Kursi spanjoll në raportet me Kinën pas diferencave me SHBA-të

6 Minuta Lexim

Nga Aleksandër Çipa-

Konflikti ushtarak mes SHBA-Izrael kundër Iranit, po sjell intensivisht jo vetëm tensione dhe ndikime komplekse, por edhe situata zinxhir në arenën globale gjeopolitike. Sistemi i vjetër ndërkombëtar duhet të konsiderohet tashmë i paqenë dhe i shpërfillur në gjithë arkitekturën e vet. Ky konflikt po sjell komplikime tronditëse në strukturën dhe infrastrukturën e sistemit ekonomik, financiar, institucional dhe sipas shenjave të plota edhe konfigurime aleancash gjeostrategjike mes shteteve dhe fuqive globale. Rikompozime forcash po ndodhin nën flakën dhe sidomos tymin e djegieve mbi ujërat e ngushticës së Hormuzit dhe rishtazi edhe në Gjirin e Omanit.

Bllokada në rrugët tradicionale të qarkullimit tregtar të naftës dhe gazit që kalojnë përmes territorit ujor të Iranit, i ka shembur tregjet dhe po tjetërson krejtësisht sistemet kombëtare të tregjeve dhe të qarkullimeve rajonale, po krijon imponime të reja për tjetërsim marrëdhëniesh, kontratash dhe sidomos strategjish partneritetesh dhe aleancash ndërshtetërore dhe federale apo edhe ndërkontinentale. Dinamika diplomatike globale ka pësuar ndryshime, po shton dilema dhe sidomos po ekspozon qasje të reja të dukshme e të padeklarueshme.

Rikompozime forcash po ndodhin nën flakën dhe sidomos tymin e djegieve mbi ujërat e ngushticës së Hormuzit/Foto nga VCG

Një ndër zhvillimet më interesante të kësaj jave është afrimi aq në syrënie i Spanjës dhe Kinës. Vizita e kryeministrit spanjoll për pesë ditë në Kinë, vjen e vendosur në kontekstin e qëndrimit që Spanja mban ndaj konfliktit SHBA-Iran, i cili është krejt i ndryshëm nga vendet e tjera të perëndimit përgjithësisht. Kryeministri Pedro Sanchez është pozicionuar kundër dhe me artikulime kritike ndaj ndërhyrjeve ushtarake dhe politikës së SHBA-së kundër Iranit. Thelb i deklaratës më të qarkulluar në mediumet ndërkombëtare  prej kryeministrit Sánchez nënvizohet fakti se vendi i tij: “…nuk do të duartrokasë ata që i vënë flakën botës dhe më pas shfaqen si shpëtimtarë”, duke nënvizuar nevojën për diplomaci dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare.

Por përkundërtinë e vet zyrtare, Spanja e materializoi edhe më hapur  me hapat diplomatikë  të kohës së fundit, si vendi i parë që rihapi ambasadën në Teheran për të mbështetur proceset e ndërmjetësimit dhe paqes pas armëpushimit të përkohshëm mes SHBA-së dhe Iranit.

Këto qëndrime dhe veprimet diplomatike të fundit, ekspozojnë pozicionimin e Spanjës në raport me vendet e tjera të BE dhe aleatëve perëndimorë, në një linjë më të pavarur nga SHBA.

Takimet zyrtare të kryeministrit Sanchez në Pekin gjatë pesë ditëve afirmuan një intensifikim dhe ngritje në raport më konkretizues shkëmbimet, marrëdhëniet dhe reciprocitetin në disa lëmi me interes si në fushën e import-eksporteve, në shkëmbimet teknologjike dhe në fushën e investimeve dhe atë të raporteve qarkulluese në fushën e turizmit.

Politikisht ky kalendar vizitash kohët e fundit po thyen një rekord. Në nëntorin e kaluar, Mbreti Felipe VI i Spanjës vizitoi gjithashtu Pekinin, duke shënuar vizitën e parë të një mbreti spanjoll në Kinë në 18 vjet.

Partneriteti bilateral mes dy vendeve, jo vetëm që merr një kalibër të ri interesi, por krijon një shkallë ngjitjeje dhe afërie të Spanjës me Kinën.

Takimet e nivelit të lartë mes udhëheqësit spanjoll dhe  atyre kinezë, kulmuar dialogu me presidentin kinez, tregojnë një intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe. Kjo vizitë në Pekin dëshmon qasjen spanjolle për diversifikim strategjik: Spanja jo vetëm synon, por tashmë tenton pragmatisht të zgjerojë partneritetet ekonomike dhe politike përtej SHBA-së.

Në këtë qasje synohet përputhje diplomatike bilaterale për zgjidhje të konflikteve. Në themel të interesit ekonomik, Spanja po përcaktohet si partner i rëndësishëm me Kinën. Diplomacia e Madridit e njeh fort mirë realitetin; në të cilin vetë vendet europiane e kanë të përcaktuar tashmë nevojën dhe interesin ndaj fuqisë tregtare dhe investuese të Kinës.

Kursi i ri që po vetëzgjedh Spanja në marrëdhënie me Kinën, natyrisht që po impakton marrëdhëniet transatlantike dhe sipas gjasave edhe mund të lëvizë vektorët e brendshëm gjeostrategjikë në bashkësinë e vendeve të BE-së. Këto diferenca mes Spanjës dhe SHBA-së, veçanërisht në raport me Iranin,  do të krijojnë tensione në raportet transatlantike, mund të sjellin komplikime, por sipas gjasave nuk pritet një prishje e thellë. Spanja mbetet pjesë e NATO-s dhe një aleat strategjik i SHBA-së, megjithatë po tregon një politikë të jashtme më të mëvetësishme.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez Pérez-Castejón provon produktet kineze elektronike Xiaomi/Foto nga guancha.cn

Konteksti në të cilin ndodh afrimi Spanjë-Kinë, rrethanat dhe implikimet e pritshme në rrjetin kaotik të interesave rajonale dhe kontinentale, e bëjnë edhe më të ndryshuar raportin diplomatik mes Kinës dhe shteteve kombëtare brenda vetë Europës. Spanja përmes kalendarit aktual diplomatik dhe sidomos me agjendën bilaterale aktuale me Kinën, ekspozon dukshëm distancim të pjeshshëm por përmbajtësor nga politikat amerikane. Ky trend reflektohet si i tillë edhe më gjerë, në politikën ndërkombëtare. Krerët politikë të vendeve kryesore europiane kërkojnë më shumë pavarësi strategjike dhe po orientohen dukshëm kah balancimi mes fuqive të mëdha. Nuk ka asnjë dyshim që sprovat për ruajtjen apo afirmimin e këtij balancimi mbeten ende shumë të mëdha dhe me risqe. Në pozitën e ndërmjetshmërisë asimetrike, pra BE-së dhe Kinës, Spanja kurajshëm tenton një ekuilibër midis kërkimit të mundësive për vetveten dhe menaxhimit të konkurrencës gjeopolitike mes fuqive të mëdha.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull