Zelltarët qiellorë!

3 Minuta Lexim

Nga Dashnor Kokonozi-

Vërej se shumë nga ata që shajnë sot me një leksik jashtë çdo limiti edukate e morali ndonjë politikan si S. Berisha, të themi, por jo vetëm atë, i kujtoj mirë në një kohë tjetër, tashmë të largët, kur u shfaqën si fanatikë të mëdhenj dhe fansa entuziastë të tyre. I ndiqnin pas dhe ndiheshin të lumtur kur u jepnin dorën.
I mbaj mend mirë kur nuk guxoje të bëje as vërejtjen më të vogël apo të shprehje ndonjë rezervë a mospajtim ndaj tyre. Të hidheshin në fyt, viheshin të rrëmonin në biografinë tënde, të fyenin e të shanin me zë të lartë, vetëm që t’i dëgjonin të tjerët. Donin të të poshtëronin ty, për t’i dëshmuar mjedisit dashurinë e pa kusht e thuajse “hyjnore” që ushqenin për kryepartiakët.
Sot, shumë nga këta zelltarë, i shoh t’i shajnë po ata politikanë me një fjalor të fëlliqët që të rrëqeth. Duket, kujtojnë se jetojnë në një shoqëri amnezike.
Të kuptohemi: elektorati ka çdo të drejtë të ndërrojë mendje, të votojë kë t’i duket më i besueshëm apo të shprehë zhgënjimin e vet.
Nuk e kam fjalën për ta. As për opozitarët që me bindje janë kritikë ndaj tyre!
Flas për ata “të tmerrshmit”, për ata që dikur pasuruan shqipen me neologjizma lavdie për të temjanisur krerët e partisë. Sot, po aq “krijues” tregohen edhe me sharjet e fyerjet e padëgjuara, ku nuk kursejnë as fëmijët e as familjarët e politikanëve.
Ata, nuk njohin as ironinë, as humorin, as qesëndinë; shajnë aq pisët sa të vjen ndot edhe t’i dëgjosh.
Nuk u shkon aspak. Kontaminojnë mjedisin shoqëror dhe janë po aq të pabesueshëm sa ç’ishin dikur kur brohorisnin poshtë zyrave të kryetarëve me devocionin e atyre që kanë mbërritur në Mekë për haxhillëk.
Eshtë një fenomen shumë shqiptar. Por një fenomen i ri, që flet shumë edhe se ku ka rënë shoqëria jonë që e toleron këtë lloj imoraliteti. Edhe në kohë më të errta, unë nuk e kam parë kaq poshtë!
Disa i kam pasur miq, të tjerë i kam ende. Ndonjëherë kam dëshirë t’u them: «Shiko, i (e) dashur, gjithkush ka të drejtë të ndryshojë mendim. Por mos harro se u ekspozove aq shumë në atë hagjiolatrinë tënde, sa kjo që po bën sot nuk të shkon fare. Do të ishe shumë më i nderuar po t’i ulje pak tonet. Në mos ta mbyllje fare gojën. Nuk je aspak i besueshëm.
Po kujt t’ia thuash? Ata përsëri të hidhen në grykë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull