Bullgaria fiton Eurovision. Këngëtarja Dara nga Bullgaria u shpall fituese me këngën “Banagaranga” duke marr 516 pikë. Pikët kryesore që vendosën fituesin u caktuan nga vota e publikut.
Izraeli u rendit në vendin e dytë me 343 pikë.
Shqipëria u rendit në vend të 13 me 145 pikë. Kënga ‘Nan” e Alis arriti të merrte 85 pikë nga publiku.
Portugalia rezultoi vendi që mbështeti më shumë Shqipërinë, duke i akorduar 12 pikët maksimale.
Edhe Mali i Zi vlerësoi këngën shqiptare me 10 pikë. Nga ana tjetër, Shqipëria ia dha 12 pikët e saj Italisë, ndërsa kjo e fundit nuk i dha asnjë pikë vendit tonë. Ndërkohë, Greqia e vlerësoi Shqipërinë me vetëm 1 pikë.
Fitues një vend i Ballkanit
Bulgaria është vendi i parë i Ballkanit që fiton Eurovision falë këngës “Bangaranga” nga Dara. Bullgaria u rikthyer në garë në edicionin e Vjenës 2026 pas katër vitesh mungesë nga kompeticioni dhe rikthimi rezultoi historik.
Të gjitha votat e publikut të hedhura gjatë mbrëmjes u numëruan dhe u verifikuan dukeu i dhënë fitoren një këngë e cila ishte suprizë. Artistja arriti të fitonte garën me gjithsej 516 pikë.
Sipas traditës së Eurovisionit, fillimisht u shpallën votat e jurive dhe më pas votat e publikut. “Bangaranga” dominoi votimin e jurive me 204 pikë, ndërsa nga televotimi mori 312 pikë.
Kush është Dara?
Dara konsiderohet një nga artistet më të njohura të muzikës pop në Bullgari, duke formësuar imazhin e pop-it modern bullgar me zërin e saj unik, prezencën energjike në skenë dhe stilin që kombinon zhanre të ndryshme muzikore.
Ajo është bërë e famshme me hitet “Thunder”, “Call Me” dhe “Mr. Rover”, këngë që dominuan klasifikimet muzikore për javë të tëra. Përveç suksesit në Bullgari, DARA është kthyer në një figurë të rëndësishme edhe në skenën moderne muzikore të Ballkanit.
Këngët dhe videot e saj kanë kaluar mbi 80 milionë dëgjime dhe shikime, ndërsa ajo ka qenë gjithashtu mentore në The Voice of Bulgaria gjatë viteve 2021 dhe 2022.
Në vitin 2025 ajo publikoi albumin “ADHDARA”, projekti i saj më personal deri tani, i cili shënoi kalimin nga një artiste e njohur kombëtare drejt një identiteti muzikor ndërkombëtar dhe një pranie gjithnjë e më të madhe globale.

Debatet për eurovision
Finalja e madhe e Eurovisionit 2026 u shoqërua me atmosferë festive, por edhe me tensione të forta politike, duke e kthyer skenën e konkursit jo vetëm në një spektakël muzikor, por edhe në një arenë debatesh ndërkombëtare.
Ajo që nisi pas Luftës së Dytë Botërore si një festival për të bashkuar Europën, këtë vit u shndërrua në një nga edicionet më përçarëse në historinë e konkursit, për shkak të protestave kundër pjesëmarrjes së Izraelit dhe luftës në Gaza.
Edicioni i 70-të, i mbajtur në Vjenë, u shoqërua me protesta për muaj me radhë, ndërsa pesë shtete vendosën të bojkotonin garën.
Siguria në kryeqytetin austriak ishte e lartë, me masa të shtuara policore dhe demonstrata pranë arenës së konkursit.
Izraeli konsiderohej një nga favoritët kryesorë për fitore, së bashku me violinisten finlandeze Linda Lampenius dhe këngëtarin Pete Parkkonen.
Shtetet që bojkotuan festivalin
Spanja ishte vendi më i madh që u tërhoq nga gara. Si pjesë e “Big 5”, mungesa e saj krijoi një boshllëk të madh financiar dhe televiziv për organizatorët e Eurovisionit.
Irlanda u tërhoq në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit, duke përmendur krizën humanitare në Gaza
Holanda bojkotoi zyrtarisht eventin, megjithëse televizioni publik vijoi transmetimin e konkursit.
Islanda deklaroi se “nuk ka paqe dhe gëzim” në konkurs në situatën aktuale dhe vendosi të mos marrë pjesë.
lovenia zëvendësoi transmetimin e Eurovisionit me programe speciale kushtuar Palestinës.
Pavarësisht polemikave dhe tensioneve, Eurovision 2026 mbetet një nga edicionet më të ndjekura dhe më të komentuara në historinë e konkursit.

