Nga Dashnor Kokonozi-
Lexova se EBU, Rrjeti Evropian i Transmetuesve Publikë, do të mbështesë reformimin e Radio Televizionit Shqiptar.
Do të doja që të mos kishim arritur deri këtu, sepse ndërkohë besohej se brenda vendit ishte krijuar një energji dhe nivel intelektual i mjaftueshëm për ta ndërmarrë vetë një reformë të tillë.
Por konkretisht, çfarë pritet? A mund të na shpëtojë “reformimi” nga mungesa e thellë e profesionalizmit?
Do të vijnë ekspertët e EBU-së për t’u mësuar gazetarëve si formulohet një lajm?
Ndjekja e një emision a kronike në RTSH është një torturë e vërtetë. Titrat shpesh nuk kanë lidhje me programin, folëset me grimin e tepruar ekspozojnë më shumë veten sesa komunikojne me publikun, të intervistuarit mund të flasin edhe 20 minuta të tëra pa iu shënuar emri apo funksioni. Bisedat në studio shpesh marrin trajtën e llogjeve të pazarit.
RTSH jo rrallë të lë përshtypjen e një televizioni provincial apo ndërmarrjeje, më shumë sesa të një televizioni publik.
Nga kjo gjendje vështirë se mund të të nxjerrë EBU-ja.
Ky nuk është thjesht problem reformimi, e aq më pak problem fondesh, për të cilat ankohen. Do të ishte më e ndershme të bëhej një televizion me pagesë, ku të mbahej përgjegjësi, sesa të na torturojnë me mungesën e profesionalizmit: dokumentaret e pakte jane si pamflete familjrë ku secili tërheq nga vetja.
Në RTSH nuk mungon tendenca per një prani më të gjere sociale, por aty nuk dallon një gjini nga tjetra, nuk kuptohet përse flitet, nuk respektohet minutazhi, renditja e lajmeve mbetet politike si dikur, rëndësia dhe aktualiteti nuk lidhet me gjatësinë e lajmit, mikrofoni u lihet njerëzve që harrojnë arsyen pse janë aty, ku paraqitësi lexon lajmin dhe më pas i jepet mikrofoni dikujt që nis e përsërit të njëjtën gjë, nuk ka nocion mbi gjinitë e gazetarisë dhe nuk dallojnë dot kronikën nga reportazhi, intervistën nga biseda.
Shkurt, të çajnë … kryet dhe në fund nuk kupton përse bëhet fjalë.
Nuk besoj se EBU-ja mund të na shpëtojë nga një diletantizëm i tillë!

