SUBJEKTIVIZMI SPIRITUALIST I EDI RAMËS DHE KUFIZIMET E TIJ NË KONCEPTIMIN E ARTIT, GJUHËS DHE BESIMIT

7 Minuta Lexim
Nga Muharem Jakupi-
Ky shkrim merr shkas nga një intervistë e fundit e Kryeministrit Edi Rama, botuar në gazetën Tema më 5 prill 2026, në të cilën ai shpalos një sërë pikëpamjesh për gjuhën shqipe, për të bukurën, për fenë, për librat e shenjtë dhe për raportin e njeriut me besimin. Disa nga formulimet e tij, të cilat në pamje të parë mund të duken si reflektime të lira personale, mendoj se meritojnë një vështrim kritik, pasi, duke qenë se artikulohen nga një kryeministër, ato ndoshta shprehin diçka më shumë sesa thjesht bindjet dhe zgjedhjet personale të një individi.
Në këtë intervistë, Edi Rama shfaq një botëkuptim thellësisht subjektiv, spiritualist dhe unifikues. Kjo duket kur ai e vë në qendër dashurinë personale për gjuhën shqipe, kënaqësinë për të lozur me fjalët, bindjen se botën do ta shpëtojë e bukura, si edhe mendimin se librat e shenjtë duken të shkruar nga i njëjti autor. Me të njëjtin vizion ai lidh edhe projekte si “Parku i Besimit” – një hapësirë simbolike e harmonizimit të feve.
Problemi nuk qëndron te e drejta e tij për të pasur bindje personale. Problemi nis kur përvoja vetjake paraqitet si bazë e mjaftueshme për pohime më të përgjithshme mbi gjuhën, artin, fenë dhe kulturën. Sepse gjuha, letërsia, eseistika dhe arti nuk marrin vlerë nga entuziazmi i autorit për to, por nga ajo që bëhen kur mishërohen në ligjërim, në tekst, në vepër. Të duash gjuhën nuk mjafton ende për ta kthyer atë në shkrim të arrirë. Të ndihesh mirë me fjalët nuk mjafton ende që kjo ndjesi të fitojë peshë të përgjithshme kulturore.
Këtu qëndron edhe dobësia më e dukshme e kësaj interviste. Rama e paraqet shqipen kryesisht si fushë dashurie, loje dhe kënaqësie personale. Kjo, në vetvete, nuk është gabim. Mund të jetë një pikënisje e ligjshme. Por ajo nuk bëhet vetvetiu kriter vlere. Pikërisht aty ku kënaqësia personale del si argument më i gjerë mbi gjuhën ose shkrimin, nis rrëshqitja nga përjetimi individual në formulim të përgjithshëm.
Po aq problematike është edhe mënyra si trajtohet e bukura. Kur ajo ngrihet në forcë pothuaj shpëtimtare, kemi jo një të vërtetë të provuar, por një besim idealist, të vjetër për kohën tonë. Në një epokë të shënuar nga pluralizmi i botëkuptimeve, nga shekullarizimi dhe nga vetëdija për kufijtë e artit, një formulë e tillë tingëllon si bindje tepër subjektive sesa si mendim i qëndrueshëm. E bukura mund të ndriçojë përvojën, ta përqendrojë dhe ta thellojë atë, por nuk e zëvendëson realitetin, nuk e shuan tragjiken dhe nuk e zgjidh historinë.
Subjektivizmi i tij bëhet edhe më i dukshëm në fushën e fesë. Kur ai thotë se librat e shenjtë duken sikur janë shkruar nga i njëjti autor apo kur imagjinon një hapësirë ku dallimet ndërmjet feve zbuten nën një qiell të përbashkët simbolik, ai nuk shpreh një njohuri të vërtetueshme, por një dëshirë pajtuese, një vizion personal për unitetin e besimeve. Kjo mund të ketë vlerë morale ose politike në planin e bashkëjetesës, por nuk mund të merret si e vërtetë e provuar për historinë e feve, për përmbajtjet e tyre ose për kulturën në përgjithësi. Këtu kemi të bëjmë me një spiritualizëm sinkretist dhe idealizues, jo me një horizont shkencor njohjeje.
Në fund, dobësia më e madhe e këtij qëndrimi është se ai priret t’i anashkalojë format konkrete të ekzistencës, duke i dhënë përparësi një përjetimi më të përgjithshëm dhe duke e ngritur përvojën personale në nivel formulimesh me pretendim më të gjerë. Gjuha paraqitet, para së gjithash, si objekt dashurie, feja si shenjë e një njësie më të lartë, ndërsa e bukura ngrihet në një funksion pothuaj shpëtimtar. Por këto përmasa, sado tërheqëse në tingëllim, nuk mjaftojnë për të themeluar një kuptim të qëndrueshëm mbi artin, gjuhën ose kulturën. Këto fusha kuptohen seriozisht vetëm kur kthehemi te format e tyre konkrete: te teksti, te ndërtimi, te rendi i brendshëm dhe te mënyra si ato veprojnë realisht mbi lexuesin.
Kur këto bindje mbeten në rrafshin privat, ato janë thjesht shprehje e një botëkuptimi personal. Po kur mbarten në drejtimin e shtetit, ato mund të sjellin pasoja publike. Kjo ndodh sepse një vizion idealist i së bukurës, i besimit dhe i “harmonisë” rrezikon të kthehet në parim orientues të politikës publike, duke i dhënë përparësi projekteve simbolike, estetizuese ose shpirtërore, në vend të përparësisë së nevojave materiale dhe sociale të qytetarëve. Vetë fakti që Kryeministri e ka lidhur publikisht këtë botëkuptim me nisma si “Parku i Besimit” apo me atë që është quajtur “obsesion pas kozmetikës së imazhit turistik të vendit” e bën të ligjshme pyetjen nëse shija, metafizika dhe vizioni i tij personal po synojnë të marrin trajtë institucionale. Në një shtet modern, drejtimi publik nuk mund të personalizohet sipas bindjeve estetike ose spiritualiste të një individi, sado i lartë të jetë funksioni i tij. Ai duhet të mbështetet te interesat konkrete, pluralizmi real i shoqërisë dhe përparësia e mirëqenies së përditshme të njerëzve. Kjo është edhe pika ku historia zakonisht merret më pak me justifikimin e motiveve dhe më shumë me gjykimin e pasojave.
Prandaj, filozofia estetike e Ramës, sado e ngrohtë dhe tërheqëse në tingëllimin e saj, mbetet tepër subjektive për t’u pranuar si koncept i qëndrueshëm mbi artin dhe gjuhën. Ajo është më afër një feje personale të së bukurës sesa një kuptimi të qëndrueshëm, të realizuar përmes veprës artistike. Dhe pikërisht këtu qëndron kufizimi i saj themelor.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull