Nga Ermal Peçi-
Rënia e Viktor Orban në Hungari nuk është thjesht një rotacion pushteti. Është fundi i një modeli, i një sistemi që ndërtohet mbi kontrollin, zgjatjen artificiale të pushtetit dhe iluzionin e pathyeshmërisë. Për më shumë se një dekadë e gjysmë, Orban ndërtoi një regjim që formalisht ruante zgjedhjet, por në thelb kontrollonte institucionet, median dhe ritmin e jetës politike. Ai krijoi një realitet ku pushteti dukej i përhershëm, por pikërisht aty nisi edhe rënia e tij.
Orban nuk humbi thjesht përballë një kundërshtari. Ai humbi përballë lodhjes së një shoqërie që kishte filluar të ndiente koston e një sistemi të mbyllur. Ekonomia, e goditur nga inflacioni dhe mungesa e dinamizmit, e bëri gjithnjë e më të vështirë justifikimin e pushtetit të gjatë. Akuzat për korrupsion dhe klientelizëm minuan besimin publik dhe ndërkohë përplasjet me Bashkimin Europian nuk mbetën thjesht debate ideologjike; ato u kthyen në kosto konkrete për qytetarët, përmes fondeve të bllokuara dhe izolimit politik.
Në këtë klimë, fitorja e Peter Magyar nuk ishte një surprizë, por një pasojë logjike. Ajo që e bëri të mundur këtë fitore nuk ishte vetëm programi politik, por fakti që ai përfaqësonte një dalje nga sistemi. Magyar nuk ishte pjesë e ciklit të konsumuar të pushtetit. Ai nuk mbante mbi vete barrën e kompromisit të gjatë. Ai ishte, mbi të gjitha, një alternativë që nuk kërkonte thjesht të zëvendësonte Orban-in, por të ndryshonte rregullat e lojës dhe të fuste konceptet e të djathtës liberale dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me BE dhe jo me kokën kthyer nga Rusia.
Siç paralajmëronte Adam Smith, “monopolet dhe privilegjet e përhershme janë armiqtë më të mëdhenj të një tregu të lirë”. Kjo nuk vlen vetëm për ekonominë, por edhe për politikën. Këtë kuptoj Magyar më shpejt seckushdo sepse kur pushteti bëhet monopol, ai humbet legjitimitetin.
Kjo është arsyeja pse ajo që ndodhi në Hungari ka rëndësi për Shqipërinë.
Se nëse Hungaria pati një Orban, Shqipëria ka “Orbanët” e saj. Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta janë tre figura që kanë dominuar jetën politike për më shumë se tre dekada. Në sipërfaqe ata duken si kundërshtarë të ashpër, por në thelb janë pjesë e të njëjtit sistem, një sistem që riciklon pushtetin pa e transformuar atë.
Ky është një sistem ku rotacioni ndodh, por ndryshimi jo. Ku partitë ndërrohen, por logjika e qeverisjes mbetet e njëjtë. Ku shteti shpesh identifikohet me liderin dhe jo me institucionin, dhe mbi të gjitha është një sistem që nuk prodhon dalje të reja, sepse nuk i lejon ato të rriten.
Në këtë kuptim, “Orbanët e Shqipërisë” nuk janë kopje të modelit hungarez, por një reflektim lokal i të njëjtit fenomen: zgjatja e pushtetit nëpërmjet mekanizmave jodemokratikë.
Por, ndryshe nga Hungaria, Shqipëria ka një kontekst krejt tjetër: aspiratën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe presionin e brendshëm të reformës në drejtësi përmes SPAK. Kjo aspiratë nuk është vetëm një objektiv diplomatik, por një test i vërtetë sistemi. Bashkimi Europian nuk mat demokracinë vetëm me zgjedhje, por me standarde; jo vetëm me rotacion, por me funksionim real të institucioneve; jo me liderë të fortë, por me rregulla të forta që vlejnë njësoj për të gjithë.
Në këtë kuptim, SPAK është një krijesë e këtij procesi, si një institucion hetimor që po trondit ekuilibrin e pushtetit politik në Shqipëri. Për herë të parë pas shumë vitesh, politika nuk është më e imunizuar nga drejtësia. Kjo ka një efekt të drejtpërdrejtë: e bën shumë më të vështirë që rotacioni politik të prodhohet nga të njëjtët aktorë që janë pjesë e konfliktit të përhershëm me sistemin e drejtësisë.
Në një sistem normal demokratik, rotacioni vjen nga konkurrenca e ideve dhe besimi publik. Në Shqipëri, për shumë vite ai është mbajtur peng nga një rreth i mbyllur politik që përfshin figura të konsumuar si Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët kanë qenë pjesë e pushtetit dhe konfliktit politik për dekada.
Nga ana tjetër kemi kryeministrin e vëndit Edi Ramën, të cilit SPAK i ka hyrë në zemër të Kryeministrisë. Vetë kryeministri, me fuqinë e shumicës parlamentare dhe kartonëve politikë, e ka vendosur veten në një raport të tensionuar me SPAK-un, dhe kjo u pa tek e besuara e tij Belinda Balluku.
Sikur mos të mjaftonte kjo situatë Rama është parë duke e suëmuar me gjuhë shumë të ashpër SPAK dhe prokurorët e tij si një institucion që cenon ekuilibrin e pushtetit të tij dhe “rehatinë” e qeverisjes. Por në një klimë ku drejtësia po bëhet gjithnjë e më aktive, kjo përplasje nuk është më thjesht politike, është strukturore.
Pas më shumë se 13 vitesh në pushtet, pyetja që shtrohet nuk është vetëm politike, por edhe institucionale: sa mund të zgjasë një model qeverisjeje kur skandalet dalin me ritëm të vazhdueshëm, kur perceptimi i korrupsionit thellohet dhe kur edhe Bashkimi Europian ka ngritur alarme serioze për menaxhimin e fondeve si në rastin e programit IPARD?
Në këto kushte, qëndrueshmëria politike nuk varet më vetëm nga kontrolli i brendshëm i partisë apo nga shumica parlamentare, por edhe nga besimi institucional, presioni ndërkombëtar dhe aftësia për t’u përballur me një sistem drejtësie që nuk është më dekorativ, por aktiv.
Në këtë realitet të ri, lind nevoja për një rikonfigurim të vetë politikës shqiptare dhe të së djathtës. Prandaj sot vjen domosdoshmëria e një të djathte liberale: një force që nuk e sheh shtetin si pronë të liderit, por si sistem rregullash; që nuk ndërton pushtet mbi besnikëri personale, por mbi konkurrencë të hapur dhe institucione të forta; që e sheh integrimin në Bashkimin Europian si standard qeverisjeje, jo si destinacion politik.
Problemi i Shqipërisë nuk është vetëm kush qeveris. Problemi është nëse sistemi lejon dikë tjetër të qeverisë realisht. Hungaria dha një përgjigje të qartë: edhe sistemet më të forta mund të bien kur shoqëria kërkon ndryshim dhe kur alternativa lind, madje edhe nga brenda vetë establishmentit, duke u shkëputur prej tij. Shqipëria ende po e kërkon këtë përgjigje, por ndryshe nga më parë, ajo po ecën nën presionin e një drejtësie që nuk është më dekorative, por operative.
Prandaj liria nuk trashëgohet nga sistemet, por fitohet vazhdimisht nga shoqëritë që refuzojnë të jetojnë gjatë nën hijen e një pushteti të pakontrolluar dhe që e shohin Europën dhe Bashkimin Europian si ura të domosdoshme të demokracisë, standardit dhe llogaridhënies.

