Nga Evarist Beqiri-
Shteti modern ka nevojë për shërbime informative të forta. Por historia na mëson një të vërtetë po aq të rëndësishme, se rreziku për demokracinë nuk vjen vetëm nga shteti i dobët. Rreziku vjen nga shteti i pakontrolluar. Nga mënyra se si një shtet organizon shërbimet e tij të inteligjencës, kuptohet jo vetëm niveli i sigurisë kombëtare, por edhe cilësia e demokracisë së tij.
Historia na mëson se fuqizimi i institucioneve të sigurisë pa mekanizma proporcionalë kontrolli demokratik, krijon gjithmonë rrezik për balancën kushtetuese. Një shërbim informativ modern nuk matet vetëm nga kapaciteti për të grumbulluar informacion, por edhe nga aftësia e shtetit për ta mbikëqyrur atë në mënyrë ligjore dhe demokratike.
Forca e shërbimeve informative nuk matet vetëm me mbrojtjen e sekretit. Forca matet me mënyrën se si i mbron qytetarët. Forca matet me nivelin e besimit të qytetarëve ndaj shërbimit.
Besimi nuk jepet me ligj. Fitohet me kohë. Me vepra. Me llogaridhënie. Karakteri i një institucioni kërkon dekada për tu ndërtuar.
Sot, Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një SHISH më të fortë. Shqipëria ka nevojë për një shtet më të mençur. Projektligji i ri për disa ndryshime në ligjin organik neni 2, ndër të tjera përcakton se SHISH: “Mbledh informacion për terrorizmin dhe ekstremizmin, krimet kundër mjedisit, prodhimin dhe përhapjen e armëve të dëmtimit në masë, si dhe për stabilitetin e brendshëm dhe rajonal.”
Katër kategoritë e para janë të përcaktueshme. Terrorizmi ka përkufizim. Ekstremizmi ka kritere. Krimet kundër mjedisit janë konkrete. Armët e shkatërrimit në masë janë të prekshme. “Stabiliteti i brendshëm” nuk është kategori sigurie. Është kategori politike, e veshur me petkun e sigurisë.
Problemi nuk është zgjerimi i misionit. Problemi është se katër koncepte juridike dhe një koncept politik janë vendosur në të njëjtën fjali, si të kishin të njëjtën natyrë. Nuk e kanë.
Pyetja që shtrohet është: çfarë do të konsiderohet kërcënim ndaj “stabilitetit të brendshëm”?
Në legjislacionin dhe misionet e shërbimeve informative demokratike, nuk përdoret asgjëkundi koncepti “stabiliteti i brendshëm” si nocion autonom dhe i papërcaktuar.
Zakonisht në ligje përdoren koncepte shumë më të kufizuara juridikisht si: mbrojtja e rendit kushtetues, mbrojtja e rendit demokratik, kundërspiunazhi, kundër terrorizmi, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.
Nuk kemi të bëjmë këtu thjesht me një çështje semantike. Në të drejtën kushtetuese moderne ekziston një dallim shumë i rëndësishëm. “Rendi kushtetues” është koncept juridik. “Stabiliteti i brendshëm” është koncept politik.
Problemi është se “stabiliteti i brendshëm” mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Aty mund të përfshihen trazirat civile, protestat masive, krizat politike, mosbindja civile, konfliktet sociale, tensionet elektorale dhe deri te kundërshtarët politik.
Kompetencat e shërbimeve informative duhet që të lidhen me kërcënime konkrete dhe të mirëpërcaktuara, jo me nocione fluide. Kjo është edhe arsyeja pse në demokracitë liberale theksi vihet te mbrojtja e kushtetutës, demokracisë dhe sigurisë kombëtare, të shoqëruara me mbikëqyrje të fortë parlamentare dhe gjyqësore.
Në rastin konkret, ligji kalon nga “mbrojtja e rendit kushtetues” te “mbrojtja e stabilitetit të brendshëm”. Ai kalon nga një koncept juridik i matshëm te një koncept politik i interpretueshëm.
