Çfarë na mungojnë: personalitet me vlera apo kultura e vlerësimit?

3 Minuta Lexim
Një mik që e respektoj, madje sa herë ndesh postimet e tij në FB përpiqem t’i lexoj, para 2-3 ditësh shkruante: “Vetëm kur të kemi personalitete të tillë, që t’i përcjellë i gjithë kombi për në banesën e fundit, mund të themi se kemi patur vlera! Deri tani unë nuk njoh të tillë.”
Duke e lexuar m’u kujtua se edhe përcjellja e Ismail Kadaresë u bë shkak që në rrjetet sociale të dalloje dy grupime ekstreme: ata që e vlerësonin deri në kufijtë e idealizimit dhe të tjerë që e mohonin deri në ledhet e përdhosjes. Është e tepërt të them se Kadareja nuk është dokushdo, por një shqiptar, vepra e të cilit rrezaton vlera të pranuara gjerësisht edhe nga bota, jo vetëm nga botues, por edhe nga enciklopedi prestigjioze dhe akademi qindravjeçare.
Mungesa e figurave të përbashkëta është një simptomë e thellë e kulturës sonë publike. Por pas të gjitha gjasave kjo tregon se nuk kemi arritur të ndërtojmë një “memorie kolektive” ku disa personalitete të pranohen unanimisht si përfaqësues të vlerave të kombit. Edhe në këtë rrafsh ia kemi dalë mbanë t’i mbetemi besnikë sarkazmit të Fishtës: e ke më lehtë të mbushësh një thes me pleshta, sesa të bësh bashkë dy shqiptarë…
Vazhdojmë të kemi një fragmentim të dëmshëm politik e shoqëror. Jemi të prirur që çdo figurë ta vlerësojmë përmes lenteve të partisë, krahinës apo ideologjisë. Afërmendsh kjo e bën të pamundur që një personalitet të pranohet pa rezerva nga të gjithë.
Faktor tjetër përbën fakti që ushqehemi nga një kulturë e fortë mosbesimi. Në vend që të ndërtojmë respekt të përbashkët, shpesh nxitojmë të gjejmë vetëm dobësitë e tjetrit. Kështu edhe ata që kanë dhënë e japin shumë, mbeten të kontestuar. Kultura e mosbesimit është e lashtë, se mbështetet në pohimin biblik “është vështirë të bëhesh profet në katundin tënd”, por rrjetet sociale e kanë vitalizuar si rrallë ndonjëherë.
Gjithsesi ka të ngjarë që pjesën e luanit në këtë handikap ta ketë mungesa e institucioneve të forta dhe prestigjioze. Kur nuk ke institucione të hajrit që ta prodhojnë e ta ruajnë kujtesën e përbashkët, figura të mëdha mbeten të përfolura e të dyshuara.
Në këtë kuptim, mungesa e figurave të përbashkëta nuk është aq mungesë individësh, por mungesë e një ndërgjegjeje të përbashkët. Vetëm kur shoqëria arrin të tejkalojë ndarjet klanore, ideologjike e politike dhe të pranojë se disa njerëz vlejnë më shumë se përkatësitë tona individuale, vetëm atëherë ngjizen figura që i përcjell i gjithë kombi.
Më saktë, vetëm atëherë do të arrijmë të asimilojmë të gjitha vlerat kombëtare, vlera që gjithsesi i kemi modeste, se jemi popull i vogël dhe shumicën e kohës historinë nuk e kemi patur nënë po njerkë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull