Kurrë një mandat të tretë! (E jo më një të katërt e të pestë)

5 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Mbrojtja e demokracisë përmes kufizimit të pushtetit është kujtesë se pushteti nuk u përket kurrë atyre që e ushtrojnë atë.
Mësimi hungarez dhe shqetësimi shqiptar.
Një mandat tjetër për z. Orbán do të shihej nga shumë analistë si problematik për Hungarinë dhe për Evropën. Një mandat tjetër në rastin shqiptar do të ishte një makth kombëtar, fatmirësisht pa pasoja të drejtpërdrejta për Evropën, por me pasoja të rënda për vetë Shqipërinë.
Tashmë është e qartë edhe për shqiptarët se kur figura të fuqishme kombëtare qëndrojnë gjatë në pushtet, kundërpeshat dobësohen, institucionet personalizohen dhe ekuilibri demokratik fillon të lëkundet.
Idenë e kufizimit të mandateve e dëgjova së fundi nga Péter Magyar gjatë fushatës elektorale, vetëm dy javë më parë. Edhe pse sondazhet e nxirrnin fitues, ai premtoi se do të kufizonte në dy mandate funksionin që synonte vetë. E pashë si shenjë maturie demokratike dhe përgjegjësie politike. Më kujtoi korrikun e vitit 2008, kur Franca vendosi të kufizojë qëndrimin e presidentit (gati një ekuivalent i kryeministrit shqiptar) në detyrë vetëm në dy mandate radhazi.
Shtetet e Bashkuara, në vitin 1951 vendosën kufirin strikt prej dy mandatesh presidenciale, një element qendror i arkitekturës së tyre institucionale.
Demokracitë e konsoliduara e bëjnë këtë pa rënë në degjenerimin e institucioneve nga një “njeri i fortë” që qëndron shumë gjatë në pushtet. Të njëjtën masë e kanë ndërmarrë edhe Portugalia, Polonia dhe Lituania.
Situata në Shqipëri, për shkak të konstitucionit të fortë tribal (popull i prirur të votë gjithnjë atë që është në krye), ngre shqetësime të thella për ekuilibrin demokratik. Kur pushteti qëndron gjatë në duart e të njëjtit person, shfaqet një fenomen i njohur: institucionet, deri edhe vetë parlamenti, fillojnë të funksionojnë si mburoja rreth pushtetit ekzistues.
Pushteti i gjatë aktivizon mekanizma populiste dhe korrupton edhe vetë popullin, siç vërehet edhe në rastin shqiptar!
Kujtoj edhe rastin e paprecedent të organizimin nga një parti politike të të ashtuquajturve patronazhistë, struktura të ngritura për propagandë dhe për monitorimin e territorit zgjedhor. Ky fenomen nuk ekzistonte në mandatin e parë, as në të dytin; u shfaq më vonë, si simptomë e një pushteti që zgjatet dhe nga frika kërkon të kontrollojë çdo qelizë të shoqërisë.
Ajo që i paraprin këtij fenomeni është krijimi i trupave SA nga A. Hitleri, që fillimisht nuk ishin të armatosur por kishin saktësisht atë qëllim për të cilën përdoren sot patronazhistët shqiptarë.
Nuk mendoj se z. Rama, për të cilin pata një farë simpatie në mandatin e parë, do t’i armatosë ata nëse rrezikon mandatin e ardhshëm. Por rreziku i një sjelljeje gjithnjë e më iracionale ekziston.
Kur dikush nis e u kundërvihet të gjitha institucioneve të vendit për të mbrojtur njerëzit e tij më të afërt, gjë që nuk do ta kishte bërë kurrë në mandatin e parë, kjo tregon se në mandatin e tretë e më tej ai ka hyrë në një fazë ku nuk kontrollon më as veten.
Qëndrimi i gjatë në pushtet krijon vartësi, sikundër droga, alkooli, por edhe seksi ka argumentuar një burrë i moshuar vjenez!
Të gjithëve u pëlqen një gjë e tillë por duhet kuptuar se politika nuk është fushë kënaqësish por detyrimesh të rënda në një botë në lëvizje, që ti nuk arrin t’i kuptosh më!
Duhet kuptuar se një këmbëngulje e tillë është shenjë se ke hyrë në një logjike iracionale. Duhet kuptuar se nuk mund të qeverisësh më njerëz që sapo kishin lindur kur ti erdhe në pushtet.
Alternimi i detyrueshëm me ligj kushtetues pas dy mandatesh është një mekanizëm jetik që garanton që çdo brez të ketë mundësinë të zgjedhë një drejtim të ri.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull