“Kapitullimi”, kur gjeneralet greke u terhoqen nga mberritja pas kraheve e gjermaneve

5 Minuta Lexim

Nga Auron Tare-

Si sot, 85 vjet më parë, Ushtria Kombëtare Greke, e cila kishte rezistuar në mënyrë heroike për mbi 6 muaj me rradhe kundër forcave italiane, ngriti flamurin e bardhë të dorëzimit.
Armata e Epirit, e komanduar nga gjenerali Georgios Tsolakoglou, duke parë se trupat gjermane kishin ndërmarrë një manovër të paprecedentë deri atëherë në fushën e betejës duke sulmuar Jugosllavinë më 6 prill dhe, pasi kishin thyer ushtrinë jugosllave, i kishin dalë pas shpinës se ushtrisë greke e cila u gjend në një situatë të pashpresë. Vetëm dy javë kishin mjaftuar që gjermanët të hynin në territorin grek. Shpresat greke për të thyer frontin italian me ardhjen e pranverës u shuan.
Në shtabin e gjeneral Tsolakoglou, në fshatin vllah Votonosi pranë Mecovës, zhvillohej një debat i ashpër midis oficerëve: disa kërkonin dorëzim, ndërsa të tjerë këmbëngulnin për vazhdimin e luftës. Në veçanti, gjenerali Ioannis Pitsikas kërkonte me vendosmëri përballje edhe me trupat gjermane, por ai mbeti në pakicë. Për më tepër, Tsolakoglou vendosi ta largonte atë nga detyra, duke arsyetuar se dorëzimi ndaj gjermanëve do të ishte më “i nderuar”.
Gjenerali grek, në përpjekje për të shmangur një shkatërrim të plotë të ushtrisë, mori parasysh se në front kishte hyrë një nga divizionet më elitare të ushtrisë gjermane, Leibstandarte SS Adolf Hitler. Ky divizion nuk ishte vetëm forcë luftarake, por edhe mjet propagandistik për të demonstruar fuqinë e Gjermanisë. Në krye të tij ishte Sepp Dietrich, komandanti i besuar i truprojës personale të Hitlerit.
Sipas përshkrimit në ditarin e divizionit, më 20 prill 1941, njësia pararojë e udhëhequr nga SS-Hauptsturmführer Erwin Horstmann po kalonte vargmalin Katara në drejtim të Janinës. Para se të arrinin majën, SS-Untersturmführer Jupp Diefenthal zbriti me shpejtësi me një motor me karrocë anësore, ku ndodhej një ushtar grek me flamur të bardhë. Ai njoftoi se grekët kërkonin negociata për dorëzim.
Menjëherë u thirr Sepp Dietrich për të zhvilluar bisedimet. SS-Untersturmführer Ralf Tiemann u dërgua në Hani-Murgani për ta shoqëruar, së bashku me SS-Hauptsturmführer Max Wünsche. Kur mbërritën, panë ushtarë nga të dyja palët duke qëndruar të qetë, madje duke luajtur letra, ndërsa një svastikë e madhe ishte vendosur mbi rrugë.
Dietrich u takua me oficerë grekë, të cilët i thanë se duhej të shkonte rreth 15 km më në perëndim, në Votonosi, ku ndodhej selia e Tsolakoglou. Sipas Tiemann-it, Wünsche u dërgua për të informuar feldmarshallin Wilhelm List, ndërsa Dietrich vazhdoi me një grup të vogël drejt selisë, ku u prit personalisht nga Tsolakoglou.
Në këtë fshat të vogël u zhvillua takimi vendimtar mes Tsolakoglou dhe Dietrich për dorëzimin e ushtrisë greke. Sipas burimeve gjermane, pala greke kërkoi që dorëzimi të bëhej para gjermanëve dhe jo italianëve, të cilët ndodheshin përtej lumit Vjosë.
Pas konsultimeve me eprorët, përfshirë feldmarshallin Wilhelm List dhe gjeneral-lejtnantin Hans von Greiffenberg, Dietrich u autorizua të pranonte dorëzimin e plotë të ushtrisë greke.
Sipas burimeve gjermane, procesi i dorëzimit u zhvillua në tre faza:
takimi fillestar në Votonosi,
nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes po aty, dhe përfundimisht ratifikimi në Larisa më 23 prill 1941.
Dorëzimi krijoi kaos të madh në radhët e ushtrisë greke. Ndërkohë që trupat gjermane përparonin drejt Korinthit dhe përlesheshin me forcat britanike në tërheqje, ushtarët grekë të çorganizuar hidhnin armët dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Pas dorëzimit të Armatës së Epirit, trupat italiane, të cilat kishin pësuar humbje të rënda, më në fund hynë në territorin grek. Një detaj interesant historik është udhëtimi i Dietrich drejt kufirit shqiptar, në Urën e Peratit pranë Leskovikut, ku u takua me komandën italiane të trupave alpine, të udhëhequra nga gjenerali Giovanni Rossi. Pas një takimi formal, italianëve iu hap rruga për të hyrë në Greqi.
Ky moment u filmua nga fotografët gjermanë dhe sot ruhet në arkivat amerikane në Washington DC, si një dëshmi e rëndësishme historike e Luftës Italo-Greke.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull