Nga Emrush Xhemajli-
Sipas një deklarate të Veton Surroit në KTV “UÇK nuk ka qenë as ushtri, as çlirimtare, as e Kosovës”, sepse, sipas tij, ajo nuk ishte ushtri, por “grup i armatosur”; nuk ishte çlirimtare, por “i shërbente një qëllimi politik”; dhe nuk ishte e Kosovës, sepse “nuk ishte e tërësishme për gjithë Kosovën”. Ky deklarim i Surroit është për keqardhje. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte edhe ushtri, edhe çlirimtare, edhe e Kosovës; madje e formuar për çlirimin e trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi.
Po, grupet e armatosura kanë ekzistuar deri në vitin 1994. Nga 17 nëntori i atij viti, nën kujdesin e LPK-së, u formua dhe u zhvillua ushtria e vendit tonë – Ushtria Çlirimtare e Kosovës. LPK dhe UÇK i shërbenin qëllimit politik për çlirimin e vendit, që ishte i shprehur edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në Ligjin për zbatimin e Kushtetutës së vitit 1990. Kushtetuta dhe Ligji për zbatimin e saj obligonin largimin e forcave okupuese nga Kosova. Dështimi për ta zbatuar këtë obligim i përket atyre që kishin marrë mandate në vitin 1992. Prandaj, ashtu siç thuhet në nenin 77 të Kushtetutës së vitit 1990, është detyrë dhe nder i çdo qytetari të vendit të luftojë për Kosovën. Është për çdo mirënjohje Lëvizja Popullore e Kosovës që formoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe, bashkë me botën demokratike, përmbushi atë që kërkohej nga populli – çlirimin e vendit. Prandaj, lufta e UÇK-së ishte çlirimtare, progresive dhe humane. Po, UÇK nuk përfshinte të gjitha variantet politike të Kosovës. Por kjo ishte e pashmangshme. Ajo u krijua për t’u mundësuar të luftojnë e ndihmojnë të gjithë ata që deshën t’i dalin zot vendit, pavarësisht krahine, feje apo ideje. Fakti që dikush i kishte vënë idetë pacifiste mbi nevojën për çlirim, apo nuk dëshironte të merrte pjesë në luftën për largimin e okupatorit, nuk e bën një ushtri të mos quhet ushtri e atij vendi. Në asnjë luftë çlirimtare, forcat që luftojnë me armë nuk janë tërësore; pra nuk mund të përfshijnë edhe ata që nuk duan të luftojnë, por synojnë zgjidhje pa luftë.
Tashmë është e provuar se lëvizja pacifiste e lindur më 1989/90, e quajtur “alternativë”, medemek “as me okupatorin, as me lëvizjen çlirimtare”, u kollapsua në vitin 1993. Ajo dështoi. Ndërsa koha dëshmoi se vija politike çlirimtare, në krye me LPK-në dhe e zbatuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte rruga që e çoi popullin tonë drejt shpëtimit. I kuptojmë këto forca të dështuara pacifiste, të cilat flirtuan me pushtuesin në kohën e okupimit, por nuk mund t’i mirëkuptojmë. Si duket, ato ende e kanë të vështirë të adaptohen në Kosovën e pavarur, në të cilën nderohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe heronjtë e saj. Andaj, herë pas here, ato përpiqen të mbulojnë dështimin e tyre duke sulmuar forcat që patën sukses në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vetë UÇK-në. Kjo nuk është rrugë e nderit. Nuk u shërben për asgjë. Dhe, mbi të gjitha, është një mision i pamundur, që më shumë flet për ata që sulmojnë. Fitorja e forcave atdhetare është e vulosur me sakrificën dhe gjakun e çlirimtarëve dhe nuk mund të zhbëhet me deklarata që shprehin pasione.

