Korrupsioni shqiptar dhe trustet amerikane të duhanit

4 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Më ndodh të shoh ndonjë fragment seance nga diskutimet e parlamentit shqiptar. Zakonisht ndihem si i kapur në befasi, se i shmang ngarkesa të tilla. Por kur je përballë ndokujt që të bën ndonjë muhabet që të ikën anash, shpëtimi është t’i mbash veshët nga televizori i kafesë.
Çfarë vura re pas shumë vitesh që nuk kisha parë? Parlamenti shqiptar nuk është më ai që ka qenë. E di që këtë e dini. Kam përshtypjen se ka një përpjekje për t’iu shmangur imazhit të vjetër të deputetit shqiptar, atij bedelit të deklaruar që vetë parlamenti ka përcjellë ndër vite.
Loja politike është bërë më e stërholluar. Edhe nga radhët e shumicës jo rrallë ngrihen deputetë që i “tërheqin veshin” pushtetit vendor, të tjerë flasin për sektorin e transporteve, edhe pse katastrofës së rrjetit rrugor i qëndrojnë larg. Ka nga ata që ngrejnë probleme të mjedisit, higjenës, të tjerë kërkojnë më shumë angazhim me faktorin ndërkombëtar për një të ardhme evropiane të Shqipërisë, flasin për efikasitetin e administratës etj.. Pra, probleme ngre opozita, por probleme ngrenë edhe ata të shumicës.
E gjitha kjo më kujton luftën e ashpër që disa dekada më parë zhvilluan individë dhe shoqata civile kundër trusteve amerikane të duhanit, duke i akuzuar si shkaktarë të kancerit te shumë persona. U sollën prova nga mjekësia se në origjinë ishin pikërisht disa marka të fuqishme duhani, të mbështetura nga një publicitet i jashtëzakonshëm.
E vërteta është se nuk pati kundërshtim zyrtar të hapur ndaj fakteve. Por çuditërisht, vetë trustet e duhanit financuan studime ku dilte se ndotja e mjedisit ishte vërtet shkak i shtimit të rasteve me kancer. Studime të tjera, po ashtu të financuara prej tyre, fajësonin disolventët e industrisë së ngjyrave, kimikatet në biberonët e foshnjave, e kështu me radhë.
Duke bombarduar opinionin publik me një mori informacionesh, akuzat e provuara për kancerin e shkaktuar nga duhani humbën mprehtësinë e parë. Duhani tashmë u paraqit si një element kancerogjen mes shumë të tjerëve. Kështu, kritika ndaj trusteve të cigareve nuk kishte më vëmendjen e dikurshme. Por në atë mori faktesh, rreziku më i madh dhe më i menjëhershëm ishte pikërisht duhani. Trustet e duhanit ia dolën ta relativizonin rrezikun e tyre, duke e shndërruar në një problem mes të tjerëve.
Ja pse parlamenti shqiptar është bërë më i mënçur. Saktësisht këtë gjë bëjnë edhe deputetët e shumicës me gjysmë-problemet që ngrenë, duke i kaluar anash atij të vërtetit. Problemi kapital i vendit është korrupsioni , i provuar dhe i pranuar nga të gjithë. Megjithatë, me “problematikat interesante” që ngrenë deputetët e shumicës, korrupsioni sot merr pamjen e një problemi si gjithë të tjerët. Shkurt, një kancer si gjithë të tjerët.
Por mjekësia e di: kurrë nuk ka dy kancere njëlloj.
Mes këtij diversioni, përqendrimi i opozitës tek korrupsioni duhet të marrë tiparet e një strategjie të vërtetë politike. Nuk duhet lejuar shpërqëndrimi i vemëndjes!
Më vjen mirë që kësaj kauze i janë kushtuar “me kohë të plotë” edhe deputetë të rinj, si Këlliçi. Eshtë diagnoza e vërtetë që e ka shtyrë vendin në zgrip, jo një problem mes të tjerve, siç duan ta paraqesin.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull