Republika e Prokurorëve apo Republika e Hajdutëve që ka frikë!

4 Minuta Lexim

Nga Ermal PEÇI

Ka çaste në jetën e një vendi kur e vërteta nuk shpërthen si rrufe, por hyn ngadalë, si një dritë që s’mund ta ndalë më askush. Shqipëria sot duket pikërisht në një nga ato momente: një vend ku pushteti nuk po trembet më nga opozita, por nga drejtësia.

Për vite me radhë politika ka jetuar me qetësinë e atij që e di se askush nuk do ta prekë. Sot kjo qetësi është kthyer në ankth dhe frikë, dhe pikërisht nga këto dy ndjenja kanë lindur edhe narrativat e reja në Tiranë: se SPAK po ndërton një “Republikë Prokurorësh”.

Politikanët dhe pushtetarët që kanë kaluar dekada pa përgjegjësi po e shohin SPAK-un si kërcënimin e parë real ndaj privilegjeve të tyre. Prandaj kanë vënë në lëvizje çdo mekanizëm për t’i dhënë opinionit publik një panoramë që nuk ekziston.

I pari në këtë narrativë është Edi Rama, i cili ka në dorë fuqinë e kartonave dhe po tenton të ndryshojë edhe ligje, vetëm që SPAK të mos pezullojë nga detyra bashkëpunëtorët e tij. Realisht, Rama duket i shqetësuar nga kjo strukturë, sepse SPAK ka futur disa nga njerëzit e tij më të afërt pas hekurave, ndërsa të tjerë janë në pritje. Dhe kjo e ka zemëruar “dashnorin e drejtësisë”, i cili shpiku edhe termin “Republikë Prokurorësh” dhe që i quan prokurorët e SPAK-ut “minj që nuk duhet të kalojnë gardhin e tij politik”.

I dyti është Sali Berisha, i cili çdo mëngjes zgjohet me një urrejtje të hapur ndaj SPAK-ut. Ai sulmon drejtpërdrejt Altin Dumanin, i cili realisht ka bërë një punë të fortë në krye të këtij institucioni dhe ka rrëzuar jo vetëm propagandën e qeverisë Rama, por edhe mitin e pandëshkueshmërisë. Në fakt, është një absurditet politik që një parti opozitare të sulmojë drejtësinë, kur pikërisht opozita duhet të ishte partneri moral më i besueshëm i saj.

Por këtu lind pyetja kryesore: a ka krijuar SPAK vërtet një “Republikë Prokurorësh”? Në realitet nuk ka asnjë fakt që e vërteton këtë.
Në anën tjetër vetë drejtuesit e SPAK-ut kanë denoncuar disa herë sabotime nga struktura të tjera të shtetit, ndërsa institucionet që duhet ta mbështesin shpesh nuk i përgjigjen. Në thelb, SPAK kërkon vetëm atë që çdo shtet normal duhet të kërkojë: llogaridhënie.

Pikërisht këtu nis frika e politikës. Për vite të tëra ishte krijuar një iluzion se po je me më të fortin je i paprekshëm. Për 35 vite në perceptimin popullor është krijuar ideja se politikanët e fuqishëm shqiptarë kanë krijuar një “Republikë Hajdutësh” të cilët shkatërruan shtetin shqiptar për të ndërtuar pushtetin e tyre politik dhe ekonomik, në mënyrë që të ishim vetëm ata që vendosnin e komandonin. Prandaj tani, kur drejtësia fillon të trokasë në dyert e politikës frika shndërrohet menjëherë në sulm.

Narrativa e “Republikës së Prokurorëve” nuk është një betejë kundër një institucioni. Është një përpjekje për të mbrojtur një sistem që për shumë vite ka funksionuar pa asnjë llogaridhënie. Është tentativa për ta kthyer prokurorin në armik dhe hajdutin në viktimë. Për të përmbysur realitetin.

Në thelb, SPAK nuk ka krijuar republikën e vet. Ajo që është krijuar është një pasqyrë e frikës së atyre që nuk duan të japin llogari.

Prandaj publiku duhet të kuptojë një gjë shumë të thjeshtë: çdo sulm ndaj drejtësisë nuk është sulm ndaj prokurorëve. Është sulm ndaj idesë së përgjegjësisë. Është sulmi që Republika e Hajdutëve po i bën të vetmes shpresë që ka Shqipëria për ndryshim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull