Nga Bahri Cani-
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani vendosi në këto momente të shpërndajë Parlamentin e Kosovës.
Me Dekret ajo shpërndau Parlamentin dhe siç tha, së shpejti, pas konsultimeve formale me partitë politike, pritet të shpallë datën e zgjedhjeve të reja. Ajo la të nënkuptohet se shpallja e zgjedhjeve të reja mund të ndodhë që sot, por kjo akoma nuk dihet.
Presidentja Osmani tha se mbrëmë në mesnatë ka kaluar afati përfundimtar për zgjedhjen e pasardhësit të saj dhe se e ka detyrim kushtetues që të shpërndajë Kuvendin, pasi që deputetët nuk arritën të zgjedhin pasardhësin e saj.
Sipas saj, Kushtetuta është shumë e qartë që nëse pasardhësi nuk zgjidhet deri në 30 ditë para kalimit të mandatit të presidentit aktual, Kuvendi shpërndahet dhe duhet të shpallen zgjedhjet e reja. E ky afat ka qenë mbrëmë në mesnatë.
Presidentja aktuale Vjosa Osmani të cilës mandati i skadon me fillimin e datës 5 prill 2026, foli detajisht edhe për “papërgjegjësinë” e deputetëve, përpjekjet për zvarritje të disa subjekteve etjerë.
Por fakti është ky: Vjosa Osmani me Dekret shkarkoi Kuvendin dhe tani duhet të shpallë zgjedhjet e reja.
Nga ana tjetër, Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu mbrëmë para mesnate ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për intepretim, për shkak se në sallë ishin 66 deputetë, ndërsa 54 deputetë nuk kanë marrë pjesë në seancën për votimin e Presidentit apo Presidentes së re. Vjosa Osmani tha se këto kërkesa nuk e shtyjnë vendimin për shkarkimin e Kuvendit.
Kandidatë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga LVV.
Në mesnatë, sipas saj, ka kaluar afati për zgjedhjen e Presidentit të ri!
Zgjedhjet e reja do të shpallen, siç tha, pas konsultimeve me partitë politike. Së shpejti detajet…

