Mbi revoltën dhe iluzionin e ndryshimit

6 Minuta Lexim
Nga Rezi Gagani-
Ka diçka që të bën ta admirosh një shoqëri që del në rrugë kundër asaj që vetë ka prodhuar. Por sapo e mendoj pak më gjatë, ky mendim fillon më shqetëson.
Lajmet nga protestat në SHBA, thirrjet “No King” që po pushtojnë ekranet dhe rrotullohen nëpër rrjetet tona sociale si një rrymë e pandalshme, më kujtuan menjëherë atë zhurmën që u krijua edhe në Tiranë gjatë dhjetorit të 2025 para kryeministrisë. Nuk është fjala për protesta historike, por për ato lëvizjet e fundit që u paraqitën si fillime të forta dhe përfunduan pa lënë gjurmë reale.
Edhe pse e parë nga larg, përmes dritës së ftohtë të monitorit, kishte diçka në këto lëvizje që të linte një dyshim të qetë, por këmbëngulës. Një afsh kolektiv që dukej sikur do të shkrinte muret e godinave gri, por që në fund mbeti më shumë si imazh për t’u shpërndarë sesa si një forcë që ndryshon drejtimin e gjërave.
Në ato sekuenca ku njerëzit ngrinin zërin përballë kamerave, kishte një solemnitet të rremë. Një lloj komoditeti që lind kur e kupton se je pjesë e diçkaje të parashikueshme. Shoh njerëz që bërtasin për të drejtat e tyre, por rrugët ku ata ecin të çojnë gjithmonë në të njëjtin përfundim: te kafja e pasdites dhe te bisedat ku bota rregullohet vetëm me ankesa, pa lëvizur asnjë milimetër nga struktura e vjetër. Sa më shumë rritet zhurma, aq më shumë zbehet nevoja për të bërë diçka që vërtet dhemb, diçka që mund të ndryshojë peshën e gjërave.
Kjo valë që kalon nuk lë pas asnjë të çarë në mur. Thjesht lag sipërfaqen dhe na lë me ndjesinë sikur diçka ndodhi, ndërsa ne presim autobusin e radhës në stacion, të vetëdijshëm që nuk do të vijë kurrë në orar.
Dhe pikërisht aty, në heshtjen e vëzhgimit, më lind një mendim që nuk më lë rehat: ka mënyra të të menduarit që njeriu i quan të huaja vetëm sepse nuk do t’i njohë si të vetat.
Ndoshta ajo që quajmë revoltë është forma më e pranueshme për të mos ndryshuar asgjë thelbësore. Ne dalim, bërtasim, rrethojmë institucionet me një zhurmë që ngjan me jetën, por sapo kthehemi në shtëpi, rregullojmë jastëkun dhe flemë mbi të njëjtën strukturë që sapo mallkuam. Sistemi nuk na shtyp; ai na e lejon britmën si një valvul shkarkimi, duke na dhënë iluzionin e lirisë në këmbim të palëvizshmërisë sonë.
Kjo zhurmë publike funksionon si një indulgjencë moderne. Unë shaj korrupsionin e tjetrit që të mund të gëlltis pa vrasje ndërgjegjeje mashtrimet e mia të vogla, ato kompromiset e përditshme që mbajnë në këmbë pikërisht atë që pretendoj se po shemb. Revolta nuk synon ndryshimin e botës, por qetësinë për të mos ndryshuar veten.
Ne jemi si ai personazhi i Kunderës që kërkon peshën e ngjarjeve të mëdha, por mbytet në lehtësinë e një rebelimi që nuk kushton asgjë. Unë që po i shkruaj këto rreshta, jam e para që kërkoj pëlqimin tuaj, duke e shitur këtë mprehtësi si revoltë, ndërsa në fakt kërkoj vetëm një strehë të ngrohtë në vëmendjen tuaj.
Ky zemërim që kemi është kthyer në një mall konsumi, një adrenalinë që na deh dhe na lë bosh për veprimin e vërtetë, atë të ngadaltin, që kërkon qetësi, reflektim real, thonj dhe gjak mbi tullat e realitetit. Sistemi nuk ka frikë nga kjo. Ai ushqehet me të. Një turmë që bërtet është një turmë që ka lëshuar mjetet e ndryshimit për të kapur pankartat.
Ne jemi ata të burgosurit që pikturojmë dritare mbi muret e qelisë me aq pasion, sa harrojmë se muret nuk kanë lëvizur asnjë milimetër, madje i kemi lyer vetë me bojën e dëshpërimit tonë.
Nëse kjo egërsi nuk është vetëm jashtë nesh, nëse ky sistem që mallkojmë është thjesht pasqyra e asaj që ushqejmë çdo ditë te fëmijët tanë, duke u mësuar të jenë “të shkathët” para se të jenë të drejtë, atëherë çfarë mbetet vërtet për t’u kundërshtuar?
Ndoshta dinjiteti nuk është akti teatral i rrethimit të godinave, ku presim të fotografohemi në emër të një lirie që nuk e ushtrojmë dot as në shtëpitë tona. Dinjiteti, ai që ta prish gjumin e natës, nuk ndodh nëpër bulevarde apo kafene. Por në ato sekondat e tmerrshme kur guxon të hapësh grushtin dhe të shohësh se bisha nuk është përballë teje, por po merr frymë me mushkëritë e tua, duke kërkuar të njëjtat gjëra që ti premton se do t’i shkatërrosh.
Kur zhurma bie dhe mbetemi vetëm me lëvizjet e makinave që nxitojnë drejt shtëpive, dhe secili kthehet në jetën e tij të zakonshme, mbetet vetëm një pyetje që nuk të lë rehat:
A po e përdorim revoltën për të hapur dyert, apo si çelësin me të cilin i mbyllim ato nga brenda, që të mos na kërkohet kurrë të dalim vërtet jashtë?

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull