Kur rrufeja nuk bie, analizë e çmimit të mosndëshkimit

6 Minuta Lexim

Nga Andi Mustafaj-

Në filozofinë e Greqisë së lashtë gjendet një prej bazave më të mëdha të urtësisë njerëzore. Mënyra si është ndërtuar mitologjia e tyre na jep shumë mësime. Njëri prej tyre është veçanërisht i vlefshëm sot dhe lidhet me figurën e Zeusit.

Zeusi është zoti suprem i panteonit grek, sundimtari i Olimpit. Pozita e tij nuk buron nga krijimi i botës apo nga kontrolli mbi forcat themelore të natyrës. Ajo buron nga fitorja: Zeusi mori pushtetin pasi rrëzoi Titanët, duke çliruar gjeneratën e re të perëndive. Sundimi i tij është i fituar, jo i trashëguar.

Atributi i tij kryesor është rrufeja, arma dhe simboli i ndëshkimit. Ai e lëshon kur dikush shkel rendin hyjnor, kur arroganca njerëzore kalon kufirin, kur drejtësia kërkon ndërhyrje. Në ndërtimin filozofik të kësaj figure, pajisja me atributin e ndëshkimit përmbi atë të jetës nuk është rastësi. Ai që ndëshkon ka fuqinë. Ai që ndëshkon vendos rendin.

Ndëshkimi i përdorur mirë sjell disiplinë, punë, ritëm, dinamikë. Ndëshkimi i përdorur keq sjell revoltë ndaj edhe Zeusi e lëshonte rrufenë me masë dhe me arsye. Por ai e lëshonte. Dhe të gjithë e dinin se ajo kishte gjasa të binte.

Në këtë pikëpamje lind pyetja për ne sot: a bie më rrufeja në oborrin e Partisë Demokratike? A ndëshkohet njëri për moskryerjen e detyrës, mosarritjen e qëllimeve të vendosura, gabimet në vendimmarrje?

Që të mos keqkuptohemi: mua më intereson në radhë të parë Partia Demokratike dhe do t’i dal para kritikave që lidhen me regjimin. Shqipëria është nën një regjim autokratik, zgjedhjet vidhen. Sistemin e kam analizuar në dhjetë pjesët e para të kapitullit “Anatomia e Regjimit” në Manifest. Thënë të gjitha këto, regjimi nuk mund të jetë në çdo rast justifikim për dështimet tona. Jo çdo betejë e një partie politike bëhet me regjimin. Disa beteja janë plotësisht të brendshme: ligjërimi publik, mirëfunksionimi i strukturës, thithja dhe menaxhimi i burimeve njerëzore, një sërë çështjesh që nuk lidhen drejtpërdrejtë me kundërshtarin.

Mbaj mend vitet e punës në sektorin e hartimit të legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë, 14 vite më parë. Prodhonim memo shpjeguese, argumente juridike dhe politike sepse kur ministri shkonte në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, debatet ishin të vërteta dhe të forta. Ministrat e papërgatitur merrnin qortime të ashpra. Ekzistonte ajo re e errët mbi kokë, frika e ndëshkimit. Dhe kjo frikë bënte që edhe nëpunësi i thjeshtë, siç isha unë, të kishte ankth e stres kur përgatiste punën. Jo ankth të shkatërrimit por ankth të standardit.

A ekziston sot kjo frikë brenda Partisë Demokratike? Mendoj se jo. Kjo është një nga problemet sistemike dhe strukturore më të rënda nga të cilat vuajmë. Sot, nëse i ngarkohet dikujt një detyrë, në çfarëdo hallke të partisë dhe ai dështon, nuk ka pasoja negative. Jemi në kushtet e një lëvizjeje vetëm në një drejtim: mund të promovohesh, por kur dështon nuk ndodh gjë ose më saktë, ngelesh aty ku je, duke bllokuar pozicionin dhe ngurtësuar strukturën.

Filozofia “mos të bëjmë hatermbetje” ka prodhuar një dënim të dyfishtë: hatermbetje ka gjithsesi dhe punë ska. Nuk arrihet objektivi, s’ka gjë. Nuk rritet partia, s’ka gjë. Nuk organizohet aktiviteti, s’ka gjë. Pasoja zero.

Logjika është e thjeshtë dhe e pamëshirshme: nëse dështimi sjell ndëshkim, ai që do të vijë pas do të punojë më mirë. Ndoshta nuk do ta arrijë qëllimin por të paktën do të vendoset standardi. Standardi është ai që ngre nivelin. Standardi është ai që prodhon disiplinë. Disiplina, jo ajo e të nënshtruarve ndaj pushtetit, por ajo e njerëzve të lirë që kanë zgjedhur bashkërisht të respektojnë rregullat është shtylla kurrizore e çdo organizimi fitues.

Zeusi politik duhet ta rigjejë rrufenë e vet.

E them me keqardhje, por në krahun tjetër, tek regjimi, frika e ndëshkimit është e plotë dhe e vazhdueshme. Rama shkon edhe më larg: poshtëron njerëzit publikisht dhe vazhdimisht, duke krijuar jo vetëm frikë por nënshtrim total. Ky model nuk është dhe nuk mund të jetë i yni as moralisht, as filozofikisht. Ata i lidh korrupsioni. Ne duhet të gjejmë gjërat që na lidhin bashkë vlerat e përbashkëta, kauzën e përbashkët.

Por krahasimi vlen në një pikë të vetme: pasojat e frikës së ndëshkimit janë reale. Ata kanë ndërtuar një strukturë që funksionon me mjete të paligjshme, me kodin e mafies, me shantazhin si lidhës. Ne duhet të ndërtojmë një strukturë që funksionon me mjetet tona: me besimin e ndërsjellë, me përgjegjësinë e llogaridhënies, me ndëshkimin si akt drejtësie brenda grupit dhe jo si akt poshtërimi.

Dallimi midis dy llojeve të ndëshkimit është pikërisht ky: njëri poshtëron, tjetri ngre standardin. Njëri krijon skllevër, tjetri krijon profesionistë. Njëri frikëson individin, tjetri mbron grupin.

Partia Demokratike ka nevojë për të dytin, jo për re të errëta mbi çdo kokë, por për vetëdijen e qartë, të internalizuar nga të gjithë, se dështimi ka pasoja dhe arritja ka shpërblim.

Rrufeja e Zeusit nuk ishte instrument terrori. Ishte garanci e rendit. Dhe rendi, pa të, shpërbëhet, jo me bujë, por në heshtje, pak e nga pak, duke u mjaftuar me argumentin se regjimi është autokratik dhe zgjedhjet vidhen, ndërkohë që puna e përditshme nuk bëhet.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull