Një komb pa kujtesë nuk ka themele

2 Minuta Lexim

Nga Evarist Beqiri

Në prag të 250-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë rikthyer vëmendjen te “Etërit Themelues”. Te elita që ndërtoi themelet e republikës. Nderimi i tyre nuk është thjesht një ceremonial rutinë. Ai është një mekanizëm i qëndrueshëm për të ndërtuar kujtesë institucionale dhe identitet kombëtar.

Në Shqipëri, termi “Etërit Themelues” përdoret shpesh. Por lind një pyetje thelbësore: a kemi ne një kulturë të vërtetë nderimi për ta?

Delegatët e Kuvendit të Vlorës, firmëtarët e Aktit të Pavarësisë dhe elita politike e intelektuale e kohës përbëjnë bërthamën themeluese të shtetit shqiptar. Por historia njeh edhe rolin vendimtar të një figure qendrore.

Ismail Qemal Vlora nuk ishte vetëm firmëtari i aktit të Pavarësisë. Ai ishte arkitekti politik që arriti të përkthejë aspiratën kombëtare në një akt konkret shtetformues në momentin më kritik për kombin.

Këto dy qasje nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato plotësohen. Shtetet ndërtohen nga vizioni i një lideri dhe nga kontributi i një elite. Si për çdo vepër të madhe, kërkohet projekti i arkitektit dhe puna e shumë duarve.

Por problemi ynë nuk është te emërtesa.

Problemi është te mënyra si i trajtojmë ata sot. Në SHBA, kujtesa për themeluesit është e institucionalizuar, në arsim, në simbole, në jetën publike. Në Shqipëri, ajo mbetet shpesh episodike, e fragmentuar dhe jo rrallë e politizuar.

Po të mos i kishim emrat e tyre në libra, a do t’i njihnim ne ata, nga mënyra sesi e kemi ndërtuar sot shtetin?

Një komb nuk e shfaq vetveten vetëm me historinë e tij, por mbi të gjitha me mënyrën sesi zgjedh ta kujtojë atë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull