukajn, ky është vetëm fillimi i një rruge që premton shumë në botën e filmit.
E diplomuar në Shkollën e Filmit në Firence dhe pjesë e projekteve kinematografike në Itali, aktorja shqiptare flet për rrugëtimin e saj artistik dhe bashkëpunimin në filma të ndryshëm me regjisorë italianë.
Aktorja shqiptare Sidita Llukaj po ndërton gradualisht karrierën e saj në industrinë e kinemasë italiane me regjisorë të ndryshëm italianë. Me pasion për artin e aktrimit dhe me një formim profesional në një nga qytetet më të rëndësishme kulturore të Italisë, ajo ka qenë pjesë e disa projekteve filmike dhe artistike. Aktualisht, Sidita Llukaj vazhdon të jetë e angazhuar në projekte të reja kinematografike dhe synon të zgjerojë më tej praninë e saj në skenën artistike italiane dhe ndërkombëtare.
– Si lindi pasioni juaj për aktrimin dhe kur vendosët që kjo të ishte rruga juaj profesionale?
Sidita Llukaj – Dashuria për artin dhe një vokacion i brendshëm për aktrimin. Ajo të jep një sodisfaksion që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë. Kinemaja është dashuri; edhe pse është shumë e vështirë, tek unë ajo lindi që në moshë të vogël, krejt papritur.
– Ju keni studiuar në Firence. Si e kujtoni periudhën e studimeve dhe çfarë ndikimi pati ajo në formimin tuaj si aktore?
Sidita Llukaj – Unë besoj që pa studim nuk arrin asgjë, sepse studimi të ndihmon të elaborosh dhe të gjesh mënyrat personale emocionale të aktrimit e shumë gjëra që kanë lidhje me artin. Unë kam lexuar shumë libra dhe vazhdoj akoma të lexoj; dituria është pasuri. Në ekranin kinematografik nuk mund të bësh një skenë “fake”, sepse kamera nxjerr emocionet që lexohen nga publiku. Ne nuk kemi lindur të ditur, por jemi formuar; aty ku ka dashuri, ne e kuptojmë që ka ndjenja. Unë e quaj veten inperfekte, sepse dituria nuk ka fund, por studimet të ndihmojnë shumë në përgatitjen e një realizimi filmik. Ka qenë një periudhë pune ku studimet dhe bukuria e punës në shkollë e bënë atë periudhë studimesh perfekte, me disiplinë, ku mësova shumë nga pedagogu dhe regjisori im i shumë filmave të shkollës, Giuseppe Ferlito.
– Keni marrë pjesë në disa projekte filmike në Itali. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë këtij rrugëtimi?
Sidita Llukaj – Për mua, sigurisht që rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë, por besoj që çdo gjë që ka ikur dhe do të vijë në rrugëtimin tim lë një gjurmë profesionale. Unë nuk lodhem së punuari; jam një tip njeriu që nuk ëndërron me sy hapur. Jemi ne frymëzimi për atë që duam. Jo të gjithë e pëlqejnë punën tënde, por kjo ka pak rëndësi; duhet ecur përpara me vullnet dhe punë. Ato që thonë gojët e liga kanë pak rëndësi, jo vetëm për mua, por për cilindo që punon për kulturë, për art, për një mesazh pozitiv.
– Objektivat tuaj për kinematografinë dhe synimi që doni të arrini?
Sidita Llukaj – Objektivat janë shumë, por ai më i rëndësishmi është të jem pjesë e një kasti filmi ndërkombëtar, jo vetëm në Itali dhe Shqipëri, por më gjerë. Synoj të luaj me aktorë që kanë një karrierë të pasur filmike nga e gjithë bota.
– Sa e vështirë është për një aktore shqiptare të ndërtojë një karrierë në industrinë e filmit në Itali?
Sidita Llukaj – Unë nuk kam ndjerë ndonjëherë vështirësi sepse jam shqiptare. Më pyesin shpesh për origjinën kur më lexojnë mbiemrin, pasi jam rritur në Itali, dhe e kam për nder të them se jam prej Shkodre dhe jam shqiptare.
– Kur presim t’ju shohim në ekran?
Sidita Llukaj – Xhirimet e filmit kanë mbaruar në dhjetor 2025. Filmi është në postproduksion dhe pritet të dalë së shpejti premierë në Itali.
– Një mesazh për gratë, nënat dhe motrat kudo që janë, pasi në këtë muaj marsi lamë pas festën e gruas në botë.
Sidita Llukaj – Ashtu si e përshkruat edhe ju, një forcë e madhe globale. Do t’u uroja të gjitha grave, nënave dhe motrave, kudo që janë, sepse aty ku ka një grua, ka një forcë të madhe pa të cilën bota nuk do të ekzistonte. Uroj paqe, lumturi dhe shëndet në çdo anë të globit.
* Ekskluzivisht per shtypi.net dhe arberianews.net

