Nga Dashnor Kokonozi-
Në të vërtetë, RTSH bëri aq sa mundi në fushën e kulturës, por përgjithësisht zbatonte atë që i urdhëronin. Nganjëherë prekte limitet e durimit dhe tatonte nervat e nja dy a tre mullave të Byrosë Politike. Nuk ishin më shumë; të tjerët nuk ndiheshin fare.
Por po aq e vërtetë është se shumë filma që vinin nga jashtë – të kopjuar apo të dhuruar nga ambasadat – nuk arrinin deri te mullatë e Byrosë për t’u ndaluar. Kishte një komision muxhahidinësh të besuar dhe intelektualësh (aq sa lejonte koha të ishin të tillë) që i shihnin dhe vendosnin nëse ishin të përshtatshëm për transmetim apo jo.
Ndodhte që ata vetë, muxhahidinët e komisionit, shpesh punonjës jashtë institucionit, u tregonin me entuziazëm miqve të tyre për filmat e bukur që kishin parë. Kur këta të fundit, me pafajësi i pyesnin se kur do të transmetoheshin, që t’i shihnin edhe ata, përgjigjja ishte:
“- Ah, jo, vendosëm të mos transmetohen. Nuk janë të mirë për ju, nuk ndikojnë pozitivisht në moralin e popullit!”

