Nga Çapajev Gjokutaj-
Prindërit nuk ikin kurrë. Edhe kur trupi i tyre është tretur, mbeten si një esencë e brendshme që lëviz bashkë me ne. Kjo nuk është fantazi, por realitet që buron nga mënyra se si kujtesa dhe ndërgjegjja jonë funksionojnë: çdo gjest i tyre, çdo fjalë, çdo gëzim, çdo ndruajtje a frikë ka lënë gjurmë në strukturën e mendjes sonë.
Prindërit nuk mbijetojnë të ngrirë si fotografi të vjetra, por jetojnë e ndryshojnë bashkë me ne. Sa më shumë që moshohemi, aq më shumë i rishohim, i rishkruajmë, i kuptojmë. Ndodh kështu sepse kujtesa nuk është arkiv, por një organizëm i gjallë që riorganizohet, dhe prindërit tanë marrin forma të reja brenda saj. Një tipar të tyre që dikur e kritikonim, e gjejmë tashmë tek vetja; një vendim që dikur e gjykonim, e shohim me sy të tjerë kur arrijmë moshën e tyre.
Jo vetëm kaq: kur krahasohemi me ta kur ishin në moshën tonë, krijojmë një pamje tjetër, më të plotë e më realiste për mendimet, ndjenjat, gëzimet, pasiguritë e tyre. Parë kështu, prindërit nuk janë të konservuar në kujtesën tonë; ata ndryshojnë sikur të ishin gjallë.
Vdekja nuk e mbyll bashkëbisedimin tonë me ta. Përkundrazi, e zhvendos nga jashtë brenda. Thuajse përditë vazhdojmë të flasim me ta, t’i çmojmë, t’i kundërshtojmë, t’i falim, t’i kuptojmë më mirë. Ata bëhen pjesë e dialogut tonë të përhershëm me vetveten. Dhe ky dialog nuk ka fund, sepse çdo hap i jetës sonë na kthen tek ata.
Prandaj, kur themi se prindërit jetojnë edhe pas vdekjes, nuk flasim për një iluzion sentimental. Flasim për një realitet të brendshëm: ata janë të pranishëm në mënyrën si duam, si gabojmë, si e ndërtojmë identitetin tonë. Ata nuk ikin, sepse janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë; sa më shumë që ndryshojmë, aq më shumë ndryshojnë edhe ata, sikur të ishin ende gjallë.
Edhe diçka e lënë në fund, jo ngaqë nuk ka rëndësi, por për të mos e harruar: duke i mbajtur të gjallë brenda nesh nuk u bëjmë asnjë shërbim; gjithçka e bëjmë për veten tonë. Synojmë të shuajmë mallin, të qetësojmë pishmanllëqe e brerje ndërgjegjeje, të perceptojmë më mirë identitetin tonë, të qetësojmë frikërat nga ajo që na pret pas derës së të nesërmes…

