Një dashuri dhe shtatë faje

6 Minuta Lexim
Nga Ag Apollon-
Para tetë vjetësh, akademikët e ASHAK-ut e patën botuar Fjalorin Enciklopedik të Kosovës. Patën bërë aq shumë gabime, saqë vepra qe cilësuar edhe si antikombëtare (sepse fshatrat shqiptare i kishin regjistruar si fshatra serbe). E di që patën reaguar shumë profesorë dhe intelektualë kosovarë, mes tyre edhe unë që pata sugjeruar të ndiqet një metodë tjetër për regjistrime enciklopedike, në mënyrë që të kursejmë pare për punë më të dobishme. Sugjerimi im ishte: vepra të tilla nuk duhet të futen në shtyp menjëherë, por të lihen në një platformë online, ku secili mund të japë vërejtje, të cilat një komision special i merr parasysh, e përmirëson informacionin dhe, në fund, e fut librin në shtyp. Enciklopeditë dhe monografitë totale (që duan ta mbulojnë një shtet) nuk duhet të publikohen si në kohën e enciklopedistit Denis Diderot. Kohët kanë ndryshuar, shyqyr që mund të bëjmë një platformë online dhe mund të diskutojmë për një projekt të madh shtetëror, ose nacional.
Pas atij skandali nga një staf akademik, tash plas skandali tjetër nga një aktivist. Ajo çka më bën përshtypje në lidhje më skandalin e dytë është se përdoret politikisht, në vend se të trajtohet profesionalisht. Edhe pse libri duket se ka probleme serioze (dhe, me sa mbaj mend, këto probleme i pati evidentuar në shtojcën për kulturë të gazetës “Koha ditore” një mësimdhënës i UP-së para një viti, kur këtë monografi e pati cilësuar si ‘masakër’: Nga një masakër në tjetrën).
Disa libra vërehen që nuk janë seriozë, edhe pa e hapur librin fare. Si? Një monografi për masakrat, si rregull, nuk mban emër autori në kopertinë, por, sipas rastit, mund të ketë një emër përpiluesi, pas ose poshtë të cilit shkruhet editor, sepse nuk është as studim shkencor autorial, as roman. Por, këto janë probleme kaq elementare sa s’ia vlen të diskutohen.
Megjithatë, ia vlen të diskutohet zinxhiri i gabimeve (fajeve):
1. Gabimi i parë: Botohet një monografi, së cilës pak ditë më pas i evidentohen gabimet dhe, në vend që të tërhiqet nga libraritë, të rishikohet, të plotësohet dhe të ribotohet, vazhdon të promovohet dhe ekspozohet jo vetëm në Kosovë, apo Evropë, por edhe në Amerikë. Kjo është arrogancë aktivistësh, që s’pyesin për vërejtje profesionistësh. Është gabim ta promovosh gabimin.
2. Gabimi i dytë: E bazuar mbi atë monografi, organizohet një ekspozitë (me ato gabime) në shesh, pa ndonjë arsye të veçantë. Është gabim ta ekspozosh gabimin.
3. Gabimi i tretë: Organizatori s’merr përgjegjësi për gabimin, fajin ua hedh burimit serb (të cilin e ka keqinterpretuar) dhe shtetit kosovar (duke e akuzuar pse nuk ka bërë regjistrime të sakta deri sot dhe kështu e kanë lënë atë të gabojë). Është gabim të mos ndihesh përgjegjës për gabimin.
4. Gabimi i katërt: nga Kuvendi i Kosovës thonë se e kanë sponsoruar ekspozitën, pa e verifikuar projektin. Kjo do të thotë që nesër dikush tjetër mund të organizojë një ekspozitë ku serbët janë viktima dhe shqiptarët vrasës, dhe Kuvendi e financon. Është gabim ta financosh gabimin.
5. Gabimi i pestë: ashtu si “autori” (organizatori), edhe Kuvendi i ik përgjegjësisë, duke thënë se nuk kanë qenë në dijeni të përmbajtjes. Është gabim t’i ikësh përgjegjësisë.
6. Gabimi i gjashtë: Mbështetësit e partisë në pushtet u mobilizuan për ta mbrojtur organizatorin, duke lënë të kuptohet që pas ekspozitës qëndron pushteti. E, është gabim ta mbrosh gabimin.
7. Gabimi i shtatë: Kritikuesit e partisë në pushtet, sidomos ata që njihen si ‘krahu i luftës, u mobilizuan për ta sulmuar organizatorin, duke u bërë gardianë të shkencës, edhe pse dy lidhje me shkencë s’i kanë, dhe kurrë s’kanë reaguar ndaj asnjë libri “historik” të shkruar nga gishtat e atij krahu të luftës, madje as atëherë kur vetë autorët i kanë pranuar ekzagjerimet ‘stilistike’. Tash është gabim të reagosh sa për t’ia bërë qejfin partisë tënde.
Dhe ata që po e shajnë Nataša Kandić-in, i këshilloj të ndalen e të mendojnë, sepse ajo dhe Sonja Biserko, edhe pse me hulumtime neutrale (siç e kërkon puna profesionale), kanë bërë për Kosovën më shumë se shumë shqiptarë; ato janë persona me integritet të lartë moral.
Unë dua të besoj që “autori” (editori)/organizatori këtë monografi e ka përpiluar me dashuri për të vërtetën dhe se gabimet statistike (që janë të barasvlershme me gabimet ‘stilistike’ të atyre të tjerëve) i ka bërë pa qëllim. Duken më shumë gabime metodologjike (paaftësi për t’i verifikuar faktet) dhe strategjike (me kokëfortësi i ka injoruar burimet që mund t’ia evitonin gabimet). Por, siç po shihet, dashuria nuk mjafton, duhet edhe pak dije profesionale. Po të aludojmë në titullin e një romani të njohur shqiptar (“Një dashuri dhe shtatë faje”, 2003), ‘një dashuri’ nuk i arsyeton ‘shtatë fajet’ e tij dhe të të tjerëve që i përmenda më sipër.
Mjerisht, në Kosovë, libra të dobët (enciklopedi dhe monografi) bëjnë edhe akademikët, jo më aktivistët.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull