Politika shqiptare në udhëkryq: evolucion apo revolucion; ky është debati më i zjarrtë i qershorit të këtij viti, vetëm 3 ditë para festimit të 35 vjetorit të krijimit të PS, partia prej shumë vjetësh në pushtet dhe tashmë në qendër të kritikave dhe reagimit publik me apelin për “REVOLUCION!”, një fjalë që pothuaj që fshirë nga fjalori dhe diskursi politik shqiptar.
Dhe pikërisht këto ditë Spiro Dede, një nga protagonistët nën hije të politikës shqiptare në vitet ’90, ende pa shpërthyer furtuna e sotme, dorëzoi për botim kujtimet se si Partia e Punës (komuniste) e vitit 1991 hoqi dorë nga revolucioni dhe rruga e vjetër duke u transformuar në Partia Socialiste, parti social-demokrate e modelit evropian, proces pas të cilit ajo mori pushtetin dhe u bë partia më e votuar në vend. Por si ndodhi që partia më komuniste e më revolucionare në retorikë se Marksi e Engelsi vetë të reformohej rrënjësisht: çfarë procese ngjanë dhe cilët ishin ata që ideuan dhe bindën edhe komunistët fanatikë të ndryshonin mendje duke u ndarë nga e kaluara. Shënimet e kujtimet e libri të ri “Socialistja” janë dëshmi e drejtpërdrejtë e asaj udhe. Ato nuk janë vetëm një histori e shkurtër e procesit të kalimit nga Parti e Punës në Parti Socialiste, por edhe një pasqyrë e fond burimor i atij procesi që realizoi kapërcimin shoqërisë shqiptare nga totalitarizmi në demokraci. Tani Shqipëria është në një udhëkryq të ri: a do të gjenden prapë njerëz të mençur e vizionarë në politikën shqiptare që të gjendet rruga e dhe jo e kthimit pas? Libri i Spiro Dedes është një përvojë e çmuar politike dhe historike, përvojë e një njeriu që u tërhoq nga politika aktive pikërisht atëherë kur partia e re ndau postet dhe nisi luftën për pushtet. Libri botohet nga shtëpia botuese “Naimi”.