Kjo është pikërisht arsyeja pse ky nen meriton debat serioz profesional. Jo sepse inteligjenca nuk duhet të merret me kërcënime të reja, por sepse në një demokraci kompetencat e saj duhet të përkufizohen me saktësi kirurgjikale. Përndryshe, kufiri midis sigurisë kombëtare dhe menaxhimit politik të pakënaqësive shoqërore fillon e bëhet i paqartë.
Shqipëria ka nevojë për një shërbim informativ modern, profesionale dhe të aftë për t’u përballur me sfidat e kohës. Por ajo ka po aq nevojë edhe për institucione që kontrollojnë pushtetin. Jo thjesht dhe vetëm për institucione që e ushtrojnë atë. Sepse siguria pa liri prodhon frikë, ndërsa liria pa siguri prodhon kaos. Sfida e shtetit modern është pikërisht ruajtja e këtij ekuilibri të brishtë.
Pyetja thelbësore nuk është vetëm sa i fortë duhet që të jetë SHISH-i. Pyetja reale është: sa e fortë duhet që të jetë mbikëqyrja demokratike ndaj tij?
Sa më shumë kompetenca i japim SHISH-it, aq më shumë garanci demokratike duhet që të ndërtojmë për kontrollin e tij. Këtu nuk flitet për mosbesim ndaj institucionit. Përkundrazi. Është respekt për rëndësinë e tij. Institucionet më të fuqishme demokratike janë pikërisht ato që i nënshtrohen mbikëqyrjes më të fortë.
Nuk duhet të harrojmë këtu as kontekstin shqiptar. Ndoshta, në një demokraci me rotacion të shpeshtë pushteti, me kontroll parlamentar të fortë, me opozitë funksionale dhe media të pavarura, ky projektligj do të ngjallte më pak shqetësim. Koncepti i papërcaktuar do të mbetej rrezik teorik.
Por, Shqipëria nuk është ai vend. Shqipëria ka 13+ vite me të njëjtin individ në krye. Ka një përqendrim të madh të pushtetit ekzekutiv. Ka dobësi kronike të kontrollit parlamentar. Ka polarizim politik aq të lartë sa “stabiliteti” dhe “pushteti im” rrezikojnë të bëhen sinonime në praktikë, edhe pa qenë sinonime në ligj.
Qeveria e kalon pikërisht tani projektligjin në parlament. Pikërisht tani që Shqipëria gjendet në mes të një stine protestash. Ndërkohë, që ndryshime të tilla ligjore kërkojnë një klimë krejt të ndryshme politike.
Sot, është e lehtë që t’i quash “kërcënim për stabilitetin e brendshëm” ata që mbajnë flamuj e parulla në duar dhe jo armë. Koha e zgjedhur për këtë projektligj nuk është e duhura. Koha është mesazh.
Demokracia ka kambanat e veta. Disa bien me shumë zhurmë. Disa pa zhurmë fare, vetëm me një fjalë të papërcaktuar të fshehur diku në një paragraf të ligjit. Këto të fundit janë më të rrezikshmet, sepse askush nuk i dëgjon derisa të jetë vonë.
Kjo është një kambanë për demokracinë shqiptare që gjendet sot në udhëkryq. Një kambanë për gjithçka që kemi ndërtuar deri tani. Demokracia nuk vdes nga një ligj i vetëm. Vdes nga shumatorja e ligjeve që askush nuk i pa kur duhej.
Shqipëria ka nevojë për një shtet më të fortë. Por jo me koncepte të papërcaktuara. Jo në kushtet e një pushteti 13-vjeçar, që degradon çdo ditë e më tepër. Jo pa debat.
Një shtet solid demokratik e tregon forcën në qartësinë e kufijve që i vendos vetvetes. Në shtetin e së drejtës kompetencat e shërbimeve sekrete duhet të jenë të përcaktuara me saktësi. Jo me nocione elastike.
Ky është standardi europian. Ky është standardi demokratik. Dhe kjo kambanë, sado e vogël që mund të duket sot, duhet që të dëgjohet para se demokracia ta humbasë zërin e saj të brendshëm.

