Nga Shkelqim Hajno-
Promovimi së fundi në Sarandë i librit të ri të aktorit dhe regjisorit të njohur Vangjel AGORA,“ATJE KU SHKËNDIJA E ARTIT SKENIK BËRI STREHË”; një botim monografik dedikuar historisë dhe kujtesës së artit skenik që u ngjiz dhe mori udhë në gjimnazin emërmadh “Hasan Tahsini”;
ishte një ngjarje e rëndësishme kulturore në qytetin bregdetar, që bëri bashkë nën moderimin e ikonës së arsimit Xhorxhi VASILI, intelektualë të fushave të ndryshme, mësues, njerëz të artit, kulturës dhe mediave, sikurse edhe prefekten e Qarkut Vlorë, Evis Allushi dhe zëvendësprefektin për Sarandën dhe Delvinën Kristo Kiço.
Libri sjell në vëmendje një kapitull të rëndësishëm të jetës kulturore të këtij institucioni arsimor, i cili për vite me radhë ka qenë një vatër ku janë hedhur hapat e parë drejt artit skenik nga shumë të rinj, që më pas do të kontribuonin në teatrin dhe kinemanë shqiptare.
AGORA risolli në auditorin e mësipërm atmosferën krijuese të talenteve të artit skenik në disa dekada dhe kontributin e tyre të rëndësishëm në gjallërimin e jetës kulturore e artistike të qytetit dhe rajonit të Sarandës.
Gjatë një analize të hollësishme mbi zbërthimin e vlerave dhe mesazheve të kësaj monografie, pata kënaqësinë të nënvizoja në fjalën kryesore të eventit një moment konkludiv :
“Jo shtatëmbëdhjetë figura të arti skenik, ngjizur e dritëruar për herë të parë nga pasioni i selitur në dyert e “H.Tahsinit” dhe Q. Kulturore, por edhe sikur dy apo tre, të ishin vetëm ( si Luiza XHuvani (Papathanasi) , Zef Mosi, apo Lert Vasili që janë dhe mbeten gurë diamanti në kurorën e artit skenik shqiptar;
do të mjaftonin të ishin një burim krenarie për çdo sarandiot në qytetin që i duartrokiti për herë të parë në një rrugë të vështirë dhe magjike: rrugën e te mundimshme të artit.”
Kolana kulturore “SARANDA”, gur pas guri, do të mund të plotësohet me vepra në disa fusha të jetaës sikurse ka bërë prej vitesh Prof. Xhorxhi VASILI, Prof. Jopsif PAPAGJONOI dhe së fundi Vangjel AGORA.

